Jump to content

Albert Mousset

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Albert Mousset – (1883-1975) ishte gazetar, letrar dhe historian francez.

Pasi kreu studimet në Shkollën Kombëtare të Dokumenteve (École Nationale des Chartes), pranë Universitetit të Parisit – Sorbonë dhe në Shkollën praktike të Studimeve të Epërme (École Pratique des Hautes Études) u diplomua (1908) si arkivist paleograf, si specialist për dokumentet e lashta historikë. Filloi punën në Bibliotekën e Ministrisë së Jashtme dhe më pas qe docent i Shkollës së Studimeve të Larta Hispanike dhe atashé i Ambasadës së Francës në Madrid. Pas Luftës I Botërore, në 1919 qe Drejtor i Agjensisë Telegrafike Shtetërore Franceze në Beograd ku pati rastin të njohë dhe të fillojë të interesohet për çështjet ballkanike. Ndërkaq i hyri karrierës së shkrimtarit dhe gazetarit dhe botoi mjaft libra, si dhe artikuj të shumtë në gazetat dhe revistat më të njohura franceze, duke u shquar si një na njohësit më të mirë të politikës europiane në gjysmën e parë të Shekullit XX. Ndër to përmenden veprat që ka botuar për Spanjën (1918, 1923, 1947), vendet ballkanike, sidomos per ish Jugosllavinë (1926, 1929), Rusinë (1945), per botën sllave dhe madhështinë e rënien së idesë sllave (1939, 1946). Për botimet e tij ka marrë tre çmime (1926, 1948, 1955) nga Akademia Franceze. Ndërkohë ka shkruar me dashuri për historikun e Parisit dhe ka përkthyer me mjeshtëri të rrallë disa vepra të letërsisë klasike ruse, sidomos “Idioti-n” e Dostojevskit. Ka qenë themeluesi dhe drejtor i parë i revistës “Affaires Etrangères” dhe anëtar i Akademisë Diplomatike Ndërkombëtare. Është komandor i Legjionit të Nderit dhe titullar i shumë dekoratave të tjera franceze dhe të huaja. Albert Mousset është njëkohësisht nga të parët gazetarë dhe historianë francezë të shekullit XX që ka shkruar për vendin tonë me objektivizëm dhe larg shabllonëve të diktuara nga qarqet shoviniste të fqinjëve tanë. Këtë e dëshmon më së miri vepra e tij “L’Albanie devant l’Europe” (1930) , perkthyer nga Asti Papa dhe botuar shqip në 2004 : “Shqipëria përballë Europës”.