Jump to content

Gjahu i Malësorëvet (Hieja e Tomorrit)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjahu i Malësorëvet (Hieja e Tomorrit) geg. Gjaja e Malësorëvet tregim i Kostandin Kristoforidhit. Sipas Bedri Dedjes është tregimi i parë i prozës shqipe për fëmijë.[1]

Kristoforidhi, në kuadër të tregimit, jep edhe etimologjinë popullore të Tomorrit, Tëmirit, duke bazuar më tutje kuptimin e Hijes në shqip me kuptimin Zot. Prej këtu shpjegohet titulli i dytë i tregimit : Hieja e Tomorit, që në interpretim do të dilte Zoti i Tomorit, apo edhe më tej Zot i Vendit.[2]

Tregimin e shkroi më 1884[3] dhe nuk mundi ta botonte sa ishte gjallë. Ky krijim artistik për herë të parë e pa dritën e botimit në revistën AlbaniaFaik Konicës, më 1902; më tej u botua në Elbasan (te gazeta “Tomorri” më 1910, te “Kopshti letrar” më 1918) dhe në Korçë, si libër më vete nga Peppo & Marko, më 1930.[4]

Në 1950 u botua në një vëllim të dy variantet, gegërisht dhe toskërisht me tekstin pranë e pranë, që bën të mundshëm një lexim më të afërt të të dy varianteve (që të behej afrimi sa me i madh i gjuhes shqipe).

Variantet e Tregimit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kristoforidhi edhe prozën e vet origjinale Gjahu i Malësorëve, Hieja e Tomorit e shkroi në gegërisht, toskërisht dhe në të folmen e Elbasanit. Kristoforidhi e shkroi më 1884, para më se njëqind vjetësh. Nga botimi i parë i variantit toskërisht, më 1902, nëpër ribotimet tjera që ka pasur në organe të ndryshme letrare, vetëm më 1950 u botuan në një vëllim të dy variantet, gegërisht dhe toskërisht me tekstin pranë e pranë, që bën të mundshëm një lexim më të afërt të dy varianteve. Në rrjedhën e kohës kjo u bë vepër shumë e popullarizuar, vecanërisht si lexim i përhershëm nëpër leximet shkollore; rëndom ajo u botua në fragmente dhe me interpretime të ndryshme. Pothuaj në të gjithë interpretimet që ka pasur kjp vepër deri tani, pika e shikimit është përqendruar në pasurinë e saj gjuhësore. Shqyrtimi i dy varianteve të tregimit, toskërisht dhe gegërisht jep mundësinë për mënyrën e ndërtimit të tregimit, mandej për leximin e domethënies së tij letrare, madje edhe ideologjike. Më në fund edhe vetë titulli i dyfishtë i tregimit: Gjahu i Malësorëve. Hieja e Tomorit mund të shpjegohet duke u mbështetur në tekstin integral të dy varianteve. Nëse amzës së tekstit mund të i përgjigjet titulli Gjahu i Malësorëve, që ka mbetur i njohur deri më sot, ndoshta pikërisht pse varianti toskërisht është botuar e njohur nga lexuesi e interpretuesi një gjysmë shekulli më herët se ai gegërisht, Hieja e Tomorrit , shpjegohet qartë vetëm pasi të lexohet teksti i variantit gegërisht.[5]

“Gjahi i malësorëve” është një prozë që përshkruan një ditë gjahu që bëjnë malësorët në malin e Tomorit. Në të nuk ka ngjarje, nuk ka konflikt, pra nuk ka edhe fabul të shquar.

Vendin kryesor aty e zë dialogu midis personazheve, ndërsa teksti (tregimtar ose përshkrues) midis dialogëve është i pakët, i rrudhur, i kursyer. Këto tekste përdoren për të treguar se ç’bëjnë personazhet ose paraqesin situata pamore e dëgjimore, të cilat e gjallërojnë atmosferën (ardhja e gjahtarëve në Kodrën e Kuqe, nisja e tyre për gjah, pushimi i shkurtër, kënga për Skënderbeun që ia marrin djemtë, zëri i bririt, ndërsimi i qenve, krismat e pushkëve etj.) Studiuesi Qosja vëren se Kristoforidhi në këtë prozë “e bën dialogun kryepersonazh, temë dhe motiv të kallëzimit për arsye se, sipas mendimit të tij, përmes dialogut më së miri mund të shquajë mundësitë e gjuhës popullore”.

Në tërësi proza “Gjahu i malësorëve” është një tregim simbolik. Kjo na bie në sy si në përmbajtje ashtu edhe në formë. Tregimi ka simbolikë jo vetëm temën, po edhe shumë përbërës të veçantë të strukturës së tij: vendin ku shkojnë për gjah malësorët (Mali i Tomorit), këngën që këndojnë gjahtarët (për Skënderbeun), emrat e gjahtarëve (Gegë, Toskë, Arbër), kafshët që gjuajnë (dhelpra); simbolik është bashkimi i Gegës, Toskës e Arbërit në gjuetinë e dhelprës, simbolikë janë edhe dialogët që shënojnë zërin popullor me poezinë e muzikën e gjuhës së tij, veprimin kolektiv etj. I gjithë tregimi ka një ngjyresë kombëtare dhe shpreh nevojën për bashkimin kundër dhunës, dinakërisë, kundër pushtuesit të huaj osman.

Autori ka përdorur e ka shfrytëzuar shumë frazeologjinë popullore në prozën e tij:”bëhi erë udhësë; të zëmë pshatinë me kohë; e goditi me plumb ije mb’ ije, bythë lisit “etj. Me këtë ka mundur të shmangë stërzgjatjen me fjalë të tepërta dhe, nga ana tjetër, ta çlirojë krijimin nga patosi e retorika, nga këto tendosje qëllimore, që do ta ulnin artistikisht krijimin.

