Zosimea
Zosimea në Janinë, ishte gjimnazi më i njohur gjatë Rilindje Kombëtare Shqiptare. Gjimnazi i Zosimeajve ishte gjashtëvjeçar. Në këtë gjimnaz greqishtja mësohej 12 orë, latnishtja 4 orë e gjysmë, ndërsa frëngjishtja 3 orë.[1]. Gjimazi i Zosimeajve njiheh si një shkollë klasike, në të cilën i kushtohej kujdes i veçantë retorikës, letërsisë së vjetër greke dhe romake.[2]
Duke folur për këtë institucion, profesor Jashar Rexhepagiq mes tjerave thotë edhe këtë: "Kristoforidhi, Vreto, Naimi, Samiu, Abdyli, Ismail Qemali, Anastas Byku dhe disa rilindës të tjerë kanë qenë nxënës dhe kanë kryer mësimet në Gjimnazin "Zosimea" në Janinë. Për këtë shkollë e cila kishte profesorë të ngritur, të aftë dhe një bibliotekë të pasur, po ashtu nuk kemi ndonjë studim të posaçëm monografik, gjë që është një zbraztësi e madhe për punën kërkimore shkencore."[3]
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Si datë zyrtare e themelimit të Shkollës së Mesme Gjimnaz “Zosimea“ në Janinë merret viti 1828.[4] Mirëpo sipas një shënimi në librin "Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës"[5] të autores Katherine E. Fleming, e cila i referohet punimit "Sistemi i miletit dhe kontributi i tij në zbehjen e identitetit kombëtar ortodoks në Shqipëri"[6] të Stavro Skendit, publikuar në kuadër të monografisë "Christians and Jews in the Ottoman Empire", në vitin 1982, në New York, nga "Holmes & Meier Publishers", nën redaktimin e Benjamin Braude dhe Bernard Lewis, “Gjimnazi është themeluar nga vëllezërit Zosimea në vitin 1769.”[7] Shkolla u quajt Zosimea për nder të vëllezërve Zosimea me shpenzimet financiare të të cilëve edhe u themelua dhe funksionoi për një periudhë të gjatë kohore.[4]
"Zosimea" ishte e pajisur edhe me një bibliotekë të pasur si dhe më një laborator të fizikës. Sipas pasqyrës së fondacionit të dhënë nga historiani i Janinës Aravantini, Kolegji "Zosimea" zotëronte një kapital prej 1.107.610 rubla në Bankën e Moskës, 143 800 monedha ari në atë të Vjenës, dhe 515.000 dhrahmi në Bankën e Athinës.[8]
Hapja e gjimnazit “ Zosimea “ në Janinë është edhe meritë e padiskutueshme e kohës së Ali Pashë Tepelenës dhe e qëndrimeve të tij. Fatkeqësisht askund më pare nuk është përmendur kjo vepër unikale e Vezirit të Janinës, e cila pati kontribute të veçanta për arsimimin dhe kulturën e banorëve të këtyre viseve, vend në të cilin u rritën dhe u arsimuan me dhjetëra pionierë të Rilindjes dhe Pavarsisë Shqiptare, por edhe të asaj greke. Kujtojmë vëllezërit Frashëri, Vretot, Qiriazi, etj. të cilët dolën nga dyert e kësaj shkolle.[9] Që në fillim të veprimtarisë së saj, institucioni edukativo – arsimor "Zosimea", ishte një shkollë jashtë arealit të Perandorisë Osmane. Kurikula e saj nuk i përgjigjej programit të ndonjë shkolle shabllon të zonës, apo të vetë perandorisë. Lëndët e mësimdhënies nuk u përgjigjeshin atyre që do duhej të përthithte një nxënës i asaj kohe për tu vënë më pas në shërbim të perandorisë. E para gjë, dhe më e rëndësishmja për rolin e vet iluminues, ka qënë diversioni prej gjithçkaje tjetër në atë kohë. E rëndësishme gjithashtu, ishte koha kur u ndërtua dhe u vu në funksionim, që përkon direkt me atë pas Revolucionit Francez. Edhe profili që zgjodhi shkolla të kishte, ishte ai i përcjelljes së këtyre ideve. Pra siq shihet, " Zosimea " ishte një shkollë e përparuar e nivelit europian.[4] Thanas Psalidha, ish mësues i drejtorit të atëhershëm Sakellario, ka qënë përjashtuar nga marrëdhëniet akademike, dhe në fund të jetës së vet shkon në Korfuz. Ndodhi kjo për shkak se idetë e tij ishin shumë përparimtare.
