Çatin Saraçi
Paskal Saraçi i njohur më shumë Çatin Saraçi (Shkodër, 1902 - Londër, 27 nëntor 1974) ka qenë diplomat dhe piktor ekspresionist shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Shkodër, në një familje tregtare, i biri i Gjokë dhe Kristiana Saraçi.[1] Shkollimin e mesëm e ndoqi përmes një burse austriake në kolegjin Theresianum në Vjenë, ku më 1917 u njoh dhe miqësua me Ahmet bej Zogollin.[2]
Vijoi në diplomacinë e shtetit shqiptar;[2] më 4 mars 1925, kur u vra Luigj Gurakuqi në Bari, ishte konsull i Shqipërisë në qytetin italian. Gjatë gjyqit të Tranit për vrasjen e politikanit shqiptar nga Balto Stamolla, Saraçi ishte larguar në një tjetër detyrë, ku u akuzua disa herë gjatë procesit.[3] Vijoi karrierën diplomatike, duke mos u graduar për shumë vite. Më 1929 ishte caktuar konsull i Shqipërisë në Vjenë, ku për një shkak të caktuar i tërhiqet vërejtje nga ministri i Jashtëm i kohës, Rauf Fico.
Më 1936, kur Saraçi shërbente në legatën shqiptare të Londrës, iu përmend emri në një çështje abuzive financiare, duke sjellë si pasojë zëvendësimin e tij me Dervish Dumën. Më 17 tetor 1936 u disponua largimi i tij nga Londra, ku zhvendoset si sekretar i parë i Ministrisë së Jashtme më 1937. Më 1938 u largua përfundimisht nga diplomacia me dekret mbretëror.[4]
Aktiviteti artistik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Po në vitin 1939 Saraçi u takua për herë të parë me Oscar Kokoschkan dhe filloi bashkëpunimi i tyre i gjate në fushën e pikturës. Kokoschka, u bë mik i ngushtë i Saraçit dhe influencoi punimet e këtij të fundit. Dy piktorët banuan përkohësisht në Scarsdale Studios që gjënden në Stratford Road (afër Kensington Road), thuajse ngjitur me Galerinë Pride. Gjatë kësaj periudhe ata punuan së bashku dhe lanë si dëshmi të miqësisë së tyre, mjaft pitura dhe vizatime të njëri-tjetrit. Emri i Saraçit në historinë e pikturës angleze figuron si ai i një përfaqësuesi të impresionizmit britanik dhe i një kolegu dhe miku të Oscar Kokoschkas. Ekspozitën e parë Saraçi e hap në “Redfern Gallery” në vitin 1945. Në vitet 1950-1960 ai hapi dhe dy ekspozita të tjera. Vdiq më 1974 në Londër ku në vitin 1975 në përkujtim të tij u hap një ekspozitë me 50 punime. Ekspozita e fundit dedikuar punimeve te Çatin Saraçit u hap në Londër, pranë “Pride Gallery” në vitin 1988. Gjatë karrierës së tij, Çatin Saraçi ka hapur rregullisht ekspozita personale në Londër, në Dublin dhe në Paris
Trashëgimia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjatë një udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara më 1933 për të negociuar konçensione nafte, u njoh dhe u miqësua me John Paul Getty, i cili do ta vizitonte më pas në Londër.[2] Pas një takimi me Tajar Zavalanin shtatorin e 1942, Zavalani e përshkruan:[4]
U takova me Çatin Saraçin. Kërkoi me insistim në telefon që të piqej me mua. Më tha se do të më komunikonte një telegram të Faikut. Unë kisha interes të merrja letrat që ka kundër Zogut. Prandaj shkoja. Në politikë dhe kur ke të luftosh me një njeri si Zogu, duhet të kesh shumë sende, që nuk t'i dhemb stomaku. Saraçi më bëri përshtypjen e një maliku të gdhendur dhe të limuar. Simpatik në të pame, i këndshëm në muhabet. Pikturoman. S'më duket se ka shumë talent. Entuziast për pikturën moderne. Adhuron Kokoshkën, i cili duket se me të vërtetë ka diçka në kokë dhe nën parimin e modernizmit ka mundur t'i japë shprehje origjinale ndjenjës estetike të pavdekur. Saraçi shfryu dufin e tij kundër (Zogut).
Elsie shkruan se ishte piktor me njëfarë fame, i bëri ekspozitë pikturave të veta në Londër më 1948 dhe ishte mik personal i piktorit Oskar Kokoshka, të cilin e ndihmoi në vitet e fundit të mërgimit britanik. Saraçi udhëtoi dendur në Evropë, ku jo vetëm u çmua si artist, por edhe si mjeshtër i savoir vivre.[2]
King Zog of the Albanians: The Inside Story
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në kujtimet e tij të papërfunduara King Zog of the Albanians: The Inside Story të shkruar rreth 1940, sulmoi Zogun dhe ekspozoi korrupsionin e tij, sipas Elsie.[2] Dorëshkrimi i kujtimeve mbeti në dosje gjer më 1995, deri sa pas krijimit të Centre for Albanian Studies, zonja Elisabeth Judd, gruaja e dytë e Saraçit, ia dorëzoi këtë dorëshkrim së bashku me sende të tjera, drejtorit të CAS, Bejtullah Destanit.[5] Libri u përkthye në gjuhën shqipe dhe u botua me titullin Zogu i shqiptarëve: një histori e jetuar, i cili u bë një ndër librat më të shitur në libraritë e Tiranës, përshkruan Zogun si "Malok, koprrac, 70 për qind analfabet, diktator, injorant, vrasës, hajdut, tradhtar…" në gati çdo faqe të librit.[6] Sipas Tanush Frashërit, historitë e jetuara e Saraçit, jo vetëm falsifikojnë të vërtetën, por është edhe një plagjiaturë e veprimtarisë si të Jak Koçit, ashtu si edhe të Kostandin Boshnjakut e Omer Nishanit.[5]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Paskal (Çatin) Saraçi". geni.com (në anglisht).
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b c d e Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 395. ISBN 9780810873803.
- ^ Dervishi, Kastriot (2010). Plumba politikës. Tiranë: 55. fq. 81, 84, 91. ISBN 978-99943-56-43-0.
- ^ a b Dervishi 2010, pp. 91-92.
- ^ a b Frashëri, Tanush (22–23 qershor 2013). "Falsifikimet në kujtimet e Çatin Saraçit për mbretin Zog". Mapo. 941: 24.
- ^ Delisula, Rezarta (14 nëntor 2006). "Luigj Gurakuqin e vrau Çatini: [fakte dhe histori të treguara nga Fritz Radovani. Kushëriri i rilindësit, i shkruan shefit të Oborrit Mbretëror]". Panorama. 1488: 16–17.