Shko te përmbajtja

Tvërtko I i Bosnjes

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Ridrejtuar nga Tvrtko I i Bosnjes)
Monedhë e Tvrtkos
Stema e Tvrtkos I
Bosnja në kohën e Tvrtkos I në vitin 1390

Stefan Tvrtko I (serbokroatisht: Stjepan/Stefan Tvrtko, Стефан/Стјепан Твртко; rreth 1338 – 10 Mars 1391) ishte i pari Mbret i Bosnjës.[1] Një anëtar i Shtëpisë Kotromanić, ai e pasoi xhaxhain e tij Stefan II si Ban i Bosnjës në vitin 1353. Pasi ai ishte i mitur në atë kohë, i ati i Tvrtkos, Vladislavi, shkurtimisht sundoi si regjent, i ndjekur nga nëna e Tvrtkos, Jelena. Në fillim, Tvrtko zuri të grindej me klerin e Kishës Katolike, por më vonë gëzoi marrëdhënie të përzemërta me të gjitha komunitetet fetare në mbretërinë e tij. Ai ia doli që t'i pushtojë edhe disa toka të Perandorisë Serbe në vitin 1373, pas vdekjes së sundimtarit të saj të fundit, Uroshi i Dobët. Në vitin 1377, ai u vetë kurorëzua si Mbret i Bosnjës dhe Serbisë, duke pretenduar se ishte trashëgimtar edhe i Dinastisë së shuar serbe Nemanjiq.

Tvrtko I ishte i biri i Vladislav Kotromaniqit dhe Jelena Shubiqit. Principatën e trashëgoi nga gjyshi Stjepana II më 1353. Vitin e parë pas vdekjes së gjyshit i ndihmoi i ati, dhe pas vdekjes së të atit 1354 e ndihmoi e ëma e tij energjike. Tvrtko vjen në fuqi gjatë kohës kur mbreti hungarez Lajoshi i Madh luftonte kundër Mleqanëve për Dalmacinë, dhe kundër Rashkës. Si vazal i hungarezëve, Tvrtko së bashku me të ëmën më 1355 ndërmerr një fushatë për të kthyer qytetet dalmatine kundër Mleqanëve. Hungarezët e pakënaqur me qeverisjen e tij të kësaj pjese vendosin që t'ia marrin pjesën nga Hum-i deri në Neretvë si miraz për të bijën e Stjepana II, a për të shoqen e mbretit Lajoshi. Përderisa më 1363, hungarezët tentuan edhe njëherë që ta ngushtojnë, ai iu përgjigj atyre me ushtri. Me këtë rast hungarezët i dërgojnë dy armata kundër Bosnjës, mirëpo që të dyja dështojnë: njëra udhëhiqej nga Mbreti Lajoshi, që u lëshua tek qyteti i Sokolit dhe tjetra tek Srebrniku. Pas këtyre sukseseve, Tvrtko i nxitur nga e ëma e tij provon që të fuqizojë pushtetin qendror gjë që shkaktoi pakënaqësi e që më 1366 u shndërrua në lëvizje. Në krye të saj ishte i vëllai i tij Vuk-u. Kjo lëvizje u shndërrua në kryengritje të hapur dhe në pranverë të 1366 Tvrtko dhe e ëma e tij largohen nga Bosnja, ndërsa si princ i Bosnjës shpallet i vëllai i tij Vuk-u. Si rrjedhë e këtyre ngjarjeve Tvrtko i drejtohet mbretit hungarez dhe me ndihmën që merr nga ai kthehet në fuqi. Gjatë 1366 dhe 1367 Tvrtko ia arrin që ta qetësojë gjendjen në tërë Bosnjën ndërsa i vëllai i tij iku në Dubrovnik. Nga aty, Vuk-u tentoi që të përfitojë nga Papa dhe nëpërmjet tij oborrin hungarez, mirëpo në këtë drejtim nuk kishte sukses.

Me vdekjen e Carit të Rashkës Urosh-it 1371 vdiq edhe trashëgimia mashkullore e dinastisë së Nemanjës. Me rënien e mbretit Vukashin në betejën e Maricës 1371 nuk kishte më zot të Rashkës. Si rrjedhë e këtyre ngjarjeve d.m.th me krijimin e boshllëkut në hapësirën e Rashkës, Tvrtko pretendon të depërtojë dhe dominojë edhe në këtë hapësirë. Ai lajmërohet se ishte nipi i Jelisavetës, bija e mbretit Dragutin, e cila ishte e dhënë për gjyshin e tij Stjepana Kotromana. Në bazë të kësaj ai ishte Nemanja nga ana e trashëgimisë femërore dhe me këtë ishte trashëgimtar i kurorës së Rashkës.

