Adil Petani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Adil Petani lindi në korrik të vitit 1920 në një familje me ndjenja të shquara patriotike në Kallarat të rrethit të Vlorës. Me shumë vështirësi e mundime mundi të kryejë 5 klasë të shkollës fillore dhe në pamundësi për të vazhduar më tej filloi të merrej me punëra të ndryshme në dobi të familjes së tij. Më 7 prill 1939 së bashku me një grup bashkëfshatarësh të tij u nis pranë Autoriteteve Qeveritare Zogiste në Vlorë, për të kërkuar armë e për të luftuar kundër pushtuesve italianë, por më kotë sepse ata ishin shitur tek fashizmi. Kushtrimit të lëshuar nga Partia Komuniste Shqiptare8 nëntor 1941 për të luftuar kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit, Adili iu përgjigj menjëherë. Në atë kohë Adili ndodhej në Tiranë, ku rropatej rrugëve për të gjetur punë. Në këtë kohë ai u takua me të riun komunist, kallaratas Mumin Selami, dhe së bashku me të filloi aktivitetin revolucionar. Por shumë shpejt ata ranë në sy të spiunëve të fashizmit, ku Mumini u arrestua dhe u burgos, ndërsa Adili për ti shpëtuar ndukjes në mars të vitit 1942 u kthye në vendlindjen e tij. Me ardhjen në Kallarat, ai mori lidhje me militantin komunist Mustafa Matohitin dhe sipas udhëzimeve të tij iu përvesh punës për organizimin e luftës së armatosur kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit. Me formimin e Njësitit Gueril të fshatit Kallarat në gusht të vitit 1942, Adili u caktua përgjegjës politik i tij. Për vendosmërinë e treguar ndaj çështjes së atdheut e të popullit në qershor të vitit 1943 pranohet anëtar i Partisë Komuniste dhe me vendim të Komitetit Krahinor të Partisë për Kurveleshin, caktohet sekretar i Celulës së Partisë të fshatit Kallarat. Mbi të gjitha Adili ishte agjitator dhe propagandist i shquar i vijës së Partisë. Ai kudo ku takohej me masën e thjeshtë të popullit të krahinës, propagandonte luftën e popullit dhe demaskonte me rreptësinë më të madhe dallaveret dhe intrigat e pushtuesve e veglave të tyre. Interesante ishin debatet politike që zhvillonte me tradhtarët e kombit, krerët e Ballit si, Skënder Muçon, Hysni Lepenicën, Kundret Kokoshin, Xhemil Meçon e të tjerë. Ndërmjet të tjerash këta tradhtarë kërkuan të bëhej një mbledhje e gjithë popullit, ku të shpjegohej qëllimi i ardhjes së pushtuesve dhe qëndrimi që duhej mbajtur ndaj tij. Balli Kombëtar kërkoi që mbledhja fillimisht të bëhej me krerët dhe vendimet që do të merreshin t’i bëheshin të ditura popullit. Por Adili si përfaqësues i Partisë Komuniste nuk pranoi dhe kërkoi që asgjë të mos i fshihej popullit, sepse ai duhej ta thoshte fjalën e tij vetë. Populli e ka zgjedhur rrugën e luftës dhe do ta çojë atë deri në fund me fitoren e plotë ndaj pushtuesve- u shpreh Adili. Masa e fshatarëve pjesëmarrëse në këtë mbledhje u shpreh e vendosur për luftë të ashpër dhe pa kompromis kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit.

Në muajin tetor 1943, Adili sëmuret rëndë dhe me kujdesin e Memo Metos shkon për t’u kuruar në spitalin e Vlorës, por atje diktohet nga tradhtarët e Ballit Kombëtar, dhe niset për në Tiranë. Edhe atje spiunët dhe armiqtë nuk ju ndanë, ata u munduan ta arrestonin me çdo kusht, prandaj ai u detyrua të kalonte në krahinën e çliruar të Pezës, ku iu bashkua formacioneve partizane të asaj zone. Në mars të vitit 1944, bie në kontakt me repartet e Brigadës së Parë Sulmuese, e cila gjatë inkursionit të saj kaloi në krahinën e Pezës. Këtu Adili bëhet pjesë e reparteve të brigadës dhe në përbërje të saj në ditët në vazhdim mori pjesë në të gjitha luftimet e saj, ku u dallua për udhëheqje e trimëri dhe njëkohësisht u caktua në detyrën e komisarit të kompanisë. Në maj 1944 në një nga luftimet e aspra e të përgjakura që Brigada e Parë Sulmuese zhvilloi në afërsi të Gramshit, Adil Petani dha jetën e tij për çështjen më të madhe për lirinë e popullit.


Stub biografi.png Ky artikull në lidhje me Biografia është i cunguar. Mund të ndihmoni Wikipedinë duke e përmirësuar.