Në rrjedhë të Lëvizjes së Tanzimatit, "Zosimea" u bë gjithnjë e më e pëlqyer derisa në vitin 1860, ajo arriti nivelin e një instituti mësimor, i cili edhe sipas kritereve të Europës së përparuar, mund të quhej plotësisht i knaqshëm. Në atë shkollë mësuan, jo vetëm shqiptar ortodoks por edhe shumë mysliman. Ndërkohë që në shkollat qytetëse dhe të fshatit të ngritura më vonë nga grekët në Shqipërinë e jugut, predikoheshin idetë shoviniste dhe fanatike grekomadhe për institutin " Zosimea " duhet thënë, e kjo e nderon atë, se shqiptarët e mësuar këtu vërtetë sillnin me vete në shtëpi njëfar simpatie për Greqinë, por ata dilnin prej dyerve të saj si shqiptar me ndërgjegje të lartë kombëtare.[10] Falë gjimnazit të famshëm "Zosimea" i cili dallohej për cilësinë sipas standardeve moderne europiane,Janina, si kryeqendër e Vilajetit me të njëjtin emër,nuk mbeti vetëm qendër e një zone administrative por u bë edhe një qendër e rëndësishme arsimore e njohur në gjithë Perandorinë Osmane. Gjatë vizitës qëi bëri Aleksander Thomsoni, Gjimnazit "Zosimea" të Janinës, ai u njoftua edhe me planprogramet moderne shkollore gjë të cilën nuk e kishte gjetur as në shkollën hebreje, e cila kishte ngecur prapa në krahasim me shkollat në gjuhën greke.[11]
"Zosimea" si një gjimnaz i lidhur me historinë e Shqipërisë, është shkolla ku mësuan shumë nga rilindësit tanë të shquar. Asokohe ajo konsiderohej si njëra ndër shkollat më të mira për formimin e nxënësve me virtyte të larta, dije dhe kulturë.[8]
Edhe në shekullin e XX "Zosimea" vazhdon veprimtarinë dhe aktivitetin e saj të ngjeshur në drejtim të edukimit, arsimimit dhe përgatitjes së brezit të ri. Interesimi i të rinjëve për ti vijuar mësimet në këtë shkollë vazhdoi të rritet vazhdimisht. Në vitin 1918 për shkak të numrit të madh të nxënësve, në Janinë, krahas Gjimnazit "Zosimea", themelohet edhe një shkollë tjetër e lartë, ndërsa nga viti 1927 "Zosimea" fillon të quhet Shkollë e Lartë për Djem (eng: Boy`s High School). Nga viti 1932 fillon një periudhë e re për Shkollën e Lartë "Zosimea", kur stafit të saj pedagogjik e arsimor i bashkohet edhe një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve eminent të asaj kohe. Në këtë mënyrë, ky institucion edukativo –arsimor bëhet edhe qendër e aktiviteteve kulturore. Në vitin 1937 nga organet përkatëse shtëtërore i rikonfirmohet edhe njëhere epiteti i shkollës model mirëpo kësaj radhe si Shkollë e Lartë Model (eng: High School Model). Pas Luftës së Dytë Botërore, Shkolla e Lartë "Zosimea" vazhdon funksionin dhe misionin e saj. Kështu në vitin 1952 vendoset që për nevojat e Shkollës në fjalë të ndërtohet një objekt i ri dhe në nëntor të vitit 1955 përurohet ndërtesa e re e Shkollës së Lartë "Zosimea" në Janinë.[12]
Sot "Zosimea" është një shkollë që ndërtesën e vjetër historike e ka në mes të Janinës, dhe si për ironi të një fati akoma më ironik, gjendet tamam mbi rrugën e stacionit të autobusëve interurbanë, sapo dikush zbret pasi ka hipur në Kakavijë, Gjirokastër apo Tiranë. Nëse dikush do të kërkonte në katalogët e regjistrimit të asaj shkolle, do të gjente emra shqiptarësh të mëdhenj të asaj kohe.[12]
Vlerësime të ish nxënësve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sami Frashëri në enciklopedinë e tij me titull “Kamus al – alam” të botuar në Stamboll, këtë institucion edukativo – arsimor na e paraqet si “shkollë idadije e përsosur, speciale për grekët, e cila quhet Zosimea,” kurse ish nxënësi tjetër i kësaj shkolle, Jani Vreto lidhur me këtë Gjimnaz thotë:"Vetëm kur shkova në Gjimnazin "Zosimea" u njoha me historinë e Kastriotëve dhe të parëve tanë". Pikërishtë në bankat e kësaj shkollë Vreto e shkroi poemën "Istori e Skenderbeut". (Ka të dhëna të cilat flasin se si tekst mësimor në Gjimnazin "Zosimea" përdorej edhe “Historia e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut“ botuar në Moskë më 1812.) Nxënës tjetër i kësaj shkolle ishte edhe poeti Ali Asllani. Ai lidhur me shkollën në fjalë mes tjerash shkruan: “Të ndihmuar edhe nga mësimet ne na u ngjall një dëshirë aguridhe për një farë lirie patriotike sipas kohës.”[12]
