Jump to content

Augeu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Augeu (greqisht: Ἀυγείας Latin: Augeas ose Augeias) - mbreti i Elidës, biri i zotit Heliu dhe i Hirminës, e bija e mbretit Nele.

Augeu nuk ka hyrë në mit (dhe nga ky edhe në proverb i cili jeton edhe sot) për shkak të pasurisë që e donte më së shumti, por për shkak të papastërtisë në shtallat e tij për të cilat aspak nuk kujdesej. Për t'i pastruar këto shtalla kërkonte fuqi mbinjerëzore. Pikërisht për këtë Herakliu, kreshniku më i madh i miteve greke, e merr detyrën për t'i pastruar. Urdhërin për këtë e merr prej Euristeut mbretit të Mikenës, te i cili Herakliu ka qenë i detyruar të shërbejë sipas urdhërit të Zeusit, zotit suprem. Ishte ky njëri prej dymbdhjetë kushteve që Herakliu sërish ta fitojë lirinë. Mirëpo, Herakliu në këtë punë ka dashur diçka edhe të fitojë, andaj si kompenzim kërkoi dhjetë për qind të kafshëve. Augeu pranoi këtë dhe Herakliu i përvishet punës. E shpie bagëtinë në livadh, gjithsej ,ka pasur rreth 3000 gjedhë, i gropon kanalet e lumenjve Alfeut dhe Pineut që ishin afër dhe lëshon ujin nëpër shtalla, i cili e çon tërë plehun, kurse në mbrëmje e kthen tufën e kafshëve. Ndërkaq, Augeu ishte tepër lakmues dhe në vend që t'ia paguajë kompenzimin, filloi të bëjë pazarllëk me Herakliun. Mirëpo, kur mësoi nga biseda se pastrimi i shtallave ka qenë në të vërtetë detyrë e Herakliut ia mohon çfarëdo të drejte për kompenzim dhe e largon me fyerje. Kjo i ka kushtuar shumë. Herakliu posa doli në liri pas kryerjes së detyrës, vjen me ushtri të madhe në Elidë, e pushton dhe e vret Augeun.

Ngadhënjimin e Herakliut mbi Augeun na e përkujtojnë jo vetëm shumë përmendore antike (p.sh. metopa në tempullin e Zeusit në Olimp nga mesi i shek. V. para e.s., skulpturat e ndërmarrjeve të Herakliut në Museo Capitolino (Muzeo Kapitolino) të Romës dhe shumë të tjera, dhe për piktura në vaza por edhe Lojërat Olimpike që i themelon Herakliu në shenjë të kësaj fitoreje.

Sipas versionit të dytë Lojërat Olimpike i themelon në kthim të argonautëve nga Kolhida me qëllim që trimat grekë të kenë mundësi për t'u takuar dhe të bëjnë gara në shkathtësi. Sipas miteve të tjera Lojërat Olimpike nuk i ka themeluar Herakliu, por trimi Pelops. Këto janë, ndër të tjera, vetëm verzione të ndryshme të tregimeve mitike. E vërteta është, ndërkaq, se lojërat Olimpike mbahen prej vitit 776 para e.s. (me ndërprerje prej njëmijë e pësqind vjetësh) deri më sot. Por poashtu është e vërtetë se edhe sot mund të ndeshemi me "Shtallat e Augeut".