Lazër Lumezi
| Lindi | 1870 |
|---|---|
| Vdiq | 1941 |
| Kombësia | shqiptar |
| Profesioni | mësues |
Lazër Lumezi (1870 -1941) ishte një shkollar dhe veprimtar i arsimit, mësues në Shkollën e Parë Shqipe në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, metodist i gjuhës shqipe, autor tekstesh shkollore, etnograf, folklorist e vjershëtor, bashkëkohanik dhe bashkëpunëtor i Mati Logorecit dhe vazhdues i veprës së tij.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Prizren ku edhe mbaroi shkollën fillore. Përveq gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët serbe, gjermane, turke e italiane. Dha kontribut të madh në përhapjen e alfabetit të Manastirit, çeljen e shkollës së parë shqipe në Zhur, formimin e shoqërisë "Besa-Besë", të Pejës, etj. U mor edhe me hulumtime në fushën etnografike si dhe në atë të folklorit dhe mbledhjes së këngëve popullore.
Lazër Lumezi ka merita të veçanta sidomos për veprimtarinë e arsimit dhe të shkollës shqipe në Prizren dhe rrethinën e tij. Në Mësonjëtoren e parë shqipe në Prizren punoi plot 40 vjet, (1892 - 1932). Mbajti mësim nga të gjitha lëndët.
Mësuesi dhe shkollari Lazër Lumezi, vuri në skenën teatrore pjesë teatrale në gjuhën shqipe më nxënësit e shkollës. Në këtë mënyrë u paraqit para publikut të qyteteve si Prizreni, Gjakova, Peja, Shkupi, etj. Gjurmoi mjaft emra të qendrave të vjetra ilire ashtu si edhe veshje të kostumeve popullore.
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Krahas punës mësimore, Lazër Lumezi u morr edhe me krijimtari letrare (poezi dhe prozë) si dhe me përkthime. Krijoi edhe vjersha me karakter didaktik për nevojat e mësimit. Shkroi disa vepra shkollore si:
- Abetari shqip
- Doracak për gjuhën shqipe e serbokroate
- Fletore e punës së Lazër Lumezit
- Mësime përdorue prej mësuesve nëpër shkolla fillore, në klasa të para dhe të dyta
- Mësime të përditshme për të dytën klasë
- Kanga gjithfarëshe - 1917
Citate
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Duke folur për punën e tij në arsim, shkollari Lazër Lumezi, mes tjerash thot:
" Për katërdhet vjet rresht kam punue në shkollë fillore të Prizrenit; në të cilën shkollë të tanë mësimet janë dhanë në gjuhën amtare. Ma të shumën e mësuesnis s`eme kam kaluem tuj punue me klasa të para. Për kah metodi qi kam ndjekun, më ka ndimue metodika e Profesor Z. Bettinit. Gadi krejt mësimet qi kam dhanun në klasat e para i kam pasë ruajtun."
Uku e berret
Nji ditë uku, ndaje heret,
Shkoj ke vathi ku janë berret,
Edhe u thot:-Qe besa e Zotit
S`ju nguc uku, jo mas sodit!
Mos prej meje m`u frigue,
Si miq kemi me jetue.
Te tanë berret fort u gzuen,
Fjalve t`ukut i besuen.
Vetëm qeni briti e tha:
Besën ujku kurr s`e mba
Ai mundohet me tradhtije
Juve t`gjithëve me ju zhbije.
Me fjalë t`mira u mashtron.
Rrini larg se ju kafshon![1]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Elsie, Robert. Historical Dictionary of Kosova. The Scarecrow Press, Inc. Lanham-Toronto-Plymouth, UK. 2011. ISBN 978-0-8108-7231-8
- Fjalor enciklopedik shqiptar, (Vëllimi II). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë. 2008
- Osmani, Shefik. Fjalor i pedagogjisë. 8 nëntori. Tiranë. 1983
- Shatri, Bajram. Arsimi fillor në Kosovë në shekullin XX (Sfida, dëshmi, fakte). Shtëpia Botuese Libri Shkollor. Prishtinë. 2006
- Vokrri, Abdullah. Shkollat dhe arsimi në Kosovë ndërmjet dy luftërave botërore (1918-1941). Rilindja. Prishtinë. 1990
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ Poezi e shkruar nga mësuesi Lazër Lumezi