Arsimi në Kosovë
Arsimi në Kosovë zhvillohet në institucione shoqërore dhe private. Mësimi në shkollat fillore në Kosovë mbahet në pesë gjuhë: në gjuhën shqipe, serbe, boshnjake, turke dhe kroate.
Institucionet shtetërore të arsimit në Kosovë qeverisen nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Është vështirë të vërtetohet me saktësi se kur u themeluan shkollat e para dhe se kur filloi të zhvillohet sistemi i arsimit në trevat shqiptare, por me rëndësi është se format e para të mësimit të organizuar në institucione arsimore shënohen qysh në kohën e Ilirisë së lashtë. Sistemi i arsimit në ilirinë e lashtë, përfshinte në procesin arsimor, disa grupmosha të fëmijve dhe të rriturve. Fillimisht në shekullin e V – I p.e.r. punonin shkollat gramatikore ilire, që përfshinin fëmijët prej moshës 7 – 11 vjeç, shkolla gjimnastikore (mësimi në palestër), që përfshinte fëmijët prej moshës 12 – 14 vjeç, pasta fëmijët nga mosha 15 – 17 vjeç shkonin në gjimnaze shtetërore, ndërkaq të rinjtë nga mosha 18 – 20 vjeç, shkonin në eufebet ilire dhe prej moshës 19 vjeçare e tutje, disa të rinjë, mbase ata më të talentuarit, vazhdonin studimet në institucionet ilire të arsimit të lartë. Si po shihet ilirët kishin një sistem të plotë dhe të zhvilluar të arsimit. Zhvillimi i sistemit të arsimit shënon një rënie të madhe në mesjetë (V – XV), ku kanë vepruar kryesisht shkollat fetare ortodokse dhe katolike shqiptare. Kah fundi i shekullit të XIV, shënohet një kthesë e madhe, me themelimin e Universitetit të Durrësit, që ishte universiteti i parë mesjetar në Ballkan.
Në shek. XVII dhe XVIII shënohet një zhvillim më i hovshëm edhe i shkollave islame, si: mejtepet, medreset, teqet, etj. ku flitej e mësohej edhe shqip, si rezultat i depërtimit të ideve iluministe evropiane në Perandorinë Osmane.[1] Në vitet e pushtimit osman mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në Stubëll të Kosovës, pastaj në Janjevë (Kosovë) (1665) etj.[2]
Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare edhe në Kosovë sikurse në trojet tjera shqiptare në Ballkan u zgjeruan përpjekjet për ngritjen e shkollave dhe arsimit. Pasi që më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë "Mësonjëtorja e parë shqipe" e cila me të drejtë konsiderohet si shkolla e parë kombëtare (laike) shqipe[3] edhe në Kosovë filluan të hapen shkolla të tilla. Kështu që edhe në Prizren, (Kosovë), më 1 maj të vitit 1889 u hap "Shkolla Shqipe e Djemve" nën drejtimin e mësuesit Mati Logoreci. Më vonë në këtë shkollë punoi edhe mësuesi tjetër Lazër Lumezi.[4] Në vitin 1892 në Prizren hapet edhe "Shkolla Shqipe e Vashave".
Pas tërheqjes së Turqisë, në asnjë sferë të jetës shoqërore, nuk ndryshoi gjë në të mirë të shqiptarëve. Regjimi hegjemonist i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene jo vetëm që nuk lejoi hapjen e shkollave dhe veprimtarinë botuese në gjuhën shqipe, por edhe e ndaloi përdorimin e saj në jetën publike. Në këtë periudhë gati e tërë popullata shqiptare ishte analfabete.[5]
Gjatë Luftës së Parë Botërore, territori i Kosovës u nda në dy zona pushtimi. Në zonën lindore e cila ishte nën pushtimin bullgar u ndalua rreptësisht hapja e shkollave shqipe. Në zonën perëndimore e cila ishte nën pushtimin e Austro-Hungarisë u lejuan shkollat shqipe dhe u arrit që në Gjakovë të mësonin 840 nxënës ndërsa në Pejë 700 nxënës. Një ndihmesë të veçantë për zhvillimin e arsimit dhe të shkollave në Kosovën e asaj periudhe dhanë mësuesit e përgatitur në Shkollën Normale të Elbasanit. Më 1917 u mbajt Kongresi i Arsimtarëve të Kosovës me qëllim të zgjerimit të rrjetit shkollor në Kosovë. Më pas u themelua edhe Lidhja Kulturore e Mësuesve të Kosovës, e cila u bashkua më Shoqatën Kulturore e Arsimore "Besa Kombëtare" me qendër në Gjakovë. Po më 1917 u hapën dy kurse për mësues, në Mitrovicë dhe në Pejë.
