Tahir Drenica
Tahir Drenica (21 qershor 1921, Drenas - 21 qershor 2013, Prishtinë) ishte këngëtar, rapsod dhe mbledhës i folklorit tradicional nga Drenica, Kosovë.[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tahir Drenica u lind më 21 qershor 1921, në Drenas, në një familje të madhe në Drenicës. Mbiemrin e mori sipas vendlindjes, nga se babai i tij ishte atdhedashës dhe armik i pushtetit të asaj kohe, andaj po të tregonte mbiemrin e tij të vërtetë, Tahiri nuk do të mund të fillonte karrierën e vet, por do të ndiqej nga pushteti. Ai nga fëmijëria pasion e kishte këngën, vinte nga një familje, atdhetare dhe artdashëse. Në atë kohë për shumë shqiptar shkollimi ishte vetëm një ëndërr, por jo edhe mundësi. Tahiri u shkollua nëpër oda e kuvendime, të cilat krahas me interesimin dhe përvojën ishin një shkollë e mirë për Tahirin. Tahiri në fëmijëri ëndërronte të bëhej artist i vërtetë.
Thuhet se shtëpia e tyre ka qenë vatër e kulturës, në odat e tyre janë mbledhur këngëtarë me famë të asaj kohe, si: Cuf Kadishani, Halim Beqa, Murat Pajaziti, Sefë Gashi (Mleqani) e shumë të tjerë. Tahir Drenica i kishte dëgjuar të gjithë me ëndje, i kishte mësuar me interesim të madh këngët e tyre, nga se në atë kohë kishte pak tekst shkrues, ndërsa këngët mësoheshin përmendësh. Tahiri në moshën fëmijërore i mësoj të gjitha këngët, të cilat i këndonin rapsodët e njohur, më pas i këndoj ato këngë, duke imituar këngëtarët e kohës, kurse më vonë u bë këngëtar i pavarur, që përpunonte tekstet, meloditë, meloset, të cilat bashkë me zërin e tij të ëmbël u bënë shumë të dashura për dashamirët e këngës shqipe të asaj kohe. Tahiri, u përgatit dhe u stërvit profesionalisht edhe duke garuar me të gjithë këngëtarët e kohës së tij.[2]
Në vitin 1948, kur ishte vetëm njëzet e shtatë vjeçar, Tahiri debutoi si rapsod dhe nisi të shquhej nga këngëtarët tjerë. Me kalimin e kohës ai u bë shumë i popullarizuar, ftohej në dasma, festa, gazmende, koncerte, dhe kudo është pritur si artist i popullit. Tahir Drenica ka kënduar me rapsodët më të njohur të asaj kohe si, Qamili i Vogël, Shaban Baksi, Rizah Bllaca, Salih e Feriz Krasniqi, Sef Mleqani, Augustin Uka, Demir Krasniqi, Bajrush Doda, Durmish Kadishani, Osman Gllareva, etj. Ai ka pasur edhe një përcjellës i cili atë botë ishte mjeshtri më i njohur i violinës, i njohur si Qazim Berisha. Tahiri ishte mjeshtër i madh i këngës, kishte zë të lartë, të ëmbël dhe dinte të përdorte zërin. Kur këndonte në shikim të lente përshtypje se nuk e hapte fare gojën, kishte mjeshtri në përhapjen e zërit, por kishte mjeshtri edhe në përdorimin e veglave e instrumenteve muzikore, madje i kishte hije mbajtja e sharkisë. Tahiri fliste rrallë, po fjala dhe ndeja i kishin hije, ishte i respektuar nga miqtë dhe dashamirët.
Nga vitet e 60-ta, Tahiri ka filluar të kondojë me Hashim Shalën, shoqëri e cila vazhdoi deri në vdekje. Tahiri dhe Hashimi kanë qenë këngëtar të guximshëm, kanë kënduar këngë nga thesaret e historisë dhe kulturës kombëtare, mes të cilave dallohen këngët për Skënderbeun, Adem Jashari, Ahmet Delia, Fazli Grajçevci, Ramë Bllaca, e të tjera e gjithashtu edhe këngë për armiq e bajlozë të tillë si Krajl Nikolla, Pashiqi, Rankoviqi, etj, këngë këto që shumë këngëtarë nuk guxonin as ti ëndërronin. Krahas kësaj ai ka kënduar edhe këngë dashurie, këngë humoristike, satirike, pothuajse të gjitha motivet.
Tahir Drenica me Hashim Shalën, kanë kënduar në çdo vend të botës ku kishte shqiptarë, nga Amerika dhe skaj më skaj Europës, në Danimarkë, Gjermani, Austri e gjetiu. Në Belgjikë kur është përuruar busti i Skënderbeut, kanë shfaqur një program të pasur kulturor me Osman Gllareven, Qamilin e Vogël, Marash Krasniqin, Augustin Ukajn, kanë mrekulluar Brukselin, i cili me aq interesim e ka përcjelle kulturën tonë. Tahiri me Hashimin kanë kënduar në Kopenhagen, Zvicër e kudo nëpër vendet ku mërgimtarët tanë kanë qenë të organizuar nëpër shoqata e klube. Viteve të 90-ta, kur shkonin në Gjermani, me Shkurte Fejzen, Ilir Shaqirin, Mahmut Feratin, ata dalloheshin me kësula të bardha, të ëmbël në këngë, të ngrohtë në biseda me mërgimtarët, të gatshëm të kthehen në skenë kur i kërkonin mërgimtarët. Një studiuese daneze e muzikës folklorike, Birthe Traerup,[3] [4] kishte botuar libra në pesë gjuhë të huaja, ku ishin përkthyer e botuar edhe këngë të Tahir Drenicës dhe Hashim Shalës. Të dy rapsodët, kishin inçizuar këngë edhe në ”Jugoton” të Zagrebit, dhe në Radio Televizionin e Prishtinës, RTP e atëhershme.[5]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ https://www.teksteshqip.com/tahir-drenica
- ^ http://www.zemrashqiptare.net/news/32583/demir-krasniqi-tahir-drenica-1921--2013.html
- ^ Birthe Trærup: Fra min feltforskning i Kosovo Arkivuar 2006-01-06 tek Wayback Machine
- ^ Birthe Trærup: På sporet af den albanske folkemusik. Historien om en ekspedition til Kosovo og Makedonien. VHS-bånd, København 1995.
- ^ https://rateyourmusic.com/artist/tahir-drenica