David Hume

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
David Hume

David Hume (shqipërimi: Dejvid Hjumi) (7 maj 1711- 25 Gusht 1776). Filozof anglez (skocez), ekonomist, historian, tregtar, profesor, burrështeti, bibliotekar, nënsekretar për punët e jashtme, politikan në shërbim të markizëve dhe gjeneralëve të ndryshëm, Dejvid Hjumi, me siguri është personaliteti më origjinal dhe filozofikisht më konsekuent i gjithë filozofimit empirist anglez. I qartë dhe i padyshimtë si kristali, ky kundërshtar «i gënjimeve të mësuara thjesht filozofike» dhe i pedanterisë, me mendjemprehtësi, si analitik i dorës së parë depërtoi me të menduarit e vet konsekuent dhe pa përfillje deri te konsekuencat e mundshme të fundit që i ofroi pozita e filozofisë empiriste angleze. Me gjithë këtë mprehtësi të jashtëzakonshme dhe origjinalitetin cilësor të mendimeve, sipas fjalëve të tij - një kohë të gjatë ishte lënë aq shumë në heshtje sa që nuk arriti të shkaktojë as «murmurisje midis fanatikëve».

Hjumi konsideronte - duke iu përmbajtur devizës themelore të empirizmit - se forca e frymës qëndron para së gjithash në faktin se lënda e fituar nëpërmjet përvojës, përkatësisht shqisave, bashkon, merr formë të parë ose zvoglohet sipas ligjeve të asociacionit. Me një seri shembujsh Hjumi provoi se gjithë puna e mendjes zhvillohet sipas këtyre ligjeye, nga të cilat ekzistojnë tri lloje: ligji i ngjashmërisë, i kontaktit në hapësirë dhe në kohë dhe «asociacioni i të priturit». Kështu pikërisht në mënyrë qenësore kufizoi veprimin e mendjes, e cila jo vetëm që nuk krijon asgjë të re nga vetja e që nuk do të ekzsitonte në fakticitetin ndijor, por edhe materialin e fituar e bashkon vetëm në kuadrin e ligjeve të përmendura të asociacionit. Por megjithkëtë, ne mund ta përfytyrojmë për shembull kodrën prej ari dhe të krijojmë tablonë mbi të, ndonëse ajo ndijorja nuk ekzsiton. Mirëpo ky përfytyrimi ynë gjithmonë është i lidhur medoemos përveç me përfytyrimin e kodrës edhe me përfytyrimin e arit që më parë i shikuam dhe vetëm fryma njerëzore i ka bashkuar këto dy përshtypje në një. Në këtë veprimtari të kufizuar reduktohet në realitet tërë forca dhe fuqia e të menduarit. Hjumi vërtet dëshiroi «të trondisë vetëdijen e vetvetes krenare të intelektit që mendon, që ishte parim i racionalizmit, sepse kudo e kufizon kuptimin e tij, i mohoi të drejtat e tij për të pasur një vlershmëri të përgjithshme dhe parimet e tij, dhe para së gjithash, kauzalitetin e reduktoi në ndjenja, shtytje dhe instinkte, të cilat janë burim i vërtetë i gjithë jetës» (Yberveg). Mirëpo, megjithkëtë, sipas Hjumit, sigurinë dhe autenticitetin duhet t'i atribuojmë çdo argumentimi racional të tipit matematik-gjeometrik, ndonëse autenciteti i tyre nuk buron nga përvoja. «Edhe sikur të mos ekzistonte në natyrë asnjëherë rrethi ose trekëndëshi, prapëseprapë të vërtetat e Euklidit do të përmbanin sigurinë evidente». Gjeometria edhe më shumë aritmetika si shkenca bazohen në raportet e pandryshuara dhe andaj këto përmbajnë njohje të domosdoshme dhe të sigurta. Një autenticitet i tillë, ndërkaq, nuk ekziston kur është fjala për faktet, ngase të gjykuarit tonë mbi faktet bazohet në raportin midis shkakut dhe pasojës. Në fakte, besojmë ngase nga shkaku presim pasojën. Mirëpo njohja nga shkaqet në pasoja nuk mund të jetë apriore, por vetëm empirike. Nga vetë të kuptuarit e dy sferave askush nuk mund të pohojë se këto me rastin e ndeshjes do të largohen prej njëra tjetrës, nuk mund të dime se nga zjarri do të digjemi në qoftë se për këtë nuk kemi përvojë. Në bazë të çfarë kriteri, pra, megjithatë pohojmë a priori se ekziston lidhja e paevitueshme shkajkore-rrjedhore? Kriteri është psikologjik: kjo është fuqia e shprehisë ngase sipas analogjisë presim nga të njëjtat shkaqe të njëjtat pasoja. Ne jemi të mësuar të gjykojmë sesi ajo që është post hoc do të thotë njëkohësisht edhe propter hoc. Në të vërtetë, nuk shohim kurrgjë tjetër veçse që një fenomen vjen pas tjetrit dhe pastaj konkludojmë se njëri është shkak i të dytit. Mirëpo, një konkluzion i tillë është krejtësisht arbitrar dhe nuk rrjedh nga kurrfarë domosdoshmërie logjike, ndërsa në përvojë nuk mund të vërtetohet. Me fjalë të tjera, për arsyetimin logjik është gjithashtu e kuptueshme se lulja lulëzon në dhjetor dhe jo në maj, dhe arsyen nuk e kundërshton a priori asnjë pasojë nga çfarëdo qoftë shkaku. Në realitet duhej të thoshim me arsye se ka mundësi vetëm që të gjithë njerëzit do të vdesin ngase deri tash kanë vdekur, ose se dielli duhet të dalë ngase deri tash ka dalë. Andaj arsyeja është plotësisht e pafuqishme kur përpiqet nga natyra e shkaqeve të konkludojë për natyrën e pasojës. Përveç mohimit të kauzalitetit objektiv, Hjumi mohon skeptikisht edhe ekzistimin e çfarëdo substance, materiale ose shpirtërore. Gjithashtu edhe substanca e perëndisë është e pavërtetueshme. «Në qoftë se i veçojmë të gjitha idetë, do të shohim se kanë dalë nga ndjenjat ose ndijimet. Madje edhe ideja e perëndisë si qenie jashtëzakonisht inteligjente, e urtë dhe e mirë, përbëhet nga vëzhgimi i veprimtarisë sonë shpirtërore dhe nga shtimi i pakufizuar i këtyre cilësive». Të konstatosh se burimi i religjionit është në fantazinë njerëzore dhe jo në ekzistimin objektiv të perëndisë, ishte mendim mëkatar të cilin e sulmuan pa mëshirë të gjithë filistinët, fetarët dhe etikanët e mundshëm të asaj kohe (për shembull peshkopi Horn).

Rezultat i filozofimit të Hjumit është skepsa radikale dhe konsekuente. Në fund të veprës së tij Hulumtime mbi arsyen njerëzore i hedh në zjarr librat teologjikë dhe metafizikë, ngase nuk mund «të përmbajnë kurrgjë përveç gënjimit dhe mashtrimit». «E vetmja gjë që dimë është mosdituria jonë e themeltë» përfundoi në mënyrë sokratike Hjumi Dhe kështu empiristi, që mendoi në mënyrë konsekuente ta zbatojë parimin e qartësisë së Dekartit, përfundoi në skepticizëm, ashtu si pat filluar me të themeluesi i këtij parimi.

Mirëpo, megjithkëtë, do të ishte gabim sikur ta reduktonim në skepsën gjithