Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2014/45
Hudhra (Allium sativum L.) është bimë barishtore njëvjeçare me kërcell e me gjethe si të preshit, që bën në tokë një kokë me thelpinj të bashkuar, ka erë të fortë e të djeg. Përdoret si ushqim ose si bimë mjekësore. Hudhra është një prej produkteve më të pasura me vitamina, karbohidrate dhe vitaminë C. Hudhra e thatë përmban rreth 58 përqind insulinë. Një kilogram hudhër jep 1300 kalori. Ajo është e pasur me kripëra të kalciumit, jodit dhe sulfurit Hudhra ka vlera të pakrahasueshme në uljen e kolesterolit në gjak. Nga studimet e bëra në SHBA, ku u eksperimentuan 45 burra, që kishin vlerë të lartë të kolesterinës, dhe që përdorën çdo ditë 6 thelbinj hudhre, u arrit se vlera e yndyrës në gjak u ul me 58 përqind. Lëngu i hudhrës jep një ndihmesë të madhe edhe në rikthimin e flokut të humbur. Pasi bëhet shtypja e mirë e hudhrës, me lëngun e përftuar bëhet masazh rreth 3 minuta në vendin ku ka rënë floku. Mbahet ashtu për 30 minuta dhe më pas koka lahet mirë, deri sa të largohet era e rëndë e hudhrës. Ky veprim bëhet një herë në javë deri në shfaqjen e rezultateve pozitive. Një tjetër studim ka treguar se njerëzit, që hanë hudhër çdo ditë, mund të jetojnë më gjatë. Studimi është bërë nga dietologë holandezë dhe tregon se këta njerëz mund të jetojnë 6 vjet më shumë se të tjerët, që s’e konsumojnë këtë produkt. Vlerat e hudhrës gjenden si në përdorimin e saj të njomë ashtu edhe të thatë. Efektet e saj janë të mrekullueshme, veçse duhet patur një kujdes të jashtëzakonshëm. Përdorimi i saj në mënyrë të gabuar dëmton rëndë shëndetin e personit të sëmurë. Vetitë e saj kuruese janë edhe më praktike, duke pasur parasysh se kjo bimë rritet gjerësisht dhe gjendet lehtë. Këshillohet që të vegjlit të mos e përdorin shume ose ngrënë hudhrën . Për ata që vuajnë nga hipertensioni, do t’u mjaftonte të hanin një thelb hudhre dhe shumë shpejt do ta ndiejnë sërish mirë veten. Por nuk rekomandohet që hudhra të përdoret nga njerëz, që e kanë tensionin e ulët, pasi do të keqësonin shëndetin e tyre. Ajo ndihmon edhe në qarkullimin në mënyrë të rregullt të gjakut. Mjekët rekomandojnë 2 thelbinj hudhre në ditë. Efekte pozitive ka dhënë përdorimi i hudhrës edhe në parandalimin e kancerit në stomak dhe në zorrën e trashë. Kanceri në zorrën e trashë është i përhapur te meshkujt dhe është vërtetuar se ata që kanë përdorur hudhra kanë pasur më pak mundësi për t’u prekur nga sëmundja. Këshillohet që çdo ditë të hahen 3 deri në 10 thelbinj hudhre. Për shkak të vetive të saj dezinfektuese, hudhra ka dhënë rezultate të shkëlqyera te të sëmurët, që vuajnë nga dhimbja e veshëve. Për këta njerëz rekomandohen disa pika nga lëngu i hudhrës në momentin e dhimbjeve. Shumë shpejt ky lëng do të jepte efekte të menjëhershme në qetësimin e veshit. Po kështu rezultate mjaft të mira ka dhënë në shërimin e gripit, kur ai është i shoqëruar me bllokim të hundëve apo dhimbje të grykëve. Një studim i kryer nga studiues amerikanë provoi se përbërësit e hudhrës mund të mbysnin 14 lloje të ndryshme bakteriesh dhe mund t’i shkatërrojnë ato. Shumë e dobishme është hudhra edhe për të sëmurët, që vuajnë nga astma dhe kolla. Përdorimi i saj ose lëngu që përftohet gjatë shtypjes, lehtëson rrugët e frymëmarrjes dhe qehtëson të sëmurin. Në Luftën e Dytë Botërore, lëngu i hudhrës ka ndihmuar në mjekimin e plagëve të rënda, të marra gjatë luftimit. Edhe sot ajo vazhdon të japë efekte të shkëlqyera në shërimin sa më të shpejtë të plagëve, duke zëvendësuar kështu edhe antibiotikët.