Jump to content

Gazsjellësi Trans-Adriatik

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Trans Adriatic Pipeline)
Kursi i Trans Adriatic Pipeline

Gazsjellësi Trans-Adriatik (anglisht: Trans Adriatic Pipeline - TAP, azerbajxhanisht: Trans Adriatik Boru Xətti, greqisht: Αδριατικός Αγωγός Φυσικού Αερίου, italisht: Gasdotto Trans-Adriatico) është një gazsjellës që do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë. Gazsjellësi me gjatësi prej rreth 870 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik dhe do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.[1]

TAP zgjodhi gjurmën e tubacionit me kujdes të madh për të siguruar mundësitë më të mira teknike dhe tregtare dhe për të shkaktuar ndikim sa më të vogël të mundshëm mjedisor dhe social. Gazsjellësi TAP do të jetë me një gjatësi prej rreth 870 km. Pika më e lartë do të jetë 1820 metra mbi nivelin e detit, në malet shqiptare, ndërsa pika e tij më e thellë në pjesën detare do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Detin Adriatik. Duke parashikuar nevojat e ardhshme në rritje, hartuesit e TAP-it kanë integruar një fleksibilitet në projektimin e gazsjellësit, në mënyrë që volume më të mëdha gazi të mund të transportohen në të ardhmen. Kapaciteti fillestar i TAP-it prej 10 miliard metra kub (bcm) gaz në vit, është i barabartë me konsumin vjetor energjetik të rreth 7 milion familjeve në Evropë. Në të ardhmen, shtimi i dy stacioneve të tjerë kompresorë mund të dyfishojë kapacitetin transportues të tij në më shumë se 20 bcm në vit. Por kjo do të realizohet pasi të jenë ndërtuar pika të tjera furnizimi me energji në rajonin e gjerë të Kaspikut. Gazsjellësi do të ketë gjithashtu edhe të ashtuquajturën “rrjedhje e kundërt fizike”, që do të lejojë që gazi të drejtohet nga Italia për në Evropën Juglindore nëse furnizimet me energji në këtë rajon mungojnë, ose nëse nevojitet për t’u sjellë më shumë kapacitet gazi në të. Në pjesën tokësore, tubacioni do të ndërtohet duke përdorur teknika të provuara dhe të besuara, si dhe duke u kujdesur që të minimizohen ndikimet e mundshme negative ndaj mjedisit gjatë ndërtimit. Në pjesën detare, TAP-i do të përdorë distancën më të shkurtër të mundshme për kalimin e Detit Adriatik, duke iu përmbajtur kërkesave strikte të mbrojtjes së mjedisit, si dhe duke respektuar natyrën e veçantë të shtratit të detit lokal

Gjurma e TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, si dhe vendet e tjera. Vend-dalja e TAP në Itali ofron mundësi të shumta për transportin e mëtejshëm të gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria. TAP do të promovojë zhvillimin ekonomik dhe punësimin përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Ai do të jetë një investim i madh i drejtpërdrejtë i huaj dhe si projekt nuk varet nga grantet apo subvencionet. Ndërkohë që shitjet e para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi priten të ndodhin në fund të vitit 2018, transporti i parë drejt Evropës pritet të ndodhë afërsisht në vitin 2020. Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).[2]

Në vitin 2003, filloi studimi për fizibilitetin dhe në mars të vitit 2006 ajo u mbarua nga dega e Axpo Holding EGL. Realizueshmëria teknike, ekonomike sidhe ekologjike u konfirmuan aty.

Në mars të vitit 2007, planifikimet themelore u përfunduan, ndër të tjera hetimi i shtratit të detit sidhe studimet paraprake për pajtueshmërinë. Në vitin 2008, TAP-i filloi me planifikimet të detajuar.

Konsorciumi azerbaixhan Shah Deniz njoftoi në shkurt të vitit 2012, se e preferon TAP-in për rrugën në Itali.

Në shtator të vitit 2012, Shqipëria, Greqia dhe Italia nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, për të siguruar mbështetjen politike mbi projektin. Komisioneri i Bashkimit Evropian për energjinë, Günther Oettinger, e mirëpriti vendimin.[3][4]

Në korrik të vitit 2015, fillon puna për ndërtimin e rrugëve dhe urave ndihmëse në Çorovodë ku në ceremoninë e rastit ishte i pranishëm edhe kryeministri z. Rama.[5]

  1. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 31 korrik 2015. Marrë më 28 korrik 2015. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  2. ^ http://www.balkanweb.com/site/gjiknuri-shqiperia-mbeshtet-projektin-e-gazsjellesit-tap/
  3. ^ "Projektplan" (në gjermanisht). Trans-adriatic-pipeline.com. Arkivuar nga origjinali më 3 nëntor 2012. Marrë më 2012-10-16.
  4. ^ Besar Likmeta (2012-10-02). "Albania, Greece and Italy Reach Pipeline Agreement" (në anglisht). Balkan Insight. Marrë më 2012-10-16.
  5. ^ http://www.balkanweb.com/site/corovode-nisin-punimet-per-gazsjellesin-tap-rama-shumefishon-te-ardhurat-per-ekonomine-shqiptare-1-mld-euro-ne-20-vite/