Me krijimin e Mbretërisë Jugosllave nisi fushata kundër arsimit shqiptar: u mbyllën 55 shkolla shqipe me rreth 4 mijë nxënës dhe 100 mësues, u ndalua deri ushtrimi i riteve fetare në gjuhën shqipe mirëpo gjuha shqipe vijoi të mësohej fshehurazi.
Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, pas shkatërrimit të Mbretërisë Jugosllave, gjendja e arsimit dhe të shkollave shqipe në Kosovë u kushtëzua nga ndarja e Kosovës në tri zona pushtimi. Në zonën italiane të pushtimit që përfshinte pjesën më të madhe të viseve shqiptare, shkuan vullnetarisht disa mësues nga Shqipëria, të cilët dhanë ndihmesë të vyer në luftën kundër analfabetizmit masiv. Në Pejë më 21 nëntor 1941 u hap gjimnazi dhe Shkolla Femërore e Punës, në Prishtinë u ngrit Shkolla Normale "Sami Frashëri" dhe nisën nga puna shkollat e Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës etj. Në vitin 1942 u hap i pari kurs pedagogjik në Prishtinë
Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Kosovën me një sistem arsimor relativisht të përhapur, me 278 shkolla fillore dhe 11 shkolla të mesme, madje më 26 tetor 1946 u rihap Shkolla Normale në gjuhën shqipe. Por nga ana tjetër, filloi menjëherë persekutimi i arsimtarëve shqiptarë me motive politike-ideologjike, duke i quajtur ata armiq, u dëbuan nga arsimi 714 mësues, një pjesë u burgosën dhe një pjesë u detyruan të largoheshin për në Turqi, filluan të ndaloheshin disa tekste në gjuhën shqipe dhe të përktheheshin të tjera nga gjuha serbo-kroate, etj.[6]
Marrë në tërësi, zhvillimin e arsimit në Kosovë prej Luftës së Dytë Botërore e deri më sot mund ta ndajmë në pesë etapa kryesore:
- Etepa e parë (1944 – 1966). Sistem arsimor socialist me përfshirje gjithë popullore për zhdukjen e analfabetizmit. Mësimi teorik me bazë ideologjinë komuniste. Forcimi i besimit në socializëm dhe vëllazërim – bashkim si rend politik e ekonomik Jugosllav. Në Kosovë orientimet programore të arsimit qonin deri në përfundimin e një shkolle të mesme gjimnaz apo normale dhe në vitin 1958 themelohet Shkolla e parë e Lartë Pedagogjike dhe më 1960 Fakulteti Filozofik në Prishtinë. Arritje tjetër e madhe gjatë kësaj etape ishte edhe fillimi i funksionimit (ndonëse me pengesa të natyrave të ndryshme) të asaj e cila më vonë do të njihet si Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.
- Etapa e dytë (1966 – 1980). Shënohet një demokratizim i sistemit të arsimit dhe konsolidimi i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet. Fillojnë punën edhe shkollat e mesme profesionale apo prodhuese, por nuk investohej në cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies ku 91% e buxhetit arsimor i dedikohej vetëm pagave. Pas vitit 1970 proceset arsimore marrin një hovë të lartë të zhvillimit, depolitizohet sistemi i arsimit në një masë të madhe, planprogramet arsimore zhvillohen nga ekspertët kosovar, arsimi merr një dimension të ri shoqëror dhe kombëtar në luftë për dije dhe liri nga okupimi serb. Arritjen më të madhe në këtë etapë e paraqet themelimi i Universitetit të Prishtinës.
- Etapa e tretë (1980 – 1991). Rikthimi i ndikimit të politikës në arsim, humbja e orientimit arsimor të institucioneve, ndjekja dhe përjashtimi nga puna i ekspertëve dhe mësimdhënësve, zbatimi i politikës antiarsimore dhe antinjerëzore të pushtetit serb. Fatkeqësisht shënohen zhvillime edukocidiale deri në ndalimin e arsimimit dhe dëbimin me dhunë të nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve nga institucionet arsimore.
