Jump to content

Adriatik Kallulli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Adriatik Kallulli (Bari, 28 gusht 1938 - Vienë, 24 dhjetor 2011) ka qenë kritik, studjues dhe profesor shqiptar.[1]

U diplomua në Fakultetin Histori - Filologji në vitin 1962 dhe në vijim të punës së tij shkencore në fushën e kritikës letrare dhe artistike mori titullin "Doktor i Shkencave Letrare" në vitin 1980, titullin "Docent" në vitin 1985, dhe titullin Profesor në vitin 1995.

Kallulli është një ndër themeluesit e Akademisë së Arteve. Ka qenë pedagog titullar në këtë Akademi prej vitit 1972 e në vazhdim. Gjatë gjithë këtyre viteve pa asnjë shkëputje, ka mbajtur leksione dhe ligjërata në një varg lëndësh themelore të formimit të përgjithshëm teorik, si Letërsi Shqiptare dhe Histori e Teatrit Shqiptar, Letërsi Botërore dhe Histori e Teatrit Botëror, Teori Drame dhe Njohuri për kritikën artistike, Estetikë dhe Histori e Qytetërimit si dhe ka drejtuar për më shumë se 15 vjet postin e Shefit të Katedrës së lëndëve teorike. Për tre mandate radhazi ka qenë anëtar i Senatit të Akademisë së Arteve dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Fakultetit të Artit Skenik.

Kallulli ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve që nga viti 1967. Veprat e tij përmbajnë studime dhe analiza për letërsinë shqiptare, për artin dramatik, për estetikën, si dhe për pikturën e skulpturën.

Ka kontribuar me përgatitjen e teksteve të Akademisë si: Historia e Teatrit Shqiptar, Historia e Teatrit Botëror, Elemente të Mjeshtërisë së Aktorit, etj.

  1. ^ Papagjoni, Josif (4 tetor 2015). "Adriatik Kallulli, shkrimet e një jete". Shqiptarja.com. Arkivuar nga origjinali më 5 tetor 2015. Marrë më 1 mars 2018.