Jump to content

Vinçenc Malaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Vinçenc Malaj (1 dhjetor 1928, Ljarje, Tivar - 4 shkurt 2000, Tuz) ka qenë albanolog, folklorist dhe prift shqiptar nga Mali i Zi.[1]

Vnçenc Malaj lindi në fshatin Larje të Krajës, Komuna e Tivarit, në Mal të Zi. Mësimet e para i bëri në vendlindje, shkollën e mesme të drejtimit klasik e kreu në Shkodër, pastaj në Split dhe në Pazin. Studioi për filozofi në Dubrovnik dhe teologji në Universitetin e Zagrebit dhe më pas në Universitetin "La Sapienza" të Romës, për letërsi italiane dhe botërore. Më 1973 mbrojti temën e doktoratës "Kuvendi i Arbërit (1703), që është vepra e tij kryesore shkencore. Ishte famullitar i Tuzit. Ka mbajtur ligjërata nga fusha e albanologjisë në Palermo, Romë, Shkodër, Tiranë, Zagreb, Cetinje, Prishtinë, Ulqin, Nju-Jork etj. U mor me studimin e ikonografisë së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut dhe botoi një sërë studimesh nga fusha të ndryshme të albanologjisë. Pas vdekjes u botua në Kozencë vëllimi i tregimeve popullore arbëreshe "Tregime popullore të Shën Katarinës Shqiptare," mbledhur dhe përkthyer italisht nga Viktor Malaj. Ishte themelues dhe kryetar nderi i Shoqatës Kulturore "Don Gjon Buzuku" në Ulqin dhe Tuz dhe profesor i lëndës historia e kristianizmit në Shkollën e Lartë Teologjike në Shkodër.[2] [3]

  1. ^ Kraja, Mehmet (red.). "Fjalori enciklopedik i Kosovës II L-ZH". botimpex.com. fq. 1028. Marrë më 2024-03-28.
  2. ^ "Át Vinçenc Malaj". sekretariaekustodies (në anglishte amerikane). Marrë më 2024-03-28.
  3. ^ "Botohen tregimet popullore arbëreshe të At Vinçenc Malaj - Diaspora Shqiptare". diasporashqiptare.al. 2021-02-21. Arkivuar nga origjinali më 28 mars 2024. Marrë më 2024-03-28.