Shko te përmbajtja

Kostandin Kristoforidhi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Ridrejtuar nga Konstandin Kristoforidhi)
Kostandin Ndelka/Nelko
Lindi22 maj 1827
Vdiq7 mars 1895
KombësiaShqiptar
ShkollimiGjimnazi "Zosimea", Janinë; Robert College, Stamboll; Kolegji Protestant, Maltë
ProfesioniPërkthyes, studiues i shqipes

Kostandin Ndelka,[1] i njohur ndryshe si Kostandin Kristoforidhi (Elbasan, 22 maj 1827 ose 1830 - 7 mars 1895) qe një gjuhëtar dhe përkthyes shqiptar. Me përkthimet e tij në përgjithësi dhe atë të Dhiatës së Re në veçanti ka dhënë ndihmesë vendimtare për themelimin e gjuhës letrare shqipe.

Kostandin Kristoforidhi lindi në qytetin e Elbasanit.[2] Burime të shumta tregojnë se ai ishte[1][3] i biri i tregtarit Anastas Ndelkas/Nelkos dhe Vasilijes së Josifit. Familja e tij përmendet për herë të parë në vitin 1723.[4] Në moshën14-vjeçare, ai mbaroi mësimet e shkollës greke të qytetit dhe i ati e dërgoi atë në gjimnazin "Zosimea"Janinës.[4]

Në Janinë u njoh me zv/konsullin austro-hungarez Hahn, i cili merrej me studimin e gjuhës shqipe.[5] Hahn e ndihmoi Kostandinin lidhur me Studimet Shqiptare të konsullit.[2] Vitet në vazhdim, Kristoforidhi u emërua mësues në shkollat greke të Tiranës, Elbasanit dhe Beratit. Në vitin 1853, prindërit e tij ndërrojnë jetë dhe Kostandini detyrohet të shesë gjithçka për tu vendosur në Durrës, ku dhe punoi te nuni i tij Mimi Xhufka. Udhëtoi në mbarë Shqipërinë për tregti dhe në fillimin e vitit 1857 e gjen veten në Izmir, ku me shumë gjasë u takua për herë të parë me misionarët protestantë amerikanë. Ai u rekrutua nga filologu dr. Rigzi.[6] "Shoqëria Biblike" porsa po interesohej për Shqipërinë dhe ishte në kërkim të një përkthyesi. Kristoforidhi e fitoi këtë vend pune dhe më pas u regjistrua. Më 1 mars ai ndoqi për katër muaj kurse në "Robert College" në Stamboll.[4] Më tej iu ofrua mundësia për të vijuar studimet në kolegjin e "Shoqërisë Biblike" në Maltë (fund korriku 1857-1860), ku përfundoi përkthimin e Dhjatës së Re në të dy dialektet e shqipes. Dorëshkrimet e tij u dërguan në Londër më 15 mars 1860, por nga Londra nuk erdhi ndonjë përgjigje inkurajuese.[5] U vendos në Tunis ku u martua dhe dha mësim në një shkollë greke nga 1861 deri më 1865.[2] Në fund të majit 1865 u kthye në Stamboll me përkthimin e përfunduar të Dhiatës së Re në gegnishte (gegërisht). Aleksandër Tomson i "Shoqërisë Biblike" e ndihmoi Kristoforidhin me redaktimin dhe i sugjeroi alfabetin latin me të cilin qe shkruar gegërishtja në Shkodër si traditë e autorëve të vjetër. Në nëntor të 1869 Kostandini u zgjodh anëtar i Komisionit për Alfabetin e Shqipes.[7] Ai qëndroi në Stamboll deri nga marsi i vitit 1870, ku ishte i angazhuar me përkthime të shumta si dhe me botimin e tyre. Më 1870 kreu një udhëtim të gjatë rreth e përqark Shqipërisë dhe vitet në vijim i kaloi midis Stambollit, Shqipërisë dhe Tunizit, ku jetonte familja e tij.[4]

