Turizmi në Kukës
Vitet e fundit po merr prioritete të mëdha si rezultat i vlerësimit gjithnjë në rritje të vlerave natyrore dhe kulturore. Rrethi i Kukësit posedon të gjithë potencialin e mundshëm për zhvillimin e turizmit duke gërshetuar pasuritë natyrore dhe kulturore. Relievi i shumëllojshem, uji i bollshëm, liqeni, lumi, burime të shumta, klima dhe mikroklima, malet, pyjet, livadhet alpine, bjeshkët krijojnë kushtet e përshtatshme për zhvillimin e turizmit.
Trashëgimia e pasur materialo-shpirtërore, izolimi i gjatë dhe mosnjohja e tij e bëjnë këtë rajon tepër tërheqës dhe atraktiv për pushuesit, turistët, aventurierët, etj. [1]
Në rrethin e Kukësit mund të zhvillohen disa lloje të turizmit, duke përfshirë turizmin malor, peisazhor, kulturor, rural dhe fetar.
Turizmi Malor
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në një lartësi prej 1400 metrash Kroi i Bardhë është vetëm 30 km larg qytetit. Po ashtu edhe Shishtaveci apo Novoseji, që janë vetëm 37 km larg qytetit te Kukësit janë zona që i kanë të gjitha mundësitë për zhvillimin malor. E tillë është pika turistike malore pranë Gurit të Mëngjesit në Shishtavec, banorët e të cilit janë të njohur për mikëpritje dhe gatimin karakteristik të zonës. Një tjetër pikë turistike është edhe Pylli i Mështeknave, ku thuajse çdo ditë janë të pranishëm vizitorë të ardhur nga zona të ndyshme dhe të huaj kryesisht nga Kosova. Nuk janë vetëm këto pika turistike, është edhe Sasati, Kroi i Kuq, Kroi i Bardhë që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës por edhe gjatë dimrit. Njëra anë e malit te Gjalices që shihet edhe nga qyteti i Kukësit ka nisur të vizitohet mjaft nga turistë të huaj dhe vendas, sidomos gjatë verës, por edhe në stinën e dimrit. Shumë vizitorë kanë mësuar edhe për vende që ndodhen jo shumë larg si: Kroi i Bardhë, Kroi i Kishës dhe Kroi Tatzot që vizitohen vetëm nga të pasionuarit pas alpinizmit dimëror.
Vende të përshtatshme turistike janë edhe të tjera si : Sasati në lartësinë 1700 m mbi nivelin e detit. Zhvillimi i turizmit malor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në këtë rajon malor të Shqipërisë, kjo ka çuar në shtimin e numrit të banesave turistike në zonat rurale. Po ashtu edhe ndërtimi i autostradës dhe i aeroportit të Kukësit kanë krijuar mundësi efikase për zhvillimin cilësor të turizmit.[2] Turizmi malor përfaqësohet nga disa aktivite sportive, duke përfshirë alpinizmin, hipizmi, dhe mundja.
Alpinizmi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Është një sport dimëror mjaft i pëlqyer nga turistët aventurierë. Pllajat e bukura të Novosejt dhe Shishtavecit janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive gjatë dimrit. Si pista janë përdorur rrugët kryesore të fshatit. Në kuadër të këtij sporti në vitin 2000 dhe 2013 u organizua një kampionat ndërkombëtar i skive ku morën pjesë skiatorë vendas dhe të huaj nga Norvegjia dhe Gjermania.
Hipizmi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Është një sport i zhvilluar hershëm, traditë më shumë për zonën e Gorës, zonën e Dollovishtit dhe rrethinat e Prizrenit. Kuaj garues ka pasur në Novosoj, Shishtavec dhe Borje. Kuajt për hipizëm janë ruajtur në regjim stallor e me një përkujdesje të veçantë duke u ushqyer me orare të caktuara. Hipizmi është zhvilluar më shumë në raste dasmash dhe festash tradicionale.
Mundja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Është një ndër sportet që tërheq jo vetëm turistët por edhe vendasit të të gjitha grupmoshave. Uniforma e tyre ka qenë e veçantë dhe quhej "kysmete" dhe me rripin e gjerë dhe të zbukuruar me pulla të shndritshme. Pelivanët (mundësit) para ndeshjes lyenin trupin me vaj për të penguar kapjen nga kundërshtari, ndeshja përcillej nga lodra (tupanët). Ky lloj sporti ka qenë i përhapur në të gjithë rrethin e Kukësit.
