Jump to content

Alexander Payne

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Alexander Payne në Festivalin e Filmit në Karlovy Vary, 2005

Constantine Alexander Payne, lexohet Aleksandër Pejn (Omaha, Nebraska, Sh.B.A., 10 shkurt 1961- ) është një regjisor i njohur amerikan fitues i çmimit Oskar, filmat e të cilit janë çmuar nga kritika. Payne vlerësohet për trajtimin humoristik por dhe empatizues të amerikanit të zakonshëm.[1][2][3][4]

Payne ështê biri i një babai me origjinë greke dhe gjermane pronar restoranti familjar (gjyshi i tij Nicholas Papadopoulos pati emigruar në Omaha në vitin 1913 dhe dy vjet më vonë ndyshoi mbiemrin në Payne[5]) dhe nëne me origjinë greke nga Alabama, mësuese e frëngjishtes dhe spanjishtes. Ai studioi për letërsi latinoamerikane në Universitetin e Stanfordit, pastaj mori një master në kinematografi prej Universitetit të Kalifornisë në Los Anxheles. Filmi 50-minutësh që bëri vitin 1996 për tezën e masterit, The Passion of Martin ("Pasioni i Martinit"), i dha mundësinë të nënshkruante kontratë si regjisor për kompaninë kinematografike Universal Studios.[6]

Në vitin 1996, nxjerr filmin e tij të parë komercial, Citizen Ruth ("Qytetarja Ruth") me aktoren Laura Dern, satirë mbi debatet mbi abortet në Amerikë. Filmi i tij i tre vjetëve më pas, Election ("Zgjedhjet"), një komedi mbi përpjekjen e dështuar të një mësuesi gjimnazi të sabotonte zgjedhjen e një studenteje ambicioze të egër, i dha kandidaturën e parë për çmim Oskar për skenar dhe popullaritet në qarqet profesionale. Filmi mbështetej në romanin me të njejtin titull të shkrimtarit amerikan Tom Perrotta.

Një pjesë e mirë e filmave të Payne-it ndodhin në shtetin e tij të Nebraskës.

Në vitin 2002, nxjerr filmin About Schmidt ("Mbi Shmidin"), mbështetur në romanin e shkrimtarit Louis Begley, me aktorin Jack Nicholson që luante personazhin e titullit të filmit, një pensionist kompanie sigurimesh nga Omaha i cili gjatë një udhëtimi me autobuzin-apartament të tij kuptoj se nuk arrin të kuptojë më gjërat që e rrethojnë. Në vitin 2004, përshkroi krizën e mesmoshës të dy shokëve me filmin Sideways (Anash), me Paul Giamattin në rolin kryesor, dhe filmi i mori "vlerësimet më të mira kritike deri atëherë" Payne-it.[2] Të dy këta filma fituan çmimin Golden Globe për skenarin më të mirë, dhe patën qenë kandidatë për Oskar në kategori të ndryshme.

Për tetë vjet, prodhimi i tij filmik ishte i ulët, ai u njoh si producent i një seriali me humor të zi në rrjetin televiziv amerikan HBO, por sidomos për një 6-minutësh në filmin Paris, je t'aime, një prodhim kolektiv ku 20 kineastë të njohur drejtonin një segment të tyrin për një pjesë që zgjidhnin të Parisit (përveç Payne-it, në të pati episode nga Oliver Assayas, Gerard Dépardieu, Christopher Doyle, apo Walter Sales). Segmenti i Payne-it--andrallat e një punonjëseje postash nga Koloradoja në lagjen (arrondissement) 14 të kryeqytetit francez, ku kishte ardhur si turiste për të praktikuar gjuhën që kishte mësuar bashkë me një klub shoqesh--e pati entuziazmuar kritikun filmik të revistës New Yorker si filmi më i mirë absolut i Payne-it.[7]

Në vitin 2012, ai fitoi çmimin Oscar për skenarin e filmit The Descendants ("Pasardhësit") me George Clooney, film që mori çmimin Golden Globe si filmi më i mirë dramatik.[8] Një vit më vonë nxjerr filmin bardhë e zi Nebraska, mbi rrugën e një të moshuari për të marrë paratë e një llotarie mashtruese, ndërsa në 2017-ën, filmin Downsizing ("Duke bërë shkurtime"), një komedi fantastiko-shkencore që zhvillohet në qytetin e tij të lindjes Omaha, me protagonist aktorin Matt Damon.

Payne ka qenë i martuar me aktoren kanadeze Sandra Oh nga viti 2003 në vitin 2006. Në vitin 2015 ai u martua me një linguiste greke të quajtur Maria Kondos, me të cilën ka një vajzë. Në shtator të vitit 2020, aktorja Rose McGowan, njëra prej personazheve kyçe të lëvizjes #MeToo kundër ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale në industrinë e spektaklit, e pati akuzuar Payne-in se e kishte manipuluar dhe abuzuar seksualisht në moshë të mitur.[9] Pak më vonë, Payne-i i mohoi krejtësisht akuzat e McGowanit.[10]

  1. ^ https://www.imdb.com/name/nm0668247/bio
  2. ^ a b https://www.britannica.com/biography/Alexander-Payne
  3. ^ https://www.rottentomatoes.com/celebrity/alexander_payne
  4. ^ https://www.notablebiographies.com/newsmakers2/2005-La-Pr/Payne-Alexander.html
  5. ^ https://www.nebraskalife.com/blog/post/nebraskan-director-alexander-payne
  6. ^ https://www.newyorker.com/magazine/2013/10/28/home-movies-4
  7. ^ https://www.newyorker.com/culture/richard-brody/what-to-stream-this-weekend-five-cinematic-worlds-in-twenty-two-minutes-or-less
  8. ^ https://www.omahamagazine.com/2018/02/13/302165/alexander-payne-s-homecoming
  9. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 22 tetor 2020. Marrë më 6 shkurt 2021. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  10. ^ https://deadline.com/2020/09/alexander-payne-denies-rose-mcgowan-underage-allegation-guest-column-1234570984/