Në librin me titull “Kujtime“ Ismail Qemali, duke evokuar vitet e tij të studimeve në Gjimnazin “Zosimea“ mes tjerash shkruan: “Duke qenë i pari mysliman në atë kohë, u bëra objekt i një vëmendjeje të vaçantë, jo vetëm për shokët e mi të shkollës por edhe nga profesorët. Ruaj kujtimin më të mire për këta mësues,dhe ndaj një mirënjohje të thellë për kujtimin e Omer Efendiut dhe të profesorit Cime që çdo ditë vinin për të më dhënë mësime private, njëri për arabishten e tjetri për frengjishtën… Drejtori i shkollës dhe profesorët e tjerë,me shumë mirësjellje, më lejuan të bëj provimet para kohës e më dhanë diplomë të rregullt si dhe nje certificate miresjellje. Kështu lashë gjimnazin pasi kisha përfunduar studimet e mia humanitare (greqishtën e vjetër dhe latinishtën), pasi kisha marrë njohuri të mira në shkencat fizike dhe matematikë. Në të vërtetë kisha aftësi të veçanta për matematikë. Kisha bërë ushtrime e që ishin çmuar shumë nga profesori im. Kur kujtoj vitet e rinisë sime e studimet e mia, bindem se ekziston njëfarë varësie ndërmjet mjediseve fillestare dhe fatit që ndjek secilin nga ne, megjithë se do të ishte e vështirë për të përcaktuar ligjin që sundon këtë lidhje. Kush mund të thotë nëse është mjedisi ai që formon fatin tonë, apo nëse mjedisi është krijuar si kusht për fatin tonë të ardhshëm. Që nga mosha më e njomë, mendja ime është ushqyer me analizën e kujtimeve për madhështinë e Francës. Llamba që ndriste djepin tim ishte mbajtur nga një statujë e Napoleonit të Madh, lodrat e mia ishin vizatime që paraqisnin veprat e mëdha të Napoleonit dhe besoj se pyetja ime e parë fëmijërore drejtuar babait tim ishte për të njohur domethënien e globit që Perandori i Madh mbante mbi kokë … Një fakt tjetër që ka lënë mbresë në mendjen time, sepse më preku në atë kohë, qe zbulimi gjate studimeve të zakonshme të mitologjisë antike, se përrallat e dados sime plakë, një myslimane, afroheshin pikë përpikë me mitet helene si skena ndërmjet Odises e Akilit në oborrin e mbretit Shiro, gjykimi i Paridit etj. Unë kisha qenë me shumë fat pasi kisha pas mësues letërsie e historie të Greqisë së vjetër, burra nga më të shkëlqyerit e kohës,që nuk interesoheshin vetëm të më mësonin në formë leksioni autorët klasik, por më bënin të jetoja në atë atmosferë lirie të botës së vjetër helene.”[8]
Nxënës të njohur
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Ali Asllani (28 nëntor, 1884 - 20 dhjetor, 1966)
- Abedin Dino (1843–1906)
- Anastas Byku (?-1878)
- Apostol Meksi
- Dhimitër Tutulani (1875–1937
- Elmaz Boçe(1852–1925)
- Eqrem Libohova
- Gjergj Suli
- Hasan Tahsin Pasha (1845–1918)
- Hasan Dosti(1895–1991)
- Hodo Sokoli (1836–1883)
- Isa Çipaj (1885-1910)
- Ismail Qemali(1844–1919)
- Ilia Dilo Sheperi
- Jani Vreto
- Kostandin Kristoforidhi (1826–1895)
- Manol Konomi[13]
- Mehmet Esad Pasha (1862–1952) [14]
- Myfit Libohova
- Naim Frashëri (1846–1900)
- Petro Poga
- Qazim Koculi, (1887–1943)
- Qazim Mulleti, (1893–1956)
- Sali Nivica (1890-1920)
- Sylejman Delvina
- Sami Frashëri (1850–1904)
- Turhan Përmeti
- Thoma Filipeu[15]
- Vangjel Koça
- Vangjel Zhapa
- Xhevat Kallajxhi
- Zihni Sako[16]
Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Dionis Qirzidhi: “ Zosimea “ gjimnazi, që “ prodhoi “ eposin shqiptar të diturisë. Albania press, 12 tetor 2007. Athinë.