Turizmi peisazhor
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në rrethin e Kukësit ofrohet kategoria e tretë e zonave të mbrojtura, Monumentet e Natyrës: Mështekna e Shishtavecit, Guri i Mëngjesit, Kroi i Kuq, Guri i Shqipes, Pylli i Dushkut në Novosej, Gryka e Çajës, Cirku akullnajor i Zepës, Vargëmalin Koretnik-Gjallicë- Kolesian- Kallabak-Tërfojë etj. Të impresionojnë jo vetëm më madhështinë e tij, vlerat shkencore, por dhe me pasurinë e bjeshkëve të pasura për verim me vlera kurative. Të gjitha këto ofrojnë mundësi të mira për të kënaqur vizitorët dhe të apasionuarit ndaj natyrës dhe vlerave kulturore të zonave etnografike ku ato bëjnë pjesë.[3]
Turizmi kulturor
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pozicioni në udhëkryqet e rrugëve mesjetare dhe më të reja, kanë bërë të mundur që ky rajon të popullohet që në periudhat e hershme duke na lënë trashëgimi një pasuri të madhe kulturore. Monumentet Kulturore të shpallura në këtë zonë janë 9 monumente nga të cilat 6 të karakterit arkeologjik, 3 të karakterit historik dhe 1 të karakterit arkitekturor. Të dhënat arkeologjike kanë vërtetuar se pellgu i Kukësit është banuar që në shek. I të erës sonë. Sipas këtyre të dhënave vërehen këto periudha historike: të neolitit, bronzit, hekurit që dëshmojnë lashtësinë e këtij vendbanimi. Vendbanimet me të lashta janë të Kolshit, Kënetës si dhe tumat ilire në Qinamak dhe Bardhoc. Vende të tjera të vizitueshme arkeologjike janë: Kështjella e Vilës, Kështjella e Pecës, Hisari i Domajve, Gradishta e Bardhocit, Kështjella e Bushatit dhe kodërvarret në Çinamak dhe Kenetë. Ky rreth krahas vlerave arkeologjike ka vlera të çmueshme historike. Më e spikatur është lufta e popullit të Lumës ndaj serbëve të zhvilluar në Qafë të Kolosianit. Trashëgimia arkitekturore zë një vend të veçantë duke na shpalosur dhe një herë trashëgiminë e pasur të këtij rrethi. Monumentet arkitektonike mund të klasifikohen në dy kategori kryesore: ndërtesa ku u zhvilluan ngjarje të rëndësishme historike dhe përmendore që i detikohet figurave të rëndësishme historike : [4]
- Shtëpi të tipit Kullë.
- Kulla e Rezistencës që gjendet në qytetin e Kukësit.
Etnografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Është një elemet i spikatur në rrethin e Kukësit, që rrallë mund të gjesh ndonjë vend me një sipërfaqe kaq të vogël një gërshetim të tri zonave etnografike me tradita, zakone, veshjet tradicionale të veçanta: Krahina Etnografike e Malziut, Krahina Etnografike e Lumës, Krahina Etnografike e Gorës. Krahina e Gorës ka karakteristika të veçanta, popullsia dy gjuhëse : shqipen dhe gorane. Veshja e tyre ndryshon nga ajo e krahinës së Lumës pasi është më e pasur, më e larmishme dhe më figurante. Historia rreth origjinës së tyre, traditat e zakonet e tyre, mënyra e gatimit të gjitha këto e shtyjnë turistin të vizitojë këtë rreth dhe ta vlerësojë atë. Në këto krahina gastronomia paraqet një interes të veçantë për turistët. [5]
Turizmi rural
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ky lloj turizmi ka mundësi të zhvillohet falë pasurive të shumta natyrore dhe kulturore që përmbajnë zonat rurale, ku janë të ruajtura dhe mbajtura gjallë traditat, zakonet, ritet etj. Zonat tipike ku mund të zhvillohet turizmi rual janë zona e Shishtavecit, Bicajt, liqenit të Fierzes. Bashkë me zhvillimin e turizmit rural del në pah dhe turizmi gastronomik, i cili është elementi që prek nga afër zonën në të cilën spikatin gatimet tradicionale të rajonit si: peshku i liqenit Luçipern, raki shtëpie të prodhuar nga rrushi ose kumbulla, boza e famshme, djathi i bardhë i deleve (Çajës), kos i famshëm i Kroit të Kuq, mjalti i gështenjave, mish i tharë, i pjekur, flia, petë misri, pite (byrek),etj.
Turizmi fetar
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ka një pasuri të madhe të objekteve fetare, të cilët paraqesin interes të veçantë për turistët. Madhështia e tyre, legjendat, histori për shpëtimin e njerëzve dhe zgjidhja e problemeve janë elementët, të cilët tërheqin vizitorët në këtë rajon: Teqja e Dërvish Ismailit (Buzëmadhe) në fshatin me të njëjtin emër, Teqja e Sheh Kadrisë (Shtiqën). [6]
Kukësi paraqet mundësi reale për zhvillimin e turizmit, për kushtet e përshtatshme natyrore dhe peisazhin e bukur të natyrës, ashtu edhe për pasuritë kulturore dhe historike.
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Vlerësimi turistik i ofertës kulturore dhe natyrore të rrethit të Kukësit http://alpa.mali-it.eu/pub/aktet/vol/vol6/Aktet_Vol_VI_Nr_3_pp_254_258.p[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]
- ^ "Gjalica Dodona e Dardanëve", Nazif Dokle, Tiranë2013, Geer Tiranë 2013 faqe5
- ^ "Tërthorja",Xhafer Kovaçi,Kukës,Maj 2006,Baf grafik-Prizeren
- ^ Vlerësimi turistik i ofertës kulturore dhe natyrore të rrethit të Kukësit http://alpa.mali-it.eu/pub/aktet/vol/vol6/Aktet_Vol_VI_Nr_3_pp_254_258.p[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]
- ^ "Vendlindja ime Kukësi" Nazif Dokle, Shtëpia Botuese "Erik Tiranë" faqe 47.
- ^ Vlerësimi turistik i ofertës kulturore dhe natyrore të rrethit të Kukësit http://alpa.mali-it.eu/pub/aktet/vol/vol6/Aktet_Vol_VI_Nr_3_pp_254_258.p[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]