Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2021/37
Alfabeti shqip është një variant i alfabetit latin i përdorur për të shkruar gjuhën shqipe. Përbëhet nga 36 shkronja, nga të cilat shtatë janë zanore dhe 29 janë bashkëtingëllore. Hera e parë që përmendet shkrimi shqip vjen nga dokumenti kishtar katolik i 1332, shkruar ose nga arqipeshkvi Guillaume Adam, ose nga murgu Brokard ku pasqyrohet Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris ("Arbërit vërtetë kanë një gjuhë tjetër prej latinëve. Megjithatë, ata përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre"). Ka studiues që interpretojnë se arbërit e kohës shkruanin edhe latinisht, jo medoemos gjuhën arbërore me shkronja latine.
Historia e alfabeteve të mëpasme të shqipes lidhet ngushtë me ndikimin fetar tek shqiptarët. Shkrimtarët nga viset veriore përdornin alfabetin latin nën ndikimin e Kishës Katolike; ata nga viset jugore në alfabetin grek nga ndikimi i Kishës Ortodokse; të tjerë me alfabetin arab nga ndikimi i Islamit. Përgjatë viteve 1750-1850 pati përpjekje për thurjen e një alfabeti origjinal shqiptar. Alfabeti i tanishëm është njëri nga dy variantet që u aprovua në Kongresin e Manastirit, mbajtur nga intelektualët shqiptarë.