Zenun Gjocaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Zenun Gjocaj (1943, Gjocaj - 2013, Vushtrri) ka qenë aktivist, profesor universitar dhe gjuhëtar. [1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zenun Gjocaj lindi në fshatin Gjocaj, Komuna e Junikut. Shkollën fillore e kreu në Junik, shkollën e mesme në Pejë, ndërsa Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren. Në vitin shkollor 1963/64 u emërua mësues në Jasiq, në shkollën e sapohapur, ku ishte mësuesi i parë në këtë vatër të re arsimore. Studimet për gjuhë e letërsi shqipe i nisi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren e i mbaroi në Fakultetitn Filologjik në Prishtinë. Në vitin shkollor 1972/73 nisi punën në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan dhe u regjistrua në studimet pasuniversitare në Prishtinë, në Degën e Gjuhësisë, duke pasur mësimdhënës emrat më të shquar të albanistikës, siç ishin: Çabej, Domi, Kostallari, Demiraj etj. Në vitin shkollor 1976/77 filloi punën në Akademinë Pedagogjike në Prishtinë dhe magjistroi në temën “Gjuha e Luigj Gurakuqit dhe konceptet e tij gjuhësore stilistike”. Veprimtarinë arsimore në këtë institucion ia ndërpresin organet policore në pranverën e vitit 1981. Atë vit pas dy muajsh që mbahet në burg lirohet për mungesë provash. Ndërkaq, në vitin tjetër ia vunë sërish prangat dhe e dënuan me disa shokë si pjesëtar të Lëvizjes ilegale. Ishte ndër të burgosurit e rrallë me gradën shkencore magjistër i shkencave filologjike.

Me konstituimin e organeve të para komunale të pasluftës ai u caktua në detyra të rëndësishme, ku më 1999 ishte këshilltar pedagogjik në Drejtorinë e Arsimit në Vushtrri. Në zgjedhjet e lira të vitit 2000, në bazë të meritave dhe aftësive profesionale KK e zgjodhi drejtor të Drejtorisë komunale të Arsimit, detyrë që e kreu me profesionalizëm dhe me ndershmëri. Nga viti 2003 u angazhua si mësimdhënës në Fakultetin e Edukimit në rishtinë ndërsa në vitin 2007 mbrojti temën e doktoraturës me titull “Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe”.

Profesor Zenun Gjocaj ka shkruar dhe botuar artikuj të ndryshëm për gjuhën shqipe dhe disa artikuj për dëshmorët e UÇK-së. [2] [3]

Publikime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • "Vështrime letrare"
  • “Rilindjet e orës arbërore”,
  • "Gjuha e Luigj Gurakuqit dhe konceptet e tij gjuhësore e stilistike"
  • "Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe.
  • "Feniksët e lirisë - Dëshmorët e UÇK-së. (bashkautor)
  • "Vushtrria - Viciana me rrethinë (bashkautor)

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 558 - 559. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ https://www.radiokosovaelire.com/shkelzen-ukehaxhaj-zenun-gjocaj-1943-2013-mesimdhenes-i-burgosur-politik-veprimtar-dhe-shkrimtar-i-dalluar-2/
  3. ^ https://kk.rks-gov.net/vushtrri/news/nderroi-jete-veprimtari-i-ceshtjes-kombetare-zenun-gjocaj/