Jump to content

Dardania (Prishtinë)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Dardania, Prishtinë

Dardania është një lagje në qendër të Prishtinës, midis dy rrugëve kryesore: Bulevardi Bill Clinton (dikur Rruga Lenin) në veri dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit (dikur Rruga Maršal Tito) në juglindje. Zona kishte shtëpi private në vitin 1946, atëherë konsiderohej dhe si periferi e një Prishtine më të vogël dhe të zhvilluar organikisht. Transformimi i kësaj zone periferike në Dardani ishte një moment kyç në evolucionin urban të Prishtinës.[1]

Lagjia Dardania

Lagjja Dardania u shfaq për herë të parë në planin urban të vitit 1962, të zhvilluar nën udhëheqjen e arkitektit Bashkim Fehmiu, atëkohë kryetar i Entit për Planifikimin Urban në Prishtinë. Ky plan parashikonte krijimin e tri lagjeve të reja: Dardania, Bregu i Diellit dhe Ulpiana. Këto zona u konceptuan si modele të urbanizmit modernist, të karakterizuara nga planifikimi utilitar, funksionaliteti i lartë dhe me përbërje prej ndërtesave shumëkatëshe që arrinin deri në 15 kate—një arritje që reflektonte dhe aspektin e përparimeve teknologjike të kohës.[1]

Jakup Bunjaku, një gazetar për zhvillime urbane e infrastrukturore nga radhët e gazetës Rilindja, ceket si personi që e emërtoi lagjen "Dardana". Ai e lidhi emrin prototip me frutin e dardhës — meqë nga qielli i përngjante formës së saj — për ta shmangur lidhjen me territorin e dikurshëm të Dardanisë, sepse ishte i bindur nga rrethanat e kohës që do ta pengonte idenë prej mishërimit të saj të plotë. Me këtë emër do të botohet një artikull në Rilindje nën pajtimin e plotë të kryetarit të qytetit Nazmi Mustafa.[2]

Gazeta e vitit 1973 “Rilindja”
Gazeta e vitit 1974 , fillimi i ndertimit të lagjes

Në vitin 1972, u organizua një garë kombëtare gjysmë e mbyllur për planin e detajuar urban. U ftuan pesë studio arkitekture jugosllave për të marrë pjesë. Propozimi fitues u dorëzua nga Instituti i Projektimit Arkitektonik "Plan", i përbërë nga arkitektët Drazen Jankovic, Darko Kozjak, Mirko Pak dhe Milena Fischer. Ata kishin ngadhënjyer në konkursin arkitektonik, ngaqë sipas artikullit të Bunjakut në Rilindje, kishin arritur planifikimin e rrugëve brenda lagjes ta bënin më mirë, duke ndarë çka ishte për automjete dhe çka për këmbësorë. Projektimi i detajuar urban përfundoi në vitin 1973, ndërtimi filloi në vitin 1974.[3][2]

  1. ^ a b Gjinolli, I., & Kabashi, L. (2015). Kosovo modern: An architectural primer. Prishtinë: National Gallery of Kosovo.
  2. ^ a b "Jakup Bunjaku, gazetari që ia la emrin lagjes "Dardani" - K2.0". Kosovo 2.0. 2023-07-12. Marrë më 2024-12-30.
  3. ^ Beganović, Džemila (2014). "Complex urbarchitectonic structures of Priština and Novi Pazar cities". Spatium (në anglisht) (32): 39–46. doi:10.2298/spat1432039b.