Frazeologjia popullore i ka shtuar tregimit forcën kuptimore e simbolike, gjithashtu edhe forcën emocionale. Të gjitha këto vlera e bëjnë tregimin “Gjahu i malësorëve” një krijim antologjik, një prozë artistike që dëshmon më së miri aftësitë leksikore dhe mundësitë e mëdha estetike të gjuhës shqipe.

Ka mendime se tregimi i gjatë “Gjahu i malësorëve” nuk mund të quhet vepër që i përket letërsisë për fëmijë Agim Trenova [6],por është fakt se autori këtë vepër e ka shkruar për nxënësit e tij, kur punonte mësues në Elbasan, në vitet 1884-85.

Studiuesi Prof. Bedri Dedja thekson se “Ky është tregimi i parë i prozës shqipe për fëmijë. (…)”Gjahu i malësorëve” është një vepër karakteristike për fëmijë, si në pikëpamje të formës dhe stilit, ashtu edhe në pikëpamje të përmbajtjes”[7]

Sidoqoftë, “Gjahu i malësorëve” ka një shekull që është bërë pronë e leximit të fëmijëve dhe ka zënë vend në tekstet e leximit të shkollave tetë-nëntëvjeçare dhe është bërë një nga veprat më të njohura e më popullore për breza të tërë shkollarësh. Aq të pëlqyeshme për të vegjlit këtë krijim e bën në radhë të parë ndërtimi i tij, siç përmendëm, mbi bazën e një dialogu të gjallë. Nëpërmjet tij shtjellohet me dinamizëm gjahu që zhvillojnë malësorët. Onomatopetë që shoqërojnë dialogun ta krijojnë bukur e me psikologji fëminore atmosferën e gjahut:

“Ty, ty,ty! Ty, ty, ty! (bie trumbet’ e bririt). Ha, ha, ha! Ha, ha, ha! Ha, ha, ha! (ndërsejnë qentë). Kam kum, kam kum, kam kum! (lehin qentë). Taf tuf! Taf tuf! Taf tuf! (kërcasin pushkët). -Prite, o Mark! -Prite, o Gjergj! -prite, o Gjon! Taf tuf! Ha, ha, ha! Ty, ty, ty!…. ” [8].

Në përputhje me veçanësinë për fëmijë, përshkrimet, siç përmendëm, zënë pak vend në krahasim me dialogun. Gjuha është e thjeshtë dhe lodruese, subjekti shtjellohet thjeshtë dhe në vijë të drejtë. Nuk mungon edhe humori në përshkrimin e ndonjë egërsire. Qëllimi kryesor i autorit është përshkrimi i gjahut. Po në një plan me këtë del edhe ideja e dashurisë për atdheun, nëpërmjet figurës së malit të shenjtë Tomor. Gjithashtu lexuesve të vegjël u frymëzohet dashuri për figurën e shqiptarit trim, që mishërohet në personazhet Mark Shalëgjati dhe gjuetarëve të tjerë. Ja një pasazh nga zhvillimi i gjahut me arushën: “-Mos e vrisni, mos e vrisni! (thotë Gjergji), se po vete unë vete e po e zë të gjallë. -Mos, o Gjergj, se të kafshon me dhëmbë! -Pushoni ju, s’dini gjë: harusha nuk kafshon me dhëmbë, po të shtrëngon me të dy duart’ e para e të merr frymën; të pështyn në gojë e të lag e të bën qull; sjell edhe me gurë e të godit; po e sjell gur për së prapthi, jo për së mbari; ngjitet edhe në majë të drurit posi njeri, po nëpër ato dega që janë shul s’ecën dot; unë s’e kam frikë harushën kurrë (thotë Gjergji) edhe vete përmbi harushën e i fut një thikë në zemër dhe harusha bie pa frymë mbi dhet.” [9]

Por, në lidhje me realizimin e personazheve, duhet thënë se, përveç figurave të Markut dhe të Gjergjit, të tjerat mbeten vetëm si emra.

“Gjahu i malësorëve” ka deri në njëfarë shkalle edhe karakterin e një tregimi diturak.. Ai i njeh lexuesit e vegjël me gjahun e gjahtarët, sjell njohuri mbi shtazët e pyllit etj. Interesante janë portretet e këtyre kafshëve, të cilat Kristoforidhi i jep thjesht, shkurt e me mjeshtëri, me figuracion.


  1. ^ Dedja, Bedri (1971). Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë. Tiranë. fq. 60. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  2. ^ Hamiti, Sabri. Letërsia Romantike Shqiptare. Gjilan: Botime shkollore ALBAS. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Kodra Z., Hyrje e veprës Gjahu i Malësorëvet, Tiranë: Ndërmarrja e botimeve dhe shpërndarjes, 1950, fq. 3-4.
  4. ^ Mehani, Zymer. "TREGIMI "GJAHU I MALËSORËVE" I SHKRIMTARIT, KONSTANDIN KRISTOFORIDHI". Fjala. Marrë më 7 janar 2018. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Datë e përkthyer automatikisht (lidhja)
  5. ^ Hamiti, Sabri. Letërsia Romantike Shqiptare. Gjilan: Botime shkollore ALBAS.
  6. ^ Agim Trenova “Fjala e bukur e Kristoforidhit- DRITA, 10 mars 1985
  7. ^ ^ Dedja, Bedri (1971). Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë. Tiranë. p. 60.
  8. ^ Konstandin Kristoforidhi “Gjahu i malësorëve” (Hieja e Tomorrit), Tiranë, 1950, faqe 22
  9. ^ Konstandin Kristoforidhi “Gjahu i malësorëve” (Hieja e Tomorrit), Tiranë, 1950, faqe 23