Veshka
Veshka, organ me disa funksione, luan rol themelor rregullues në shumicën e kafshëve, duke përfshirë vertebrorët dhe disa jovertebrorë. Veshkat janë të domosdoshme për funksionimin e sistemit urinar dhe kryejnë edhe funksione homeostatike të tilla si rregullimin e elektroliteve, dhe rregullimin e trysnisë së gjakut (përmes ruajtjes së drejtpeshimit kripë-ujë). Ato i shërbejnë trupit si një kullues natyror i gjakut, duke hequr mbeturinat të cilat shmangen në fshikëzën e urinës. Në prodhimin e urinës, veshkat nxjerrin mbeturina të tilla si ure dhe amoniak. Veshkat gjithashtu janë përgjegjëse për rithithjen e ujit, glukozës, dhe aminoacideve. Ato gjithashtu prodhojnë hormone, duke përfshirë kalçitriolin, reninën, dhe eritropoetinën. Sipas shkencëtarëve, rreth 1 litër gjak kalon afro 40 herë në ditë tek veshkat, që do të thotë se ato filtrojnë rreth 200 litra gjak.
Anatomia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vendndodhja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tek njerëzit, veshkat janë të vendosura në zgavrën abdominale. Ka dy veshka, nga një në çdo anë të shtyllës kurrizore. Asimetria në zgavrën e barkut e shkaktuar nga pozicioni i mëlçisë zakonisht bën që veshka e djathtë të jetë pak më poshtë se sa veshka e majtë. Sipër secilës veshkë gjendet gjëndra mbiveshkore përkatëse, majtas dhe djathtas. Pjesët e sipërme të veshkave janë të mbrojtura pjesërisht nga brinjët e njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta; në totalitetin e saj veshka dhe gjëndra mbiveshkore janë të rrethuara nga dy shtresa dhjami (rrethveshkore dhe paraveshkore). Veshka e çdo të rrituri peshon midis 125 dhe 170 gramë te meshkujt dhe midis 115 dhe 155 gramë te femrat. Veshka e majtë zakonisht është pak më e madhe se e djathta. Të dyja veshkat janë të lidhura me kanalin urinërrjedhës (ureteri), i cili çon në fshikëzën urinare, dhe në fund urina del jashtë përmes kanalit urinënxjerrës (uretra).
Struktura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Veshka ka një strukturë në formën e një fasuleje. Çdo veshkë ka sipërfaqe të lugët dhe të mysët. Sipërfaqja e lugët, gjiri (hilumi), është pika në të cilën hyn në veshkë arteria veshkore dhe dalin vena veshkore dhe ureteri. Veshka është e rrethuar nga inde të forta fibroze, kapsula veshkore, e cila në vetvete është e rrethuar nga një shtresë dhjami.
Veshka është përafërsisht 11-14 cm e gjatë, 6 cm e gjerë dhe 4 cm e trashë.
| Ky artikull është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |