Vajtimi i Ajkunës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Vajtimi i Ajkunës është pjesë lirike e ciklit të kreshnikëve, një ndër më të bukurat dhe një kryevepër artistike e epikës së popullit shqiptar. Ajkuna është e shoqja e Gjeto Basho Mujit, një kreshnik shqiptar. Ngjarja zhvillohet kështu: Omeri, djali i Mujit rrethohet në bjeshkë e pas një lufte të rreptë vritet. Kur arrin aty Muji, beteja ka përfunduar. Nga armiqtë e vrarë kupton se i biri megjithëse ishte vetëm shtatë vjeç, kishte luftuar si kreshnik. Këto tregohen në këngën “Vdekja e Omerit”. Vajtimin e nënës e paraprin një tablo dramatike tronditëse. Muji varros me duart e veta të birin ne Lugjet e Verdha dhe kthehet në kullë. Ajkuna merr vesh lajmin e zi. Pas këtyre shpërthen dhembja e nënës, vajtimi i saj. Në këtë vaj kemi diçka krejt të veçantë, që e bën këtë krijim poetik lirik të qëndrojë midis këngëve epike heroike të kreshnikevë. Vetë Omeri është një fëmijë i parritur, një luftëtar trim që la pas bëma kreshnikësh. Ajkuna, një nënë e dhembshur që vuan thellë vdekjen e djalit. Figurat artistike që përdoren janë të një lloji me ato të të gjithe ciklit. Këtu marrin pjesë yjet, hëna, zogjtë e bimët. Yjet ndalen të dëgjojne vajin e Ajkunës, kjo mallkon hënën pse nuk e lajmëroi më parë, ahu shtrin degën më të bukur që ajo të mbështetet dhe zogjtë e malit rreshtin këngën. Ajkuna ka në zemër lajmin e zi dhe kuja shpërthen. Në fund të vajtimit shprehja e dhëmbjes merr formë tjetër. Nëna kujton çaste nga jeta e djalit, e sa më të bukura janë ato, aq më e thellë është vuajtja në zemrën e nënës.

Vajtimi i Ajkunës[redakto | redakto tekstin burimor]

Drita a dalë e dritë s’po ban,
ka le dielli e nuk po nxeh:
ça ka ba Gjeto Basho Muji;
Djalin n’dhe Muji e ka shti…
A dredhe Muji e në shpi ka shkue,
nana e djalit po e pyet;
-Mujo, djalin ç’ma ka gjetë?
N’Lugjet t’Verdha, a thue ka mbetë?…
Qyqe vetëm rrugën paska marrë,
kanë zane vend yjt’ vajin me e ndie!
Kur ka dalë ndër Lugjet t’Verdha,


atëherë nana hanën ka mallkue:
-T’u shkimtë drita ty, o mori hanë,
që s’ma çove atë natë nji fjalë,
n’Lugje t’Verdha, shpejt me dalë
bashkë me hy n’nji varr me djalë!…
Kur ka shkue te varri i djalit,
ka pa ahin treqind vjeç,
ahi ishte rrema-rrema,
nji ma t’bukrin mbi varr po e shtin


Mirë po pshtetet për degë t’ahit
pikon loti mbi varr të djalit
Kanë lanë kangën zogjtë e malit,
kanë lane kangën me vështrue!
-Po a s’e din se kush ka ardhë,
që nuk çohesh për m’u falë,
more i miri i nanes-o?
Amanet, o more bir,
dil nji herë ksi burgut t’errët,


fol me nanën që t’ka rritë
s’m’ke lanë kurrë kaq shumë me pritë!…
More Omer i nanes-o;
A thue gjokun me ta prue?
Dil nji herë për me lodrue
bjer ndër gurra me u freskue
kërko majat bashkë me zana
se ty varrin ta ruen nana,
mori i miri i nanes-o!…

Shiko edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Burimi i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

http://www.tirana-online.de/folklori.html