Me knaz Lazarin kishte marrëdhënie të mira. Në atë kohë knaz Lazari sundonte Moravinë perëndimore dhe ky sikurse Tvrtko balafaqohej me zhupanin agresiv Nikolla Altomanoviqin, zgjedhja e të cilit shtrihej nga Rudniku deri në det, nëpër Drin, Gacko, Bileqe dhe Trebinje. Nikolla e kishte ndihmuar të vëllanë e Tvrtkos haptasi në kryengritjen e lartpërmendur, kishte luftuar kundër Dubrovnikasve dhe Lazarin e kishte larguar nga Rudnik-u. Kishte pretendime të depërtonte në Prizren dhe të shpallej mbrojtësi kryesor i kishës serbe. Trupat e bashkuara të Tvrtkos dhe Lazarit më 1377 ia arrijnë që të mundin Nikolla Altomanoviqin dhe të shkatërrojnë regjimin e tij. Duke e mbrojtur bahçen e vet, fisniku boshnjak ia arriti që të shtrijë sundimin e tij mbi tokat Rashkës. Si sundues i tokave të dikurshme gjermane, Tvrtko me punën e tij e pranoi që të lidhet me traditat shtetërore të tyre. Për këtë për të edhe nuk ishte e vështirë që të kuptojë këshilltarin e tij Vlatkan i cili e bindi që vetë atij Tvrtkos i takonte kurora mbretërore e Rashkës. Për këtë edhe e kurorëzon veten mbret i hapësirës së re.


Kurorëzimi u bë në vjeshtën e 1377-ës sigurisht në Mitrovdan në manastirin e Mileshevit, vendi i kultit personal të Shën Savës, themeluesin e kishës krishtere të Rashkës. Kurorëzimi u bë me kurorën e shtëpisë mbretërore të Rashkës, Bosnjës dhe Primorjes e pjesëve perëndimore dhe njëherësh i japi vetit emrin popullor, emrin simbolik që e bartin gjithë fisnikët e Rashkës - Stefan. Kurorëzimin e Tvrtkos e pranuan Dubrovnikasit dhe Mleqanët, dhe ata e ngritën në hierarkinë e udhëheqjes duke i ofruar ceremoniale të shtëpisë mbretërore.

Pas vdekjes së mbretit hungarez Lajoshi i Madh 1382, mbretëresha hungareze me qëllim që të përfitonte mbështetjen e Tvrtkos ia jep atij qytetin e Kotorit më 1385. Tvrtko duke u nisur nga ajo që Bosnja do të fitonte daljen në det dhe do të shpërthente bllokimin dubrovnikas, më 1382 themeloi qytetin e Ri (Novi) si dëshmi e prezencës boshnjake. Me arritjet e para të anijeve tregtare në vendbanimin e ri filluan edhe vështirësitë e para. Dubrovniku që llogariste tregtimin dhe transportin e kripës si monopol të vetin, e shikonte "kështjellën" si konkurrencë të rrezikshme për vete.

Me fitimin e Kotorit më 1385 Tvrtko nuk ishte i kënaqur, por mendonte të merrte tërë Dalmacinë. Qyteti i parë ishte Klis-i 1387 (çerdhe e familjes së Shubiqevëve).


Aksionet e tij më vonë u orientuan kundër marshimit otoman në Kosovë, Rashkë dhe Bosnjë. Një armatë otomane kishte rënë më 1388 në Bileq. Në betejën e Kosovës më 1389 Tvrtko i dërgon si ndihmë Lazarit një pjesë të armatës nën udhëheqjen e vojvodës Vlatko Vukoviqit, fituesit të luftimeve në Bileq. Repartet boshnjake nuk kishin pësuar shumë dhe vojvoda Vlatko i dërgon Tvrtkos lajme për fitore të anës krishtere. Nuk ka dyshim që Tvrtko në betejën e Kosovës kishte hyrë si mbret i serbëve pasi që edhe ishte i kurorëzuar si i tillë. Ai ishte i sigurt që repartet e tija dhe fuqitë e fisnikëve serbë kishin korrur fitore të madhe në betejën e Kosovës. Në bazë të kësaj sigurie ai i dërgoi lajme të mira shteteve tjera krishtere për fitoren e të krishterëve. Si kundërpërgjigje është dalluar ajo e Firencës, e stilizuar nga humanisti Koluca Salutati në të cilën shprehen falënderimet e gëzimet mbretit të Bosnjës.

Në pranverë të 1390 Tvrtko merr Splitin, Trogirin, Shibenikun dhe ishullin Braq, Hvarin dhe Korçulën. Kështu Tvrtko kishte futur nën zgjedhjen e tij me të vërtetë gjitha qytete dalmatine përpos Zarës dhe pjesën më të madhe Kroacisë. Për sundimin e tij të shkurtër në Dalmaci (9 muaj) është ruajtur shumë pak. Në dokumente latine për herë të parë paraqitet më 10 qershor 1390 me titullin mbreti i Rashkës, Bosnjës, Dalmacisë, Kroacisë dhe Primorjes. Pas sukseseve në jetën e tij ai ka vdekur në mars të 1391.

  1. Cambridge Medieval History Series, f. 1719.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]