Jump to content

Balto Stambolla

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Balto Stambolla (Shkodër, 22 maj 1891 - Peqin, 1942) ka qenë vrasësi i Luigj Gurakuqit dhe agjent i Zyrës Sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Qe gjithashtu i ati i kantautorit të muzikës së lehtë, Rudolf Stambolla.

U lind në Shkodër, i biri i Pjetër Stamollës dhe i Shiari Gjystinës. Sipas së përkohshmes "Taraboshi", i ati që ishte tregtar e kishte leçitur dhe e kishte shkruar në gazetë artikullin "Mos xen besë": Pjetër Stamolla tregtar në Shkodër, ban me dijtë që i biri i tij Ubalto, nuk ka ma kurrnji punë, as kurrnji lidhje me shpi të vet e me dugaje. Pra, çdo barrë që Ubaltoja mund të marrin nuk detyron tjetërkand veç atë vetë". Vëllai i viktimës së tij të ardhshme deklaroi për gjyqin hetues në Shkodër se Balto gjithmonë ishte marrë me vjedhje, duke përmendur një vjedhje të vitit 1917-'18.

Në vitin 1921 ishte dënuar një herë në Vlorë për djegien e shtëpisë të Epidam Kolekës në Vlorë.[1]

«[...] shêmbull klasik paturpësie cinike në gjyqet botnore—na difton sheshasit se diktatori i Romes desht me e krye vepren e diktatorit të Tiranes, të Zogut. Zogu nemosé e vrau Gurakuqin me kubure, me armen e barbarizmes e të padrejtësiës, Mussolini na e vrau me gjyqë... me armen e civilizimit e të drejtësiës! Nuk mjaftoj lirimi i plotë i kriminelt të poshtër; drejtesia italjane i intonon nji apologië sakrilege gjaksorit e ferfllon nji të fyeme trashamane mbî viktimen."»
I cilësuar nga Dom Lazër Shantoja, mik i Gurakuqit.[2]

Letra e Stamollës nga burgu

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
 :

“Kerkoj mbrojtje dergoni të holla ndermjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane. Pyetnij Çatin Saraçin ku asht...? "besa" ndihma!...

 :

Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie Bari.

 :

Shkelqësis Tij Ahmet Zogu, Tirana (Albania)

 :

Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova, (Gjakovë)

 :

Çatin Saraçit, Hotel de la Ville...”[3]

Në dosjen e vrasjes së Gurakuqit historiani K. Dervishi dëshmon se ndodhet një letër e shkruar mbi kartolinën e Baltos.[1]

Mbas pushtimit italian të Shqipërisë, me ardhjen kryeministër të Mustafa Krujës, iu kërkua qeverisë italiane që i dënuari për vrasje Balto Stambolla ta vazhdonte dënimin në Shqipëri. Autoritetet italiane ranë dakord dhe e sollën Stambollën në Durrës, prej ku, një makinë e policisë e ka dërguar në Fieri. Atje ka ndejë në një shtëpi ku ruhej nga tre-kater polic shqiptarë. Një ditë gjoja se deshtë me u arratisë, policët e kanë gjuejtë dhe i kanë shprazë një automatik me fishekë në bark. E kanë lanë disa orë pa e çue në spital, mbasi kështu kishte porositë Mustafa Kruja, që Baltjoni mos të vritej në çast, por të vuente nga dhimbjet e mënershme që shkakton arma kur shprazet në bark. Afro 2–3 ditë mbas gjuajtjeve Baltjoni ka vdekur nga infeksioni, tue vërritë nga dhimbjet.

Mustafa Kruja i ka treguar ngjarjen Kol Radovanit, se: “Ia bana kështu Baltjonit, se ia kishe kaq e gja borxh mikut tem Luigj Gurakuqit!”[3]

  1. ^ a b Dervishi K., Plumba Politikës - Historitë e përgjakjes së politikanëve shqiptarë, Tiranë: "55", 2010. fq. 77-92. ISBN 978-99943-56-43-0
  2. ^ Shantoja L., Vepra, përkujdesë prej Arben Markut. Shkodër: Botime Françeskane, 2006.
  3. ^ a b Radovani F., Ja vrasësit e atdhetarit Luigj Gurakuqi..!, Gazeta shqiptare. - Nr. 4888, 6 prill, 2010, f. 27.