Arsimi në Shqipëri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Arsimi në Shqipëri zhvillohet në institucione shoqërore dhe private. Mësimi në shkollat fillore në Shqipëri zhvillohet në gjuhën shqipe. Institucionet shtetërore të arsimit në Shqipëri qeverisen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS).

Historiku[redakto | redakto tekstin burimor]

Në trojet shqiptare prania e institucioneve arsimore dëshmohet që në periudhën antike e deri në kohën e principatave shqiptare në Mesjetë. Në vitet e pushtimit osman mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në StubëllKosovës, pastaj në Himarë (1627), KurbinKrujës (1632), Vuno e PalasHimarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (Kosovë) (1665), në Akademinë e ReVoskopojë e në Medresenë e BushatllinjëveShkodër, etj.[1]

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare çështja e arsimit dhe shkollës shqipe u vu në qendër të vëmendjes së rilindësve tanë. Për nevojat e shkollave shqipe u botuan një varg abetaresh si ajo e Naum Veqilharxhit (1844, 1845), e Konstandin Kristoforidhit (1867, 1868), e Daut Boriçit (1869), "Allfabetarja e Stambollit" (1879) etj. Një kontribut të rëndësishëm zhvillimit të arsimit dhe të shkollsë shqipe i dha edhe "Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip" e Stambollit në krye me Sami Frashërin.[2]

Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë "Mësonjëtorja e parë shqipe" e cila me të drejtë konsiderohet si shkolla e parë kombëtare (laike) shqipe[3]; ndërsa në Prizren, (Kosovë), u ngritën "Shkolla Shqipe e Djemve" (1889)[4] dhe "Shkolla Shqipe e Vashave" (1892). Nuk vonoi shumë dhe në Manastir u organizuan dy kongrese kombëtare (1908, 1910), ku u morën vendime të rëndësishme edhe për zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Në vitet 1908 - 1909 u hapën 15 shkolla shqipe. Më 1909 në Elbasan zhvilloi punimet Kongresi Kombëtar për Problemet e Arsimit e që njihet edhe me emrin Kongresi i Shkollave. Po në këtë vit u hap edhe Shkolla Normale e Elbasanit si i pari institucion i përgatitjes profesionale të mësuesve në Shqipëri.

Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 u krijuan kushtet për ngritjen e sistemit arsimor shtetëror edhe në Shqipëri dhe së shpejti u formua edhe Ministria e Arsimit në krye me Luigj Gurakuqin; gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare; u ngrit rrjeti shkollor në tërë vendin; u shtypën tekste shkollore. Gjatë Luftës së Parë Botërore u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit me qendër në Shkodër, me tri drejtori vartëse: Shkodër, Tiranë e Berat; u ngritën dy shkolla normale, Komisia Letrare Shqipe dhe një paketë tekstesh për shkollat fillore; u shtri veprimtaria arsimore edhe në Kosovë dhe trojet shqiptare në Mal të Zi. Nga ana tjetër në Krahinën Autonome të Korçës u hapën rreth 60 shkolla shqipe. Në periudhën 1920-24 u zhvilluan tre kongrese arsimore: në Lushnjë (1920, 1922) dhe në Tiranë (1924). Ngadalë u shtrua rruga për njësimin e shkollave shqipe, kombëtarizimin dhe laicizimin e tyre. Në periudhën 1920-1930 në Shqipëri u ngritën edhe një varg shkollash të tjera: Shkolla Teknike Shqiptare (1921), Instituti Femëror "Kyrias" (1925), Instituti Femëror "Nana Mbretneshë" (Tiranë) (1933), Gjimnazi "Illyricum" (1921), Gjimnazi i Shtetit (1922, Shkodër), Liceu Kombëtar (1921, Korçë), Gjimnazi i Gjirokastrës (1923), Shkolla Tregtare në Vlorë (1924), Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajës (1926) etj. Mes dy luftërave botërore, arsimi fillor u bë i detyrueshëm në Shqipëri (5 vjet në fshat dhe 6 vjet në qytet) ndërsa arsimi i mesëm u shtri në qytetet kryesore të vendit. Më 1933 u bë edhe shtetëzimi i shkollave private dhe të huaja. [2]

Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore arsimi shqiptar u shtri mbi baza kombëtare edhe në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish Mbretërinë Jugosllave.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri u bë Reforma Arsimore e vitit 1946 e cila përcaktoi kohzëgjatjen e arsimit të përgjithshëm në 11 vjet; arsimi fillor 4 vjet, arsimi unik 3 vjet dhe i mesmi 4 vjet. Arsimi fillor dhe ai unik u bënë të detyrueshme. Prej vitit 1963, arsimi i detyrueshëm u ngrit nga 7 në 8 vjeçar dhe arsimi i mesëm nga 11 në 12 vjet.

Arsimi në ditët tona[redakto | redakto tekstin burimor]

Republikën e Shqipërisë kanë të drejtë për arsim të gjithë shtetasit pavarësisht nga mosha, përkatësia gjinore apo etnike. Pakicave kombëtare u sigurohet e drejta e arsimimit në gjuhën amtare deri në mbarimin e shkollës 9 vjeçare. Qytetarëve të rritur u krijohen kushte të përshtatshme për marrjen e arsimit të mesëm e të lartë edhe pa shkëputje nga puna. Për t`u ardhur në ndihmë nxënësve, shteti organizon sistemin e bursave dhe të konvikteve. Fëmijët fillojnë arsimin e tyre kur mbushin moshën 6 vjeç, deri në ditën e fillimit të shkollës. Në vitin shkollor 2004/05 në Shqipëri çelën dyert 3350 shkolla publike (93%) dhe 244 jopublike (7%); nga këto: 1624 ishin kopshte (1539 publike + 85 jopublike) me 78.916 fëmijë dhe 3732 edukatore; 1529 shkolla 8 dhe 9 vjeçare (1438 publike + 91 jopublike) me 273.558 nxënës dhe 25.862 mësues; 441 shkolla të mesme (373 publike + 68 jopublike), ku 6337 mësues u dhanë mësim 43.895 nxënësve me kohë të plotë dhe 2260 me kohë të pjesshme.

Në vitin akademik 2004/05 në 15 institucionet e arsimit të lartë (universitete dhe shkolla të larta) në Republikën e Shqipërisë u regjistruan 63.257 studentë, nga të cilët 62.274 në arsimin e lartë publik dhe 983 në atë jopublik; me gjithësej 4144 pedagogë universitar (të brendshëm e të jashtëm). Po në këtë vit shkollor kishte 2200 studentë për 100.000 banorë. Pranë institucioneve të arsimit të lartë organizoheshin edhe studimet pasuniversitare, të cilat përfundonin me dhënien e gradës "Doktor Shkence" (Ph.D.). Në vitin 2003, Republika e Shqipërisë u pranua anëtare me të drejta të plota në "Kartën e Bolonjës".

Sistemi arsimor në Shqipëri[redakto | redakto tekstin burimor]

Sistemi arsimor në Republikën e Shqipërisë përfshinë keto nivele:

  1. arsimi parashkollor;
  2. arsimi fillor;
  3. arsimi i mesëm i ulët;
  4. arsimi i mesëm i lartë si dhe
  5. arsimi universitar


Shih edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]

Burime dhe shënime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Lidhur me historikun e arsimit dhe të shkollës shqipe, në Shqipëri dhe trojet tjera shqiptare, shih edhe veprën e autorit, Hajrullah Koliqi:Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar,"Universiteti i Prishtinës & Libri shkollor," Prishtinë, 2002.
  2. ^ a b Fjalor enciklopedik shqiptar, (Vëllimi I), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 116-117.
  3. ^ Në rrethet profesionale e joprofesionale të historianëve të arsimit, ende vazhdojnë diskutimet nëse "Shkolla e Korçës e vitit 1887" është e para shkollë shqipe apo jo! Duke mos mohuar mësimin e gjuhës shqipe në shkolla të tjera edhe para datës 7 mars 1887, patjetër duhet ritheksuar se Mësonjëtorja e Korçës e 7 marsit 1887 vazhdon të mbetet e njohur me epitetin, "Shkolla e parë laike dhe kombëtare shqipe."
  4. ^ Kjo shkollë konsiderohet si shkolla e parë në gjuhën shqipe në Kosovë.