Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2021/34
Rexhep Qosja (25 qershor 1936, Vuthaj, Mal i Zi) është historian letërsie, kritik letrar, shkrimtar, publicist, politikan dhe akademik shqiptar. Është anëtar i rregullt dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe ka qenë i angazhuar në politikën kosovare të pasluftës.Është autor i disa romaneve të njohura. Qe një ndër zërat më të spikatur të dramës moderne shqipe gjatë viteve 1970. Më 2006 u inkuadrua në një debat për identitetin shqiptar me Ismail Kadarenë. Ka qenë një ndër intelektualët shqiptarë i cili ka ngritur zërin në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës. Në debatin e hapur në vitin 2018 mbi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ka mbrojtur tezën e shkëmbimit të territoreve.
U lind në Vuthaj, në krahinën e Malësisë asokohe nën Mbretërinë Jugosllave. Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa në 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 u specializua në shkencën e letërsisë, në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Në 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit me punimin "Asdreni, jeta dhe vepra e tij" në studimet e tij pasuniversitare në Universitetin e Beogradit.