Brigada IX
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Brigada IX Sulmuese u formua në katundin Lozhan të Gorës, qarku i Korçës, më 16 tetor 1944. Komandant Irakli Bozo dhe Komisar Mihallaq Ziçishti.
Në përbërje të saj kjo brigadë kishte pesë batalione sulmues, të cilët kishin përvojë në artin e luftës. Në kohën kur u krijua brigada, shumë vende të Evropës Lindore po çliroheshin nga ushtria sovjetike, pra brigada IX i shtoi radhët e ushtrisë shqiptare, duke bërë të mundur çlirimin e vendit me forcat tërësisht vendase.
Kjo brigadë u krijua me qëllimin e shtimit të veprimeve ushtarake në zonën e Korçës. Detyra ishte të eliminonte autokolonat armike që lëviznin në aksin Janinë-Korçë-Manastir-Follorinë, Korçë-Pogradec-Tiranë, por detyra më e rëndësishme ishte çlirimi i qyteteve të Korçës, Ersekës dhe Bilishtit. Me marrjen e këtyre qyteteve armikut i priteshin rrugët e komunikacionit dhe paralizohej tërheqja e ushtrisë gjermane nga Greqia për në Jugosllavi nëpërmjet territori shqiptar. Urdhri për krijimin e brigadës u dha nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në përbërje të tij u caktuan batalione me përvojë në luftë kundër pushtuesve. Inaugurimi i brigadës u bë para efektivit të saj ku u rreshtuan të gjithë batalionet e saj.
Brigada kishte një armatim që dispononte e gjithë ushtria shqiptare në atë moment, ajo kishte armë të dhuruara nga populli, por edhe nga ndihmat aleate të hedhura me parashutë, si armë automatike, por që nuk plotësonin të gjithë numrin e pjesëtarëve të brigadës. Brigada ishte e pajisur me shërbim shëndetësor. Pranë shtabit të brigadës qëndronte një mjek dhe 2-3 infermiere vullnetare. Shtabi i brigadës ishte i përbërë nga Irakli Bozo, komandant ; Mihallaq Ziçishti, komisar ; Petro Papi ; zv/komisar ; Meleq Babani, përgjegjës rinie dhe Vangjel Marko intendent.
Pas ngritjes së Shtabit Operativ për çlirimin e Korçës, Brigada IX, që përbënte dhe një nga forcat kryesore pjesëmarrëse në operacion, kishte në përbërje të saj 1580 partizanë. E gjithë forca partizane në zonën e Korçës arrinte në 3000 veta, po të shtohen këtu edhe partizanët e Brigadës II me 1150, dhe brigada e XX-të me 430. Këtu mund të shtojmë edhe forcat guerile që vepronin brenda në qytete, si në Korçë dhe Bilisht, të cilat arrinin në rreth 1000 vetë.
Forcat armike që kontrollonin zonën e Korçës ishin më të pakta në numër, por të pajisura dhe mbështetura në tanke dhe artileri. Këto forca armike kishin nën kontroll vetëm rrugët kryesore dhe duhej të siguronin tërheqjen e forcave gjermane nga Greqia në Jugosllavi, e cila përbëhej nga Korparmata e 21. Në bazë të urdhrave të Shtabit të Operacionit, batalionet e brigadës morën të gjithë detyra të ndryshme në zona të ndryshme në bashkëpunim me batalionet e brigadave ndihmëse. Batalioni I u caktua të asgjësonte garnizonin e Kolonjës dhe Leskovikut. Batalioni i II-të duhej të kontrollonte disa prej katundeve që kishin pranë rrugën automobilistike Qafë e Qarrit-Korçë. Batalioni III duhet të sulmonte garnizonin e Bilishtit dhe të kontrollonte kufirin në zonën e Kapshticës. Batalioni IV në bashkëpunim me batalionin e I të brigadës së II duhej të sulmonte garnizonin e qytetit të Korçës dhe çlirimin përfundimtar të qytetit. Disa prej tyre edhe u diktuan në momentin kur dhe do të zinin pozicionet e luftimit, ata u goditën nga zjarri i artilerisë armike. Katër batalionet e brigadës u vendosën sipas urdhrit në pozicionet e caktuara. Të parët që u ndeshën me forcat armike ishin partizanët e batalionit I, të cilët mundën të futeshin thellë në linjat armike.
Nga Janina po tërhiqej një autokolonë e madhe me gjermanë, të cilët rrugës do të mblidhnin edhe disa nga garnizonet që kishin në Leskovik, Korçë dhe Bilisht. Kjo autokolonë u sulmua nga batalioni I i Brigadës IX në bashkëpunim me batalionin II të Brigadës II. Lufta ishte e ashpër, me sulme e kundërsulme, por falë errësirës, autokolona arriti të dalë nga rrethimi dhe të largohet në drejtim të Korçës.
Ky largim i gjermanëve lejoi që forcat partizane të futën në qytetet e Leskovikut dhe Ersekës. Në mesin e tetorit forcat partizane kishin nën kontroll të gjithë krahinën e Kolonjës, në dorë të tyre kishin rënë shumë materiale ushtarake të lëna nga armiku në ikje e sipër.
