Jump to content

Xhamia e Mustafë Pashës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Xhamia e Mustafa Pashës)
Xhamia e Mustafa Pashës

Xhamia e Mustafa Pashës paraqet një ndër monumentet më të bukura të arkitekturës fetare islameShkup. Me pamjen e saj impozante, kjo xhami radhitet ndër më të bukurat në Maqedoni. Vlera arkitektonike e saj shtohet edhe për shkak të pozitës së saj të jashtëzakonshme.

E vendosur në një lartësi përballë Kalasë së Shkupit, kjo xhami e dominon tërë hapësirën rreth saj. Në muzg, silueta e saj e jashtëzakonshme, e cila paraqet perfeksionim të qetësisë dhe elegancës, e pushton çdo kalimtar. Xhamia e Mustafë Pashës është ngritur në dekadën e fundit të shekullit XV nga ana e Mustafë Pashës, një personalitet i lartë në shtetin Osman në periudhën e sulltan Bajazitit II (1481-1512) dhe Selimit I (1512-1520). Në hyrje të xhamisë do ta hasni mbishkrimin i cili flet për kohën e ndërtimit të saj.

Ky mbishkrim është i rrëfyer në prozë dhe i shkruar në alfabetin arab. Tyrbja e Xhamisë së Mustafë Pashës gjendet në anën juglindore të saj. Ajo ka gjashtë kënde dhe është e llojit të tyrbeve të mbyllura me kupë. Nga ana e saj e jashtme tyrbja është e shtruar me mermer. Në brendinë e saj gjendet një sarkofag i cili anash është i dekoruar me relieve me motive bimësh. Në tërmetin e vitit 1963 kjo tyrbe përjeton dëmtime të cilat akoma janë evidente. Ka rënë edhe mbishkrimi i cili ka qenë i vendosur në hyrje të tyrbes. Ky mbishkrim i dëmtuar, sot ruhet në brendinë e objektit.