Jump to content

Aristotel Spiro

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Aristotel Spiro
Fotoporteti
Emri Aristotel
Mbiemri Spiro
Lindur më 1963
Lindur në Finiq, Sarandë
Kombësia greke
Profesioni gjuhëtar

Aristotel Spiro (gr. Αριστοτέλης Σπύρου; Finiq, 1963) lindi në vitin 1963Sarandë, Shqipëri, është gjuhëtar, profesor, poet dhe përkthyes grek.

Aristotel Spiro u diplomua më 1986 në Institutin e Lartë Pedagogjik "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Nga 1986-1992 punoi si pedagog në të njëjtin fakultet. Njëkohësisht ndoqi leksione pasuniversitare në Universitetin e Tiranës (1987-1989).

Në vitet 1992-2008 ka jetuar kryesisht në Athinë. Pasi fitoi një bursë nga Fondacioni "Aleksandër S. Onassis", studioi dhe hartoi doktoratën me temë "Të folmet greke të krahinës së Delvinës dhe Sarandës", të cilën e mbrojti me sukses në degën e gjuhësisë të Fakultetit Filozofik pranë Universitetit të Athinës në vitin 2000.

Ka përkthyer letërsi greke në shqip.

Në vitet 2008-2016 ka punuar si lektor i gjuhës grekeUniversitetin e Tiranës, Shqipëri.

A. Spiro është themelues i Lidhjes Filologjike Shqiptaro-Greke (1997), si dhe botues dhe kryeredaktor i revistës ndërkombëtare të studimeve filologjike shqiptaro-greke Albanohellenica.


Kontribute në gjuhësi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kontributet gjuhësore të Aristotel Spiros përfshijnë disa disiplina gjuhësore, si morfologji historike dhe morfologji e sotme, dialektologji, politikë gjuhësore, grafematikë, teori e përkthimit, gjuhësi e përgjithshme.

Ai është shprehur për një pavarësi të dialektologjisë si shkencë gjuhësore duke propozuar një sistem të plotë terminologjik (dialektemë, lektemë, fonolektemë, morfolektemë, sintalektemë, semalektemë me objektet e tyre përkatëse të studimit: dialekt, lekt, fonolekt, morfolekt, sintalekt, semalekt). Duke studiuar lindjen dhe zhvillimin historik të nyjave në gjuhën shqipe, ai e ka shpjeguar krijimin e sistemit të këtyre nyjave nëpërmjet teorisë së proklizës binare të përemrave dëftorë në një periudhë të lashtë të kontakteve të shqipes me latinishten, në kohën e riorganizimit të sistemit emëror. Kur format e rasës emërore dolën nga përdorimi dhe në vend të tyre u përdorën format e kallëzores, për shkak të dobësimit të funksionalitetit gramatikor, u thirrën në ndihmë dy mjete: u shfrytëzua pozicioni i rasës gjinore për përcaktorët mbiemërorë, dhe përemrat dëftorë u përdorën për të theksuar caktueshmërinë. Të dyja këto përdorime ishin emfatike. Përemrat dëftorë, duke qenë në pozicion enklitik dhe të pashoqëruar ende nga treguesit deiktikë kë- ose a-, iu përngjitën temës së emrit paraprijës ndërsa kuptimi i tyre caktuesor u përgjithësua në kategorinë e re të shquarsisë. Ndryshe nga ç'kanë menduar Selman Riza, Besim Bokshi dhe Kolec Topalli, Aristotel Spiro mendon se protoshqipja nuk ka pasur nyja shquese dhe procesi i prapavendosjes së nyjave shquese është njëkohësisht edhe procesi i lindjes së tyre[1].

Ai ka kritikuar trajtimin e formave të pashtjelluara të gjuhës shqipe, duke hedhur poshtë emërtimin e tyre dhe duke i quajtur "forma joskajore" (anglisht non-finite forms). Ai njeh në thelb një formë joskajore, e cila në varësi të përdorimit sintaksor dhe të bashkëpërdorimit të fjalëve klitike gramatikore (parafjalë, nyja, numëror) i ndan në paskajore, pjesore dhe përcjellore.

Në sistemin emëror të shqipes ka mbrojtur tezën se shqipja standarde ka tri rasa: emërore, gjinore dhe kallëzore.

