Targa CD dhe TR Jeshile
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Përcaktimi i targës do të bazohet në Ceremonialin Zyrtar të Republikës së Shqipërisë dhe konkretisht.
Mjetet e transportit zyrtar të Përfaqësive Diplomatike, të Konsullatave dhe Organizatave Ndërkombëtare si dhe mjetet e transportit privat të personelit të tyre që mbajnë pasaporta diplomatike, do të pajisen me targa CD.
Mjetet e transportit privat të personelit të Përfaqësive Diplomatike, Konsullore dhe Organizatave Ndërkombëtare që mbajnë pasaporta shërbimi, do të pajisen me targa TR Jeshile. Gjithashtu, me këtë targë, do të pajisen edhe mjetet e transportit zyrtar të misioneve të ndryshme që veprojnë në Shqipëri por që nuk gëzojnë status të plote diplomatik.
Çdo Përfaqësi nuk mund të ketë të regjistruara në emër të saj më shumë automjete zyrtare sesa numri total i stafit diplomatik të saj. Çdo pjesëtar i stafit diplomatik mund të ketë vetëm një makinë personale, dhe mund të pajiset më një të dytë vetëm në rast se shoqërohet nga bashkëshortja ose bashkëshorti. Çdo pjesëtar i stafit diplomatik mund të ketë vetëm një motoçikletë personale.
Pajisja me targa CD dhe TR Jeshile, kur është për përdorim personal, bëhet vetëm pas pajisjes me Kartë Legjitimiteti nga Protokolli i Shtetit.
Makina nuk mund të shitet më shpejt se dy vjet pas importimit/blerjes pa taksa.
Përfaqësitë duhet të njoftojnë Protokollin e Shtetit për numrin e targës së marrë nga Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Targat CD dhe TR Jeshile të automjeteve personale nuk janë të transferueshme.
Makinat e stafit të Përfaqësive mund të transferohen brenda ose jashtë vendit pasi të jetë bërë njoftimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Pronarët e automjeteve me targa CD ose TR Jeshile që përfundojnë misionin diplomatik në Republikën e Shqipërisë dhe marrin me vete automjetet e tyre, duhet të bëjnë çregjistrimin e mjetit, të kthejnë targat dhe lejet e qarkullimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Pas kësaj, duhet të njoftojnë Protokollin e Shtetit me notë verbale, shoqëruar nga fotokopja e dokumentit të çregjistrimit.
Në përputhje me dispozitat e nenit 93 të Kodit Rrugor, pronari legjitim i një mjeti të transportit rrugor në Shqipëri konsiderohet vetëm ai person i cili ka regjistruar mjetin e tij pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor që mbulon vendbanimin e tij dhe është pajisur me certifikatën përkatëse të pronësisë. Për pasojë, kontratat e shitblerjes apo dhurimit të lidhura, qoftë edhe përpara një noteri, kur mjeti i transportit mban ende dokumentet dhe targat e një shteti të huaj, konsiderohen të parregullta sepse sjellin si pasojë shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor dhe shmangie ose vonesa në pagimin e detyrimeve financiare ndaj shtetit. Prandaj, Përfaqësitë Diplomatike, Konsullore dhe Organizatat Ndërkombëtare dhe personeli i tyre luten të bëjnë kujdes në blerjen e mjeteve të transportit në vend, duke evituar blerjen e mjeteve të paregjistruara në Drejtoritë përkatëse Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, pasi kontratat e shitblerjes apo dhurimit të mjeteve me dokumentacion dhe targa të huaja nuk do të procedohen.
Gjithashtu, regjistrimi ose disponimi i të drejtës së pronësisë së mjeteve të transportit rrugor me dokumente të huaja në Shqipëri mund të bëhet vetëm në rast se dokumentacioni që vërteton pronësinë e një personi mbi automjetin është i legalizuar, pra për të është lëshuar nga autoriteti kompetent i shtetit, që ka nxjerrë dokumentin, një certifikatë (Apostille) për të vërtetuar autenticitetin e firmës, cilësinë në të cilën ka vepruar personi që firmos dokumentin dhe, kur është rasti, identiteti i vulës apo pullës që ai bart, në përputhje me kërkesat e Konventës së Hagës (5.10.1961), të cilat për Shqipërinë kanë hyrë në fuqi më 9.5.2004. Përfaqësitë Diplomatike, Konsullore dhe Organizatat Ndërkombëtare dhe personeli i tyre duhet të mbajnë parasysh, në rastin e importimit të mjeteve të transportit rrugor, këtë detyrim të Konventës së Hagës, duke certifikuar dokumentet e pronësisë dhe lejet e qarkullimit nga autoriteti kompetent i vendit të tyre.
Dokumentet që duhet të paraqiten në Protokollin e Shtetit për pajisjen me Targa CD ose TR Jeshile.
Kur automjeti importohet nga Përfaqësia Diplomatike ose nga vetë personeli i saj për përdorim vetjak. Notë verbale drejtuar Protokollit të Shtetit ku të shënohet lloji i targës së kërkuar, emri dhe pozicioni i përdoruesit, marka dhe modeli i automjetit, numri i shasisë dhe ngjyra.
- Fotokopje e urdhrit të çlirimit nga dogana, fotokopje e faturës së zhdoganimit, fotokopje e vërtetimit të hyrjes nga dogana.
- Fotokopje e dokumentit të hyrjes nga Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin.
- Fotokopje e Certifikatës së Konformitetit.
- Fotokopje e Certifikatës së Kontrollit Fizik.
- Fotokopje e Kartës së Legjitimitetit kur makina është për përdorim personal të stafit të Përfaqësisë.
Kur blihet një automjet në pronësi të një personi jo pjesëtar të ndonjë Përfaqësie Diplomatike.
Notë verbale drejtuar Protokollit të Shtetit ku të shënohet lloji i targës së kërkuar, emri dhe pozicioni i përdoruesit, marka dhe modeli i automjetit, numri i shasisë dhe ngjyra.
- Fotokopje e Certifikatë së Pronësisë ;
- Fotokopje te kontratës së shitblerjes ;
- Fotokopje e Lejes së Qarkullimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ;
- Fotokopje e Certifikatës së Kontrollit Fizik të automjetit ;
- Fotokopje e Kartës së Legjitimitetit kur makina është për përdorim personal të stafit të Përfaqësisë.
Kur automjeti blihet brenda Përfaqësisë ose midis Përfaqësive.
Notë verbale drejtuar Protokollit të Shtetit ku të shënohet lloji i targës së kërkuar, emri dhe pozicioni i përdoruesit, marka dhe modeli i automjetit, numri i shasisë dhe ngjyra.
- Fotokopje e Certifikatë së Pronësisë ;
- Fotokopje te kontratës së shitblerjes ;
- Fotokopje e Lejes së Qarkullimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ;
- Fotokopje e Certifikatës së Kontrollit Fizik ;
- Fotokopje të Kartave të Legjitimitetit të shitësit dhe blerësit kur automjeti është për përdorim personal.