Jump to content

Arsimi në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Harta e Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore

Arsimi në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore përjetoi një periudhë të rëndësishme të zhvillimit, veçanërisht pas vitit 1941. Pas bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në gusht të vitit 1941, u bë një përpjekje e madhe për të përmirësuar arsimin shqip dhe për të ulur shkallën e analfabetizmit.

Në këtë periudhë, shumë mësues shqiptarë nga Shqipëria u dërguan në Kosovë për të hapur shkolla dhe për të mësuar fëmijët në gjuhën shqipe. Kjo periudhë shpesh cilësohet si “Periudha e Artë” e arsimit shqip në Kosovë, për shkak të përpjekjeve të mëdha për të përmirësuar arsimin dhe për të zhdukur analfabetizmin.[1]

Në marrëveshjen e Vjenës të prillit 1941, Kosova u nda ndërmjet Italisë, Gjermanisë dhe Bullgarisë, me pjesën më të madhe të Kosovës që ra nën kontrollin italian. Kjo ndarje ndikoi në zhvillimin e arsimit, pasi rajonet nën kontrollin italian përjetuan një zhvillim më të madh të shkollave dhe arsimit shqip.

Gjatë vitit 1941, pas pushtimit italian të Shqipërisë, Qeveria e Tiranës ndërmori hapa të rëndësishëm për të krijuar një sistem arsimor unik kombëtar në "tokat e lirueme", të cilat përfshinin pjesën më të madhe të Kosovës dhe territore të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi. Ministri i Arsimit, Prof. Ernest Koliqi, mori përgjegjësinë personale për të dërguar 200 mësues dhe profesorë nga Shqipëria për të vendosur themelet e arsimit shqip në këto treva. Ai i besoi drejtimin e kësaj nisme intelektualit dhe pedagogut nga Gjirokastra, Ali Hashorva.[2] Në atë kohë, në Romë po diskutohej që gjuha sllave të ruhej në shkolla dhe administratë për të paktën 10 vjet, por me ndërhyrjen e Koliqit, ky plan i elitës fashiste u ndryshua, duke u hapur dhe mbështetur shkolla shqipe në Kosovë, prej të cilave dolën elitat e para të mësuesve dhe intelektualëve kosovarë.[3]

Në periudhën e viteve 1941-1942 u hapën 174 shkolla fillore dhe katër shkolla të mesme dhe profesionale në Kosovë, ndërsa një vit më pas numri i tyre u rrit pavarësisht kushteve të luftës. Me një dekret të posaçëm të Nënmbretërisë së Përgjithshme më 12 nëntor 1941, u shtuan shkolla të shumta, duke u dhënë mundësinë nxënësve shqiptarë nga shkollat e mbyllura në Jugosllavi dhe ata që vinin nga jashtë, të regjistroheshin në shkollat e Mbretërisë së Shqipërisë. Shkollat u mirëmbajtën me shpenzime shtetërore dhe Ministria e Arsimit u dha mësimdhënësve paga të përshtatshme për të përballuar nevojat e jashtëzakonshme. Në vitin shkollor 1943/44, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, punuan 11 shkolla të mesme dhe profesionale me 848 nxënës dhe 81 mësimdhënës.[4]

Në vitin 1943, në Kosovë dhe pjesët e kontrolluara nga shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi, u hapën 511 shkolla fillore shqiptare, me një numër prej 19,121 nxënësish të mësuar nga 487 mësues. Koliqi kontribuoi drejtpërdrejt në hapjen e Shkollës Normale të Prishtinës, Liceut në Prizren dhe Tetovë, Shkollës Normale në Gjakovë, Institutit Teknik Bujqësor dhe Gjimnazit në Pejë. Këto shkolla u bënë baza e arsimimit dhe formimit të brezave të rinj në Kosovë dhe trevat përreth.[5] [6]

  1. ^ https://filozofiku.uni-pr.edu/desk/inc/media/893D3E01-CCCC-4DCC-9863-B197203DEFC4.pdf
  2. ^ Rifati, Rexhep (2020-10-27). "Misioni i parë shkollor në Kosovë në krye me Ali Hashorvën (2)". Prointegra (në anglishte amerikane). Marrë më 2024-08-09.
  3. ^ "Historia e arsimit shqip në Kosovë, me theks të veçantë gjatë Luftës së Dytë Botërore - Votra Inc" (në anglisht). 2021-03-05. Marrë më 2024-08-09.
  4. ^ "Hapja e shkollave shqipe ne Kosove 75 vite me pare, mision i shenjte kombetar – Dielli | The Sun" (në anglishte amerikane). 2016-07-13. Marrë më 2024-08-09.
  5. ^ "Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1941-1945". Lajmet e fundit - Zëri (në anglisht). 2023-01-01. Marrë më 2024-08-09.
  6. ^ "Zani i Naltë – Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip" (në anglishte amerikane). Marrë më 2024-08-09.