Prej vitit 1874 deri më 1878 pati një ftohje në marrëdhëniet mes tij dhe "Shoqërisë Biblike".[5] Humbi vendin e punës dhe jetoi në mjerim sa në Shqipëri, sa në Tuniz. Me ndikimin e Aleksandër Tomson u bë e mundur që të vazhdonte punën me "Shoqërinë Biblike" duke përkthyer e botuar, kështu që u zhvendos në Stamboll së bashku me familjen e tij. Kristoforidhi u përpoq të ishte politikisht aktiv dhe me njohjet e tij në "Shoqërinë Biblike" t'i jepte zë kërkesave shqiptare për autonomi.[4]

Më 1884 u rikthye në Shqipëri dhe i ndërpreu marrëdhëniet me "Shoqërinë Biblike" njëherë e përgjithmonë.[8] U përpoq të hapte një shkollë shqipe në Tiranë, por qe e pamundur për shkak se autoritetet osmane nuk e lejonin këtë gjë prej ndodhive të pas-Lidhjes së Prizrenit. Më 1888 ai u kthye në Elbasan ku dhe punoi si gjyqtar, punë të cilën e ushtroi deri kur ndërroi jetë.[2][1] U varros mbrapa absidës kryesore të kishës së Shën Marisë.

Gjatë kohës kur punonte në Tunis u martua me Elenin,[2] e bija e një pasaniku grek,[9] dhe u bënë prindër të shtatë fëmijëve : Anastas, Poliksen, Anastasia, Kleopatra, Aleksandër, Stefan dhe Filip.[1]

  • Mernorandum për gjuhën shqipe (1857)
  • Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860)
  • Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve (përkthim: gegërisht 1866)
  • Psalmet (përkthim: toskërisht 1868, gegërisht 1869)
  • Dhjata e re (përkthim: gegërisht 1869, toskërisht 1879)
  • Të bërët dhe të dalët (përkthim: toskërisht 1880)
  • Nomi i dytë (përkthim: toskërisht 1882)
  • Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë (përkthim: toskërisht 1884)
  • Krijesa dhe të dalët (dorëshkrim: gegërisht)
  • Abetare (gegërisht 1867, toskërisht 1868)
  • Alfabeti i Stambollit - anëtar i komisionit (1870)

Në Maltë përpiloi dorëshkrimin Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta më 1860. I pajtuar prej "Shoqërisë Biblike", Biblës i përktheu "Besëlidhjen e Re", e cila u botua në Stamboll; "Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve" më 1866[5] në variantin gegnisht me shkronja latine dhe më 1879 në variantin toskërisht me shkronja greke. Gjithashtu përktheu dhe iu botuan libra të ndryshëm të "Besëlidhjes së Vjetër".[2] Mes dy botimeve përktheu dhe iu botuan "Psalmet" (1868 toskërisht "Psalltiri", 1869 gegërisht "Psalteri"),[8] "Alfavitarin" shqip[10] (gegnisht 1866 & 1872, toskërisht 1872). Më 1870 u botua "Historia e shenjtësë shkronjë/Istoria e shkronjësë shënjtëruarë" për djemtë, një përmbledhje e thjeshtuar dhe pjesë nga "Dhiata e Vjetër", e cila merr rëndësi për informacionin në gjuhën shqipe për Biblën si tekst, autorësinë, historikun e librave të Biblës dhe veprimtarinë e "Shoqërisë Biblike".[11] Nga duart e tij dolën disa përkthime dhe ai vetë, me trastën e librave në krahë, merrej me shitjen e përkthimeve dhe të abetareve të veta. "Të-bërëtë dhe të dalët" (toskërisht 1880), "Nomi i dytë" (toskërisht 1882), "Fjalët e urta të Solomonit" dhe "Vivla e Isaisë" (toskërisht 1884). "Systema diellore" dhe "Jetëshkronja e njerëzvet të ndriçim" shkruar në vitin 1885. Pas mbetën : dorëshkrimi "Kriesa", "Të dalët" (gegërisht), si edhe disa shkrime të tjera që akoma nuk janë gjetur.[12]