- Dhimitër S. Shuteriqi. Naim Frashëri, 1982.
- Eqrem Vlora: Kujtime 1885 - 1925. Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë,2010.
- Fjalor Enciklopedik Shqiptar. ASHSH. Tiranë. 2008. ISBN 978-99956-10-32-6
- Flemming, Katherine E: The Muslim Bonaparte: Diplomacy and Orientalism in Ali Pasha's Greece, Princeton University Press, Princeton – New Jersey, 2014.
- Georgios K. Gatos. Istoria ton Yoaninion. Athina. 1965.
- Gëzim Bullaku: Gjimnazi Zosimea në Janinë dhe shqiptarët, 16.06.2016.
- Jashar Rexhepagiq: Tema të zgjedhura dhe bashkëkohore pedagogjike. Shtëpia Botuese Libri Shkollor, Prishtinë, 2002.
- Katherine E(lizabet) Flemming: Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës. Shtëpia Botuese Dituria, Tiranë, 2013.
- Memli Krasniqi: Shoqëria biblike britanike për të huajt dhe bektashizmi. Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2013.
- Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë,2011.
- Rexhep Qosja. Porosia e Madhe, Ndërmarrja Botuese "Rilindja", 1990.
Lidhje te jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Nusja greke e pavarësisë (Nxënësit shqiptarë të shkollës Zosimea)
- Gjimnazi Zosimea në Janinë dhe shqiptarët Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine http://www.kokaj.net Arkivuar 5 mars 2016 tek Wayback Machine 17.04.2016
Burimi i të dhënave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Dhimitër S. Shuteriqi. Naim Frashëri, 8 nëntor 1982, f.57.
- ^ Rexhep Qosja. Porosia e Madhe, Ndërmarrja Botuese "Rilindja", 1990, f.339.
- ^ Jashar Rexhepagiq: Tema të zgjedhura dhe bashkëkohore pedagogjike. Shtëpia Botuese Libri Shkollor, Prishtinë, 2002, fq. 430. ISBN 9951-413-00-5. ISBN 9951-07-053-1
- ^ a b c Baku, Pasho, red. (2011). "Shkolla Zosimea". Enciklopedia universale e ilustruar. Tiranë: Shtëpia Botuese Bacchus. fq. 1004.
- ^ The Muslim Bonaparte: Diplomacy & Orientalism in Ali Pasha's Greece
- ^ The Millet system and its contribution to the blurring of Orthodox National Identity in Albania
- ^ Katherine E(lizabet) Flemming: Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi nëGreqinë e Ali Pashës. Shtëpia Botuese Dituria, Tiranë, 2013, fq. 100. Shih edhe botimin në gjuhën angleze: Flemming, Katherine E: The Muslim Bonaparte: Diplomacy and Orientalism in Ali Pasha's Greece, Princeton University Press, Princeton – New Jersey, 2014, shënimi në faqen 65.
- ^ a b c Dionis Qirzidhi: “ Zosimea “ gjimnazi, që “ prodhoi “ eposin shqiptar të diturisë. Albania press, 12 tetor 2007. Athinë. fq. 31.
- ^ Georgios K. Gatos. Istoria ton Yoaninion. Athina. 1965. fq. 15
- ^ Eqrem Vlora: Kujtime 1885 - 1925. Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë,2010, fq. 156.
- ^ Memli Sh. Krasniqi: Shoqëria biblike britanike për të huajt dhe bektashizmi. Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2013, fq. 253 – 255.
- ^ a b c Gëzim Bullaku: Gjimnazi Zosimea në Janinë dhe shqiptarët Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine 16.06.2016
- ^ Fjalor Enciklopedik Shqiptar. ASHSH. Tiranë. 2008. fq. 1266. ISBN 978-99956-10-32-6
- ^ Shih për këtë faqen në gjuhën angleze.
- ^ Fjalor Enciklopedik Shqiptar. ASHSH. Tiranë. 2008. fq. 678. ISBN 978-99956-10-32-6
- ^ Fjalor Enciklopedik Shqiptar. ASHSH. Tiranë. 2008. fq. 2292. ISBN 978-99956-10-32-6