- Etapa e katërt (1991 – 1999). Krijimi i sistemit të pavarur demokratik arsimor dhe ruajtjen e vazhdimësisë së punës së institucioneve arsimore dhe procesit arsimor nën okupim. Sistemi i arsimit vëhet në lëvizje të themelimit të shtetit të ri të Kosovës dhe pengimin e shpopullimit të Kosovës nga populli i saj. Zhvillimi i planprogrameve dhe botimi i teksteve mësimore të reja pa ndikime ideologjike dhe politike dhe me platëformë të arsimit kombëtar. Nuk është zhvilluar ndonjë filozofi e veçantë orientuese arsimore, por është shënuar një vullnet i paparë për punë i mësimdhënësve, në kushte të rënda të okupimit, në “Shtëpitë Shkollë”. Gjatë kësaj etape, sistemi arsimor në Kosovë përfshinte: 452 shkolla të plota fillore, 67 shkolla të mesme, 1 universitet me 14 fakultete dhe 7 shkolla të larta, me afro 400.000 nxënës e studentë dhe me 21.000 punëtorë të arsimit. Financimi i këtij sistemi bëhej nga puna vullnetare dhe ndihmat që i jepnin diaspora dhe popullata shqiptare, të cilët këtë sistem e shihnin si hapin e parë të pavarësisë së Kosovës.
- Etapa e pestë (1999 e deri sot). Reformimi i plotë i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare. Qëllimet arsimore në ndërtimin e aftësive mendore, shkathtësitë profesionale, kulturën qytetare dhe mirëqenien individuale e shoqërore të qytetarëve të Kosovës. Zbatimi i metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies dhe mësimnxënies, të bazuara në standarde dhe objektiva mësimore. Zgjerimi i sistemit të arsimit të obligueshëm për një klasë dhe organizimi i arsimit privat si alternativë dhe konkurrues në zhvillimin e arsimit në Kosovë. Si hap i parë i këtij sistemi merret themelimi i Departamentit të Arsimit dhe Shkencës (DASH), që përcillet me krijimin e infrastrukturës ligjore dhe profesionale, e cila duhet të letësojë reformimin rrënjësor të arsimit (sistemi 5 + 4 + 3 - 4 në arsimin e përgjithshëm dhe në atë profesional dhe Marrëveshja e Bolonjës në arsimin e lartë), si dhe me themelimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në mars të vitit 2002.[1]
Arsimi sot
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nga viti 1999 deri më 2006 nga buxheti i Kosovës janë riparuar 39 objekte shkollore dhe janë ndërtuar 28 objekte të reja. Sipas MASHT, llogaritet se Kosovës i nevojiten së paku edhe 30 objekte të reja dhe riparimi i shumë objekteve të tjera, gjendja e të cilave nuk u përshtatet normave për zhvillimin e procesit arsimor.
Mësuesit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Te arsimimi për minoritetet, numri i mësimdhënësve në raport me nxënësit është 1 me 14, derisa për shqiptarët e Kosovës është 1 me 21. Shikuar nga aspekti financiar, për nxënësit nga radhët e minoriteteve ndahen 25 % më shumë mjete.
Programet e trajnimeve profesionale janë kryer nga shumë agjenci ndërkombëtare dhe vendore. Në vitin 2006 janë trajnuar 70 % të mësimdhënësve. Përqindja e mësimdhënësve të trajnuar dallon prej një rajoni në tjetrin. Në Gjakovë, p.sh., janë trajnuar mbi 90 % të mësimdhënësve, ndërsa ka komuna ku kjo përqindje nuk arrin 50 %.
Sa u përket plan-programeve mësimore, për minoritetin turk dhe boshnjak plan-programet e gjuhës amtare, historisë, gjeografisë, artit figurativ dhe edukatës muzikore janë hartuar nga ekspertët e këtyre komuniteteve, kurse materia mësimore për lëndët e tjera është përkthyer, duke ua përshtatur specifikave të komuniteteve të cilave u dedikohet. Gjatë zhvillimit të procesit arsimor, për plan-programet që përdoren janë bërë konsultime edhe me ekspertët e pakicës ashkalike, rome dhe egjiptiane. Minoriteti goran është integruar më vonë, mirëpo edhe për nxënësit e këtij komuniteti tashmë janë hartuar plan-programet mësimore. Profesionistët e komunitetit serb nuk kanë pranuar të angazhohen nga Ministria.
