Shko te përmbajtja

UDHA, një gjak, një gjuhë, një besë!

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

UDHA: Një gjak, një gjuhë, një besë, është një dokumentar serial për Arbërinë dhe ruajtjen e gjuhës dhe identitetin arbëresh në Itali.

Premiera e dokumentarit serial “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë”, një prodhim i Fondacionit “Lorik Cana 5”, u shfaq në TIRANË për herë të parë më 21 nëntor 2024 [1] në kinema "Millenium" [2]. Ky projekt ambicioz sjell në vëmendje historinë dhe traditat e komuniteteve arbëreshe të Italisë, komunitete që i përkasin pakicave gjuhësore shqiptare që ka ruajnë identitetin dhe gjuhën shqipe prej më shumë se 550 vjet.

Regjisori arbëresh Alessandro Ferrantelli [3] udhëheq këtë rrugëtim emocional dhe kulturor, duke eksploruar katundet arbëreshe të Sicilisë dhe Kalabrisë. Protagonistët, Lorik Cana dhe Arbër Agalliu, udhëtojnë nëpër Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), Çifti (Civita), Shën Sofi (Santa Sofia d'Epiro), Shën Mitër (San Demetrio Corone), Firmozë (Acquaformosa), Ungër (Lungro) dhe Falkunarë (Falconara Albanese). Përmes dokumentarit, publiku njihet me përditshmërinë, festat dhe gjuhën e arbëreshëve, që mbartin një trashëgimi të jashtëzakonshme nga epoka e Gjergj Kastriotit.

Arbër Agalliu dhe Lorik Cana gjatë prezantimit të dokumentarit të tyre "UDHA" në Tiranë më 21 nëntor 2024

Lorik Cana, producent [4] dhe protagonist i dokumentarit, e cilëson këtë projekt si një mision për të promovuar kulturën arbëreshe dhe për të ndërgjegjësuar publikun mbi vlerat e kësaj trashëgimie. “Arbëreshët nuk janë diçka e së shkuarës. Ata janë një realitet i gjallë dhe një pjesë e rëndësishme e kombit tonë. Çdo shqiptar në emigracion është një arbëresh i kohëve moderne,” shprehet Cana.

Gjuha arbëreshe dhe ruajtja e traditave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komunikimi në dokumentar bëhet kryesisht në gjuhën arbëreshe, një element i veçantë që synon të përçojë pasurinë kulturore të këtij komuniteti dhe të rrëzojë barierat gjuhësore. Arbër Agalliu, autor dhe protagonist i dokumentarit, thekson se ky projekt ka sjellë në jetë një “copëz të Arbërisë” dhe se puna me arbëreshët ka qenë një përvojë frymëzuese për gjithë ekipin.

Regjisori Alessandro Ferrantelli e përshkruan këtë projekt si një “shërbesë” për të lidhur më shumë shqiptarët e Shqipërisë me vëllezërit e tyre të diasporës historike.

Një kontribut të rëndësishëm për promovimin e këtij dokumentari ka dhënë edhe Instituti Italian i Kulturës. Drejtori i tij, Alessandro Ruggera, thekson se prania e arbëreshëve dëshmon lidhjen historike mes Shqipërisë dhe Italisë, duke treguar gjithashtu pluralizmin kulturor të Italisë.

Dokumentari [5] përbëhet nga pesë seri, të cilat do të transmetohen në televizion në vitin 2025. Në kinema, shfaqet një version i shkurtuar, një trailer i zgjeruar prej 40 minutash, që i fton shikuesit të thellohen në historinë dhe kulturën e arbëreshëve.

“UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë” është më shumë se një dokumentar; është një urë [6] lidhëse mes të shkuarës dhe së ardhmes, një homazh për rezistencën kulturore dhe një thirrje për të njohur dhe ruajtur identitetin shqiptar në diasporë.

  1. https://www.albinfo.at/udha-nje-gjak-nje-gjuhe-nje-bese-ne-kinema-me-21-nentor/
  2. https://ata.gov.al/2024/11/23/ne-zbulimin-e-arberesheve-shfaqet-dokumentari-udha-me-protagoniste-lorik-cana-dhe-arber-agalliu/%5B%5D
  3. https://almanart.al/events/dokumentari-udha-nje-gjka-nje-gjuhe-nje-bese-nga-alessandro-ferrantelli/
  4. https://tvklan.al/nje-dokumentar-per-arbereshet-nga-lorik-cana-mision-per-te-promovuar-kulturen/
  5. https://www.report-tv.al/lajm/shfaqet-dokumentari-per-gjuhen-dhe-traditat-arbereshe-lorik-cana-dhe-arber-agalliu-protagoniste-te-udha/
  6. https://www.youtube.com/watch?v=yGhqzbpWRlU/