Vera Bekteshi
Vera Bekteshi (1946) është shkrimtare shqiptare.
Vera Bekteshi u lind dhe u rrit në Tiranë në të ashtuquajturin Bllok të Udhëheqjes, si vajza e njërit prej ushtarakëve të lartë të asaj kohe, ish – drejtues komunist në Shkodër gjatë luftës, Sadik Bekteshi. Mbaroi më 1969 studimet në Degën e Fizikës të Universitetit të Tiranës, po këtu dha mësim si pedagoge deri në spastrimet e mëdha të Enver Hoxhës mbi ushtarakët e lartë në vitin 1974, në kuadrin e të ashtuquajturës Fshesë e Hekurt.
Në këtë kohë vjen divorci i imponuar dhe internimi, humbja e profesionit dhe e të drejtave më elementare, më pas arrestimi i babait dhe vuajtje pa fund. Për gati 16 vjet Vera jetoi e izoluar së bashku me familjen e saj në Kutalli e Vodëz të Beratit në kushtet e diskriminimit shoqëror dhe varfërisë ekstreme. Pas kthimit në Tiranë më 1991 punon përsëri në Institutin Hidrometereologjik. Më 1997 mbrojti doktoraturën, sot punon si specialiste në Fondin Shqiptar të Zhvillimit.