Jump to content

Vehbi Neziri

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Vehbi Neziri është Doktor i Shkencave Kompjuterike me një histori të pasur të kontributit në teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit.[1]

Studimet themelore, Master dhe të doktoratës i ka kryer në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Karriera e Vehbiut është një rrugëtim i suksesshëm në fushën e zhvillimit softuerik dhe të teknologjisë së informacionit. Në periudhën 2001-2003, punoi zhvillues softueri në Qendrën e Prodhimit të Dokumenteve. Ndërsa në vitet 2003-2007, ai përfshihet në projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, ku kontribuoi në zhvillimin e Korrektuesit të Gjuhës Shqipe, të Fjalorit Elektronik Shpjegues, të Kullës së Shqipes dhe të Fjalorit të Termave të Informatikës. Gjatë kohës 2005-2007, ai udhëhoqi menaxhimin e lokalizimit të produkteve të Microsoft-it në gjuhën shqipe. Vitet 2007-2014 shënojnë vazhdimësinë e Vehbiut si zhvillues softueri dhe specialist i bazave të të dhënave në UNOPS, dhe udhëheqës i Divizionit të Zhvillimit të Softuerit në Agjencinë Kosovare të Pronës. Nga viti 2012, është ekspert i jashtëm për kualifikime profesionale në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve. Në 2014, ai filloi të punojë në kompaninë kanadeze FreeBalance, e cila për Qeverinë e Kosovës ofron Sistemin për Menaxhimin e Financave Publike. Në fushën e arsimit, Vehbiu si asistent mësimi në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës në vitet 2012-2016, ka mbajtur lëndët në fushën e Programimit dhe Strukturave të të Dhënave. Nga viti 2018, është ligjërues në Kolegjin UBT (Universiteti i Biznesit dhe i Teknologjisë) për lëndët e Programimit, Strukturave të të Dhënave, Bazave të Dhënave dhe Inxhinierisë Softuerike. Vehbiu është bashkëpërpilues i korpusit njëqindmilionsh të gjuhës shqipe, bashkëdizajnues i tagerit dhe i lematizuesit të gjuhës shqipe, si edhe i modelit kompjuterik të algoritmit për nxjerrjen e nyjës në gjuhën shqipe. Vehbi Neziri është autor i dy librave: “C++ Përmbledhje detyrash 1” dhe “C++ Përmbledhje detyrash 2”. Kontributi i tij në fushën e shkencës është i dukshëm, me më shumë se 20 punime shkencore të paraqitura në konferenca shkencore dhe të publikuara në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Është anëtar i institutit Alb-Shkenca që nga viti 2012 dhe mban pozitën e nënkryetarit të degës së Kosovës.[2] [3]

  1. ^ "Vehbi Neziri – Ueb sajt personal/Personal web site" (në anglisht). Marrë më 2024-11-06.
  2. ^ Mustafa Ibrahimi (red.) Instituti Alb-Shkenca ndër vite 2002-2023 (Monografi), fq. 81, ISBN 9789951518208
  3. ^ "Vehbi Neziri". scholar.google.com. Marrë më 2024-11-06.