Në çështje të drejtshkrimit ai ka shkruar mjaft herë dhe ka argumentuar se parimi themelor i drejtshkrimit shqip është parimi fonologjik dhe jo parimi fonetik, ndërsa ka mohuar veprimin e parimit morfologjik në shqipe. Përveç kësaj, ka vërejtur se në drejtshkrimin shqip vepron parimi ndërsemiotik, i zbatueshëm tek fjalët e huazuara[2].

Në çështje të sistemit grafematik të shqipes, A. Spiro ka shprehur pikëpamjen se dyshkronjëshat nuk janë pjesë e alfabetit shqip dhe se ky alfabet duhet të përfaqësohet vetëm nëpërmjet grafemave të thjeshta. Nëntë kombinimet e grafemave (<dh>, <xh>, <zh>, <sh>, <nj>, <gj>, <rr>, <ll>) vijojnë të përdoren me të njëjtën vlerë përkatësie fonetike / fonematike, por nuk mund të quhen shkronja të veçanta.

Në çështje të standardit shqip, ai ka mbajtur qëndrim publik në të mirë të ruajtjes dhe modernizimit të tij.

  • Shqipja dhe greqishtja - Probleme të shqipfolësve gjatë mësimit të gjuhës greke - Athinë: Universiteti i Athinës, 2003, ISBN 960846854X
  • Të folmet greke të krahinës së Delvinës dhe Sarandës - Athinë: Universiteti i Athinës - Fondacioni Saripoleion, 2008, ISBN 9789605260132
  • "Shqip" Sprova gjuhësore dhe artikuj, Athinë: Alcaeus, 2010, ISBN 9789608982314
  • (ed.) "Dekodifikime dhe rikodifikime: aspekte të përshkrimit gjuhësor dhe komunikimit ndërkulturor", Albanohellenica Philological series. Athens: Albanian-Greek Association of Philology, 2012, ISBN 9789608982321
  • "Rrugëtime shqiptaro-greke" Studime dhe artikuj për gjuhën, kulturën dhe përkthimin, Tiranë: Onufri, 2016, ISBN 9789928226167
  • "Nyjat në gjuhën shqipe. Diakronia dhe sinkronia e një evolucioni tipologjik: prokliza binare dhe enkliza shquese", Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2021, ISBN 9789928339317
  • "Për një drejtshkrim shqip modern", Sprovë në diskutimin për drejtshkrimin. Tiranë: UETPress, 2022, ISBN 9789928388117


  • "Në festën erotike" - poezi, Athinë: Alcaeus, 2001, ISBN 960867803X
  • "Дневник от каменната епоха" ("Ditar i epokës së gurit") përkthyer në bullgarisht nga Tonka Georgieva - poezi, Athinë: Alcaeus, 2008, ISBN 9789608982307
  • "The Quest for Goodness" (poezi në anglisht përkthyer nga Arben Latifi), Cyberwit.net, 2019, ISBN-10 9389074835, ISBN-13 978-9389074833


Përkthime letrare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Kucohera, Leta. Visore rrjedhëse, poezi (Titulli i origjinalit: Τοπία ρέοντα). Elbasan: Onufri, 1994.
  • Λίγα τραγούδια για την τάξη (Disa këngë për në klasë) (botim dygjuhësh greqisht shqip në ndihmë të nxënësve shqiptarë në Greqi). Athinë: Universiteti i Athinës, 1998.
  • Fotiadhu - Balafuti, Jota. Me hënë të plotë ti u ngjize (Titulli i origjinalit: Πανσέληνος η σύλληψή σου). Athinë: Alcaeus, 2002.
  • Kavafis, Kostandin, Vepra poetike (Titulli i origjinalit: Άπαντα τα Ποιητικά), Tiranë: Pegi, 2010 (Përkthyer, pajisur me parathënie, shënime kritike dhe pasthënie nga Aristotel Spiro)
  • Euripidi, Elektra (Titulli i origjinalit: Ηλέκτρα), Tiranë: Onufri, 2014 (Përkthyer dhe pajisur me parathënie nga Aristotel Spiro). ISBN 978-9928-164-98-8.
  • Platoni, Apologjia e Sokratit (Titulli i origjinalit: Ἀπολογία Σωκράτους), Tiranë: Onufri, 2023. ISBN 978-9928-354-26-6.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Aristotel Spiro, Nyjat në gjuhën shqipe - Diakronia dhe sinkronia e një evolucioni tipologjik: prokliza binare dhe enkliza shquese, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2021
  2. ^ Aristotel Spiro, Për një drejtshkrim shqip modern, UETPRESS, Tiranë, 2022