Jump to content

Vani Trako

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Vani Trako u lind më 7 janar të vitit 1923, në BoboshticëKorçës dhe ka qenë aktor i njohur i teatrit të qytetit dhe interpretues rolesh episodike të spikatura në disa filma.

U lind më 7 janar të vitit 1923 në fshatin Boboshticë të rrethit të Korçës, si biri i Thoma dhe Athina Trakos, dhe vëllai i Kratit, Kiços, Ritës dhe Tirkës. Prirjet drejt artit i shfaqi që në fëmijëri, në Boboshticë, ku të moshuarit e kishin pagëzuar “bilbili i fshatit” dhe thoshin që ai kishte kënduar që në bark të nënës. Që në moshë të njomë, filloi të këndonte pa reshtur në festa te ndryshme, në koret e shkollës si edhe në kishat e fshatit. Në moshën 10 vjeçare e ftonin për të kënduar në Kisha e Mitropolisë dhe e Shën Gjergjit të qytetit e Korçës. Gjatë adoleshencës punoi si në fshat, ashtu edhe në Korçë në punë të ndryshme, për t’i ardhur në ndihmë familjes.

Në vitin 1937 fitoi konkursin për t’u futur në Shkollën Greke “Jovan Banga” (Korçë), por me pushtimin fashist të 1939-s shkolla u mbyll dhe ai nuk mundi ta vazhdojë. Megjithatë kurrë nuk iu nda fesë së krishterë ortodokse dhe këngëve bizantine.

Varfëria dhe papunësia bënë që Vani tetëmbëdhjetëvjeçar, në vitet 1940 – 1941 të punësohej në Tiranë. Në këto vite aktivizohet në formacionet partizane revolucionare që luftonin kundër pushtuesve. Për këtë veprimtari arrestohet në prill të vitit 1942 nga Kuestura, e cila e dërgoi në burgun e vjetër. Pas 3-4 muaj me ndërhyrje për mungesë provash lirohet. Aktivitetin artistik do ta vazhdonte në formacionet partizane ku, përkrah pushkës, ishte këngëtar i Korit Partizan të Komandës së Vendit (Kori i Divizionit të II). Kjo nuk zgjati shumë, mbasi pas çlirimit të vendit, në vitin 1945, me urdhër të Komandës së Përgjithshme transferohet në Ansamblin e Ushtrisë, kur përveç korit merr pjesë dhe në grupin e teatrit me regjisor Sokrat Mio.

Në dhjetor 1947 lirohet nga ushtria, kthehet në Korçë dhe atje aktivizohet me grupin teatral amator deri në vitin 1950, vit në të cilin krijohet teatri profesionist. Në vitin 1950, në teatrin profesionist të Korçës luan kryerolin e parë të tij, Godunin në dramën “Përmbysja”. Veprimtaria e tij artistike shtrihet çdo vit, duke vënë në skenë me qindra pjesë në shkolla, qendra pune, kooperativa, reparte ushtarake, shtëpi të pionierit dhe në Pallatin e Kulturës së Korçës. Disa nga shfaqjet ku mori pjesë Vani qenë “Hijet e natës”, “Koprraci”, “Doktor pa dashka”, “Këneta”, “Ishulli i Afërditës”, “Dasmë në luftë”, “Volpone”, etj. Gjithashtu merr pjesë edhe në kinematografinë shqiptare, në filmat Tana (1958) (filmi i parë shqiptar), Yjet e netëve të gjata (1973), Rrugicat që kërkonin diell (1975), Përballimi (1976) dhe Dëshmorët e monumenteve (1980).

Në vitin 1952 viziton Moskën si anëtar i delegacionit kulturor shtetëror gjatë një vizite zyrtare.

Vani Trako (1956)

Më pas, rreth viteve ’60 emërohet drejtor i teatrit “Andon Z. Çajupi” të Korçës, vendim të cilin e kundërshton i motivuar nga pasioni i tij për artin skenik. Në vitet ’70, si aktor dhe regjisor urdhërohet të vërë në skenë dy opereta me fëmijët e Shtëpisë së Pionierit për konkurrim kombëtar në Tiranë: “Flutura” dhe “Vallja e Karançave”, dhe për të dyja vlerësohet me flamurin dhe me çmimin e parë. Në teatër dhe kinematografi, ai do të punonte me dashuri dhe pasion, duke treguar edhe talentin e tij deri në dalje në pension.

Por, i palodhur, nuk mjaftohet me kaq, aktivizohet me klerikët dhe merr pjesë në Korin e Kishës “Shën Ilia” dhe që nga viti 1998 organizonte dhe drejtonte Korin e Kishës “Shën Thanasi”. Këngët fetare i jepnin kënaqësi, i këndonte me ndenjë, pasion, përkushtim dhe respekt të veçantë. Gjithashtu merrte pjesë edhe në korin karakteristik korçar “Kori Lyra”, nga i cili nuk u nda për më shumë se katër dekada. Ashtu siç ishte një aktor i talentuar, Vani kishte lindur edhe për të kënduar. Gjithë jetën nuk u nda nga kënga. Ai këndonte sa për vete, aq edhe për publikun e gjerë, këngët e bukura korçare në qindra koncerte. Në to shikonte gëzimin e jetës, ndjente kënaqësinë që sillnin këngët patriotike, këngët e mëmëdheut, këngët lirike e satirike, të dashurisë për natyrën, vendin e njeriun.

Arritjet e tija si aktor dhe korist i kanë sjellë Vanit vlerësime nga specialistët dhe spektatorët. Nga institucione të ndryshme është nderuar me medalje dhe urdhra, si dhe me titullin “Artist i Merituar”.

Së bashku me bashkëshorten e tij, një prej artisteve të para të teatrit profesionist dhe qytetare nderi e qytetit të Korçës, Qefser Kushe-Trako, lindën, rritën dhe edukuan dy fëmije të nderuar dhe të respektuar, Petrikën dhe Mamicën. Gjithashtu ishte një gjysh i përkushtuar, i dashur dhe i vlerësuar nga mbesa dhe tre nipërit e tij.

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare, më 28 dhjetor 2009, pasi vuante prej muajsh nga një sëmundje e pashërueshme.

Vani është një prej gurëve të rëndë që u vendosën në themelet e teatrit profesionist korçar. Është një prej dhjetë pëllumbave që shtegtuan mbarë vendit për të përhapur fjalën e poetit, dashurinë për njëri-tjetrin dhe dashurinë për jetën. Ai mund të bëhej një ushtarak i talentuar. ashtu siç u bënë shumë nga shokët e tij partizanë, por ai dëshironte të bëhej Promete, të përhapte dashurinë për jetën, për njerëzimin, dhe u bë, fale punës, pasionit, talentit dhe mësuesve të tij të talentuar.