Nxënësit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas ligjit, arsimi fillor dhe i mesëm në Kosovë është falas dhe financohet nga buxheti i Kosovës. Ligji për arsimin u garanton arsimim të barabartë të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Numri mesatar i nxënësve për klasë në shkollat e Kosovës është 35.[7]
Sipas statistikave të TASH-it, në vitin shkollor 2002/2003, nga numri i përgjithshëm prej 340,257 nxënësve të shkollës fillore, shkollën e kanë braktisur 5,682 apo 1.67 % (prej tyre 3,075 apo 54 % janë meshkuj, kurse 2,607 apo 46 % janë femra). Në vitin shkollor 2004/2005, nga 355,339 nxënës, shkollën e kanë braktisur 4,141 apo 1.17 % (1,932 apo 47 % meshkuj dhe 2,209 apo 53 % femra). Gjatë vitit shkollor 2002/2003, numri i nxënësve që e kanë braktisur shkollën e mesme është 1,554 apo 2.32 % (992 apo 64 % meshkuj dhe 562 apo 36 % femra), ndërsa në vitin shkollor 2004/2005, numri i nxënësve të shkollave të mesme që e kanë braktisur shkollën është 1,428 apo 2.07 %, (982 apo 67 % meshkuj dhe 446 apo 33 % femra).[8]
Në vitin 2004 MASHT-i, në bashkëpunim me Shërbimin Katolik të Ndihmave (CRS) dhe Shoqatën e Prindërve dhe të Arsimtarëve, kanë krijuar projektin “Parandalimi i braktisjes së shkollës nga vajzat”.[8]
Sistemi i arsimit në Kosovë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sistemi aktual i arsimit në Kosovë ngërthen në vete këto nivele të arsimit:
- Arsimi parashkollor - parafillor i cili përfshin tri nivele :
- Çerdhja (për fëmijët e moshës 1-2 vjeçare),
- Kopshti (për fëmijët e moshës 3-4 vjeçare) dhe
- Klasa parafillore (për fëmijët e moshës 5 vjeçare).[9]
- Arsimi fillor (pesëklasor) - shkalla 1 sipas ISCED, (kl. I - V) dhe përfshin fëmijët e moshës 6 - 11 vjeç.
- Arsimi i mesëm - ngërthen të rinjët nga mosha 11 - 18 vjeç, me dy nivele:
- Arsimi i mesëm i ulët (katërvjeçar), shkalla 2 sipas ISCED, (mosha 11 - 15 vjeç)
- Arsimi i mesëm i lartë (tre dhe katërvjeçar), shkalla 3 sipas ISCED, (mosha 15 - 18 vjeç)
- Arsimi universitar me tri nivele studimi:
- Shkalla e parë - Bachelor
- Shkalla e dytë - Master (MA) dhe
- Shkalla e tretë - Doktoraturë (Ph.D.)[10]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Arsimi
- Edukata
- Historia e arsimit
- Arsimi në Shqipëri
- Arsimi në Mal të Zi
- Arsimi në Maqedoni
- Arsimi dhe edukata tek ilirët
- Instituti Pedagogjik i Kosovës
- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës
Referime dhe shënime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Zhvillimi historik i sistemit të arsimit në Kosovë, 17.09.2014.[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur] Vizituar më 17.08.2016.
- ^ Fjalor enciklopedik shqiptar, (Vëllimi I), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 116-117.
- ^ Në rrethet profesionale e joprofesionale të historianëve të arsimit, ende vazhdojnë diskutimet nëse "Shkolla e Korçës e vitit 1887" është e para shkollë shqipe apo jo! Duke mos mohuar mësimin e gjuhës shqipe në shkolla të tjera edhe para datës 7 mars 1887, patjetër duhet ritheksuar se Mësonjëtorja e Korçës e 7 marsit 1887 vazhdon të mbetet e njohur me epitetin, "Shkolla e parë laike dhe kombëtare shqipe."
- ^ Kjo shkollë konsiderohet si shkolla e parë në gjuhën shqipe në Kosovë.
- ^ Islami, Dr. Hivzi, Dimensioni Demografik i Çështjes së Kosovës, EMM i Kosovës, Prishtinë 1997, faqe 159.
- ^ Fjalor enciklopedik shqiptar, (Vëllimi II), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 1307-1308.
- ^ Focus Kosova Arkivuar 27 shtator 2007 tek Wayback Machine (PDF)
- ^ a b Fokus Kosova Arkivuar 27 shtator 2007 tek Wayback Machine (PDF)
- ^ see-educoop.net Arkivuar 27 shtator 2007 tek Wayback Machine në rrjetin .net prill 2007
- ^ Për më gjërësisht shih në veprën e autorit, Hajrullah Koliqi: Sistemi i arsimit në Kosovë, Libri shkollor, Prishtinë, 2004.