Të katër batalionet raportonin suksese në zonat ku ishin caktuar. Ato filluan sulmin kundër forcave gjermane që gjendeshin të pozicionuara jashtë Korçës, duke pasur sukses dhe duke shkaktuar panik midis armikut. Kjo bëri që ato të tërhiqeshin në mënyrë të çrregullt drejt Korçës. Batalioni i katërt tentoi me sukses edhe bllokimin e rrugës Korçë-Pogradec, kjo i detyroi forcat naziste të mos kishin asnjë komunikim me forcat jashtë, duke shuar edhe shpresën për ndonjë ndihmë të mundshme. Ky ishte një sukses në fushën e betejës për dy brigadat që organizuan sulmin. Sukses ishte edhe për komandën e brigadës, e cila kishte vetëm pak kohë që ishte krijuar.
Në bashkëpunim me Brigadën II, Brigada IX iu afrua lagjeve të jashtme të Korçës. Menjëherë mbi qytet filluan sulme të organizuar me qëllim shqetësimin e armikut. Duke e zgjatur vijën e luftës, partizanët po ngushtonin rrethimin e armikut. Të gjendur në dëshpërim gjermanët tentonin të tërhiqeshin prapa, andej nga kishin ardhur, nga kufiri grek. Forcat zbuluese partizane mundën të lokalizojnë saktësisht vendosjen e armikut dhe mënyrën se si mbroheshin. E gjithë kjo u arrit në bashkëpunim me forcat guerile që ndodheshin në qytet. U dha urdhër që rrethimi të ngushtohej edhe më shumë, forcat partizane intensifikuan sulmet, ato arritën deri në pazarin e qytetit, duke u ndeshur dhe trup me trup me gjermanët.
Kjo i detyroi gjermanët që ta përqendroni çarjen e rrethimit në një pikë, verilindjen. U përdorën të gjitha armët e mundshme, që nga artileria dhe autoblindat. Ata filluan të hidhnin në erë shumë pika strategjike të qytetit, por sidomos edhe depon e municioneve shpërthimi i së cilës shkaktoi një gjendje alarmi. Gjermanët kishin lënë vetëm një shteg për t'u tërhequr, shteg, i cili u bllokua menjëherë nga forcat partizane. Vetëm një pjesë e tyre mundi të shpëtojë dhe të largohet nga qyteti. Pjesa tjetër u vra ose u kap rob nga partizanët. Ky ishte edhe sulmi i fundit i partizanëve, të cilët mundët ta çlironin përfundimisht qytetin e Korçës. Mbetej të bëhej edhe çminimi i zonave të pashpërthyera, operacion që u krye në bashkëpunim me njësitet guerile të qytetit. I gjithë qëllimi i gjermanëve ishte të hidhej në erë qyteti i Korçës, që forcat naziste të kishin mundësi të largoheshin të pa shqetësuara.
Menjëherë forcat partizane dhe më saktësisht batalioni I i brigadës së IX dhe ai I i brigadës së II, u vunë në ndjekje të forcave armike. Forcat partizane iu drejtuan qytetit të Bilishtit, i cili mbahej akoma nga forca naziste. Qyteti u rrethua, por partizanët u gjendën përballë një sulmi të artilerisë armike. Pas shumë përpjekjesh partizanët i detyruan gjermanët të tërhiqeshin nga pozicionet e zjarrit dhe të strukeshin në kazermat e qytetit. I gjithë sulmi vazhdoi tërë natën e 25 tetorit duke i bërë gjermanët të tërhiqeshin drejt kufirit grek.
Edhe pse dolën nga kufiri shqiptar gjermanët u ndoqën dhe u sulmuan duke u shpartalluar përfundimisht. Partizanët e Brigadës IX u futën dhe ndihmuan popullin grek nga forcat gjermane, në katundet Drenovon. Operacionet për çlirimin e Korçës u kryen në një kohë të shpejtë. Kjo ishte rezultat i bashkëveprimit me batalionet e tjera të Brigadës II. Populli i Korçës iu rezervoi një pritje të madhe partizanëve kur këta u futën në qytet për nder të tyre u organizuan koncerte e festime. Populli i Korçës doli i gjithi nëpër rrugë dhe festoi me partizanët çlirimin e qytetit. Kori i qytetit për nder të kësaj ngjarjeje këndoi këngë patriotike, sidomos një këngë e cila ishte përgatitur posaçërisht për këtë ditë.
Por shfaqje të tilla gëzimi kishte edhe në qytetet e tjera si Bilishti dhe gjithë qarkun e Korçës, të cilat zgjatën tërë natën deri në mëngjes.
Menjëherë pas çlirimit të qarkut të Korçës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, dy nga batalionet e brigadës IX u vendosën në mbrojtje të qytetit të Korçës dhe dy të tjerë në mbrojtje të qytetit të Bilishtit. Detyrë ishte edhe mbrojtja e kufirit me Greqinë, e cila po mbante një qëndrim agresiv ndaj popullit shqiptar sidomos çamëve. Pas qetësimit të gjendjes forcat e Brigadës IX, që tashmë kishin hyrë në përbërje të Divizionit të IV, morën urdhër të largohen nga qarku i Korçës dhe të vendosen në Shqipërinë e Mesme në rajoni Krujë-Ishëm-Kavajë.