Wikipedia:Artikulli i javës/2023/5
Ismail Kadare (28 janar 1936) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, akademik, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-1982) dhe zëvendëskryetar i Frontit Demokratik. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve çmimin "Man Booker International" në 2005-n, çmimin "Princi i Asturias" për Artet në 2009-n dhe çmimin "Jeruzalem" në 2015-n. E ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Disa akademikë janë përsiatur rreth përshkrimit që shkrimtari i ka bërë Shqipërisë në Perandorinë Osmane si të ndikuar nga prodhimi artistik orientalist i kohës së regjimit e përkufizojnë si eurocentrist, esencialist, fundamentalist dhe antimodernist.