Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/49/2012
Kongresi i Dibrës, i quajtur gjithashtu Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman u mbajt në 23-29 korrik 1909 në qytetin e Dibrës. Kongresi u sponsorizua nga qeveria osmane xhonturke nëpërmjet Komitetit Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim” me qëllim që të ndikonte me mjete paqësore te shqiptarët për një qëndrim sa më besnik të këtyre ndaj qeverisë osmane.
Megjithatë, një pjesë e mirë e patriotëve shqiptarë pjesëmarrës në kongres refuzuan kategorikisht që të nënshkruanin symbyllur rezolutën e propozuar nga komiteti, dhe krijuan një komision të përbashkët me xhonturqit, vendimet e të cilit, edhe pse ishin në thelb për besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë Otomane, përfshinë për herë të parë disa masa që lejonin që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare në Perandori dhe të mund të jepej mësim nëpër shkolla shtetërore.
Interpretimet e historianëve për vendimet dhe rëndësinë e Kongresit të Dibrës jane te dyfishta: nga njëra anë ato theksojnë pamjaftueshmërine e këtyre vendimeve për qëllimet e Lëvizjes Kombëtare dhe përftimet që pati qeveria xhonturke nga ato, nga ana tjetër pranohet rëndësia e këtij kongresi në bashkimin e shqiptarëve dhe në prodhimin e rezultateve konkrete në plan kombëtar brenda perandorisë.