Shko te përmbajtja

Eqrem bej Libohova

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Ridrejtuar nga Eqrem Libohova)
Ekrem Libohova
Kryeministër
Në detyrë
18 janar  11 shkurt 1943
Paraprirë ngaMustafa Kruja
Pasuar ngaMaliq Bushati
Në detyrë
11 maj  10 shtator 1943
Paraprirë ngaMaliq Bushati
Pasuar ngaIbrahim Biçakçiu
Ministër i Punëve të Jashtme
Në detyrë
9 janar 1936  2 prill 1939
Paraprirë ngaFuat Asllani
Pasuar ngaMihal Sherko
Ministër sekretar shteti i Punëve të Brendshme
Në detyrë
18 janar  23 janar 1943
Paraprirë ngaMustafa Kruja
Pasuar ngaFiqri Dine
Ministër sekretar shteti i Partisë Fashiste
Në detyrë
11 maj  10 shtator 1943
Paraprirë ngaMaliq Bushati
Të dhëna vetjake
U lind më28 shkurt 1882
Janinë ose Gjirokastër, Perandoria Osmane
Vdiq më1948
Romë, Itali
Nënshtetësiashqiptar
Bashkëshortja/etFizilete hanëmi e Syrja bej Vlorës
FëmijëtBallkiz dhe Shenisha hanëmi
Punësimiushtarak, diplomat, politikan
Nënshkrimi

Mahmut Eqrem bej Libohova Asllan Pashali i njohur edhe thjesht Ekrem Libohova (Janinë[1] ose Gjirokastër,[2] 28 shkurt 1882 - Romë, 7 qershor 1948) ka qenë ushtarak, diplomat dhe Kryeministër i shtetit shqiptar gjatë periudhës 19 janar 1943 - 13 shkurt 1943.

U lind më 1882 në Gjirokastër[2] ose Janinë, i biri i Ali Neki pashë Libohovës dhe Behixhe hanëm Hamzës, çerkeze nga Tuapseja.[1][3] I ati kishte qenë nëpunës i administratës osmane ku ndër të tjera kishte shërbyer si mytesarif i Gjirokastrës,[4][5] dhe më pas anëtar i Këshillit të Shtetit dhe pinjoll i degës Libohova të oxhakut të Asllan Pashallinjve, e ëma ishte çerkeze nga Tupseja.[1] Mësimet e para i mori në qytetin e vendlindjes dhe më pas hyri te Zosimea. Vijoi shkollimin e mesëm në liceun Gallatasarajgjuhën frënge. Më 1904 kreu Akademinë Ushtarake në Bruksel,[2] nga doli nëntoger i kalorsisë dhe hyri në ushtrinë osmane, duke arritur të gradohet katër vjet më pas major në Regjimentin e Pestë të ushtrisë osmane.[6]

Në kuadrin e një varg reformash që Porta e Lartë po ndërmerrte në vitin 1909, Eqremi dërgohet në ishullin Tenedos (tr. Bozxhe) në ngushticën e Dardaneleve, në detyrën e myhtarit (krahinarit civil). Më 1910 u caktua mytesarif në Vlorë dhe së fundi, zëvendësvali dhe komandant brigade në Çamëri.[7] Me shpërthimin e Luftës Ballkanike, u caktua të mbronte viset e Çamërisë, që përbënin krahun e djathtë të vijës mbrojtëse të Janinës. Megjithëse Janina ra në duart e grekëve, Eqrem Beu ia doli të shpëtojë trupat e veta dhe të tërhiqej në viset shqiptare.[8]

Mori pjesë në dërgatën që shkoi në Neuwied për t'i ofruar kurorën e Shqipërisë Princ Vidit më 21 shkurt 1914.[9] Pas ardhjes së tij, Libohova shërbeu si aide-de-camp me gradën e majorit. Me kryengritjen e Shqipërisë së Mesme shoqëroi Vidin për në Gjermani ku u thirr si këshilltar ushtarak në Potsdam,[7] më tej më 1915 qëndroi në Napoli dhe nga ai vit e deri më 1918 u vendos në Korfuz.[2]

Nga 1921 e deri më 1925 drejtoi legatën shqiptare në Romë, kohë në të cilën ai negocioi për krijimin e Bankës Shqiptare, në negociata iu bashkua edhe i vëllai, Myfidi.[10] Nga 1926 e deri më 1929 vazhdoi prania e tij në Romë, por si atashe ushtarak. Më pas gjer më 1933 shërbeu si ministër i oborrit mbretëror të Mbretit Zog I;[2] më 1931 kur Zogut i bënë atentatin në Vjenë, Libohova ishte ndër shoqëruesit e eskortës mbretërore, dhe kur i kanë shtënë, e mbuloi me trup Zogun dhe nisi të shkëmbente zjarr me atentatorët e jetës së mbretit. Nga shkëmbimi i zjarrit u plagos në këmbë.[11]

Në vitet 1933-'36 u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Paris, më tej vijoi si ministër i Punëve të Jashtme deri me pushtimin italian të Shqipërisë. U largua nga Shqipëria gjer më 1941, kur u kthye dhe pas dorëheqjes së kabinetit Kruja u caktua dy herë që të formonte kabinetin e tij qeverisës.[2] Gjatë kabinetit të dytë të tij, më 12 shtator drejtoi për herë të fundit mbledhjen e qeverisë në kohën kur Italia fashiste kishte kapitulluar nga Lufta e Dytë Botërore, më pas u largua për në Itali.[12] Në fund të vitit 1944 u internua për dy vjet rresht nga Roma në një provincë të Leçes. Më 1947 u rivendos në Romë,[13] ku dhe ndërroi jetë në Romë, më 1948.[2][13]

  1. 1 2 3 Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 601. ISBN 99927-780-6-7.
  2. 1 2 3 4 5 6 7 Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 170. ISBN 9789994356225.
  3. Bilmez, Bülent; Clayer, Nathalie (2016). "A prosopographic study one some 'Albanian' deputies". The First Ottoman Experiment in Democracy (PDF) (në anglisht). Würzburg: Ergon Verlag in Kommission. fq. 164. ISBN 978-3-95650-191-3.
  4. Ermenji, Abas (1996). "Vendi që zë Skenderbeu në historinë e Shqipërisë". XX. Tiranë: Çabej. Arkivuar nga origjinali më 7 janar 2019. Marrë më 17 dhjetor 2018.
  5. Skëndi, Stavro (2015). The Albanian National Awakening (në anglisht). Princeton University Press. fq. 107. ISBN 9781400847761.
  6. Libohova, Ajet (2003). Breznitë Libohova në shekuj. Tiranë: Lumo Skëndo. fq. 86.
  7. 1 2 Vlora 2003, f. 357.
  8. Bartl, Peter (1979). "Libohova, Ekrem Bey". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). 3: 30.
  9. Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. fq. 274. ISBN 978-9928-190-91-8.
  10. Fisher, Bernd Jürgen (1984). King Zog and the Struggle for Stability in Albania (në anglisht). Boulder, Colorado: East European Monographs. fq. 89. ISBN 978-0-88033-051-0.
  11. Dervishi, Kastriot (2010). Plumba politikës. Tiranë: 55. fq. 225. ISBN 978-99943-56-43-0.
  12. Dervishi 2012, f. 28.
  13. 1 2 Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albanian History (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 272-273. ISBN 9780810873803.