Gramatika, fjalori dhe proza

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1882 Kostandini botoi në Stamboll me licensë prej Ministrisë së Arsimit të Perandorisë Osmane një gramatikë shqipe në dialektin toskë (Grammatiki tis alvanikis glossis).[4] Pas vdekjes të së shoqes, dorëshkrimet, fjalori dhe çdo gjë që kishte lidhje me rilindasin mbetën te shtëpia e dhëndrit, Dhimitër Bibasë, i shoqi i Kleopatrës.[12]

Vepra themelore e Kristoforidhit, fryt i një pune njëzetvjeçare[13] është Fjalori i gjuhës shqipe me 11.675 leksema[14] i përpiluar në toskërishte me alfabet të mbështetur në shkronja greke dhe i botuar në vitin 1904 në Athinë,[2] e më vonë botuar në Tiranë më 1961.[4] Në të janë përjashtuar shumica e huazimeve, veçanërisht orientalizmat dhe greqizmat.

Kristoforidhi gjithashtu ka lënë tregimin e parë prozaik origjinal në gjuhën shqipe[14] e njëkohësisht tregimin e parë për fëmijë,[15] Gjahu i Malësorëvet (Hieja e Tomorrit) në të dy dialektet.

  1. 1 2 3 4 Nergjoni, Bardha (31 tetor 2011). "Dritë e re mbi Konstandin Kristoforidhin: letërkëmbimi i të birit hedh dritë mbi shtëpinë e lindjes dhe ku jetoi rilindasi i madh". Shekulli (3493): 20–21.
  2. 1 2 3 4 5 6 7 Elsie, Robert (2012). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). Bloomsbury Academic. fq. 257. ISBN 9781780764313.
  3. Ermenji, Abaz (prill 1950). "Kostandin Kristoforidhi punëtori i parë i gjuhës shqipe". ermenji.org. Arkivuar nga origjinali më 27 tetor 2021. Marrë më 8 mars 2021.
  4. 1 2 3 4 5 6 7 Bartl, Peter (1976). "Kristoforidhi, Konstandin". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). 2: 506–507.
  5. 1 2 3 4 Lloshi, Xhevat (26 shkurt 2016). "Enigmat dhe befasitë e Kristoforidhit në Maltë". telegraf.al. Marrë më 8 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. Hosaflook, David (2021). Lëvizja Protestante te shqiptarët, 1816–1908. ISSHP. fq. 151–158. ISBN 978-9928-4519-5-8.
  7. Lloshi, Xhevat (2008). Rreth alfabetit të shqipes: me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Shkup: Logos-A. fq. 14–15.
  8. 1 2 Lloshi, Xhevat (10 dhjetor 2015). "Psalmet shqip të Kristoforidhit për toskë e gegë". gazetadita.al. Arkivuar nga origjinali më 23 janar 2021. Marrë më 8 mars 2021.
  9. "Kristoforidhi, historia e një fjalori të gjuhës shqipe me 20 mijë fjalë". Shqiptarja.com. 2016 [1943]. Marrë më 8 mars 2021.{{cite news}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  10. "Abetar shqip (1872) - Konstandin Kristoforidhi". Forumi Shqiptar - Shqipopedia. Marrë më 2022-11-03.
  11. Bevapi, Kujtim. "Kristoforidhi sjell fjalën e Zotit në gjuhën e mëmës". arkivalajmeve.com. Arkivuar nga origjinali më 7 janar 2020. Marrë më 8 mars 2021.
  12. 1 2 "Kthejeni "babanë" e gjuhës shqipe në shtëpinë e tij". shekulli.com.al. 2 nëntor 2015. Arkivuar nga origjinali më 5 maj 2021. Marrë më 8 mars 2021.
  13. Cici, Foti (31 janar 2005). "Sfondi grek në ortodoksinë shqiptare". Koha jonë (28): 18–19.
  14. 1 2 Meksi, Aleksandër (7 maj 2006). "Një thesar dokumentesh zbulojnë Kristoforidhin". Gazeta shqiptare (3509): 25–27.
  15. Dedja, Bedri (1971). Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë. Tiranë: Naim Frashëri. fq. 60.