Alan Turing

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Alan Turing

Alan Mathison Turing [ˈælən ˈmæθɪsən ˈtjʊəɹɪŋ] (23 qershor 1912Londër ; † 7 qershor 1954 në Wilmslow, Cheshire) ishte një matematikan, logjikant, dhe kriptograf britanik. Turingu pati shumë ndikim në zhvillimin e shkencës kompjuterike, duke formalizuar konceptet e "algoritmit" dhe "kompjutimit" me makinën Turing, e cila mund të konsiderohet model i kompjuterit me përdorim të përgjithshëm. Turingu konsiderohet gjerësisht të jetë babai i shkencave kompjuterike dhe inteligjencës artificiale.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Turingu punoi në Shkollën e Qeverisë për Kode dhe Shifra në Bleçli Parkë, qendra e Britanisë për thyerje të kodeve sekrete. Për një kohë ai ishte kreu i Hut 8, seksionit përgjegjës për kriptoanalizimin e komunikimeve të flotës detare gjermane. Ai hartoi një numër të teknikave për të thyer shifrat gjermane, duke përfshirë metodën bombe, një makinë elektromekanike që mund të gjente konfigurimet e makinës Enigma.

Turing formuloi versionin Turing të tezës Çurch-Turing, që thotë se çdo model kompjuterik ose është ekuivalent, ose një nënbashkësi e mundësive të një makine Turing. Me testin Turing, ai dha një kontribut te rëndësishëm (dhe deri diku ngacmues) në debatin mbi inteligjencën artificiale: nëse është e mundur që një makinë të jetë e ndërgjegjshme dhe të mendojë.

Pas luftës, ai punoi në Laboratorin Kombëtar të Fizikës, ku krijoi një nga dizajnët e para për programin e parë kompjuterik të ruajtur në memorie - Ace-in. Në vitin 1948 Turingu iu bashkua Laboratorit të Kompjutimit të Maks Njumanit në Universitetin e Mançesterit, ku ndihmoi në zhvillimin e kompjuterëve Mançester dhe fitoi interesim në biologjinë matematike. Ai shkroi një studim mbi bazën kimike të morfogjenezës, dhe parashikoi reaksionet kimike osiluese të tilla si reaksionet Belousov-Zhabotinsky, të cilat janë vëzhguar për herë të parë në vitet e 60-ta.

Homoseksualiteti i Turingut rezultoi në ndjekje penale në vitin 1952, kur aktet homoseksuale ishin ende të jashtëligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Ai pranoi trajtim me hormone femërore (tredhje kimike) si një alternativë ndaj burgut.

Turingu vdiq në vitin 1954, pak më shumë se dy javë para ditëlindjes së tij të 42-të, nga helmimi me cianid. Një hulumtim ka konstatuar se vdekja e tij ishte vetëvrasje; nëna e tij dhe disa të tjerë besonin se vdekja ishte aksidentale. Më 10 shtator 2009, pas një fushate në internet, kryeministri britanik Gordon Braun ka kërkuar ndjesë zyrtare publike në emër të qeverisë britanike për "mënyrën tmerrshme se si ai u trajtua". Që nga maji i vitit 2012 një projekt-ligj është përpara Dhomës së Lordëve i cili nëse miratohet do t'i jepte Turingut edhe falje ligjore pas vdekjes.


Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]

 Commons: Alan Turing – Mbledhja e fotografi dhe/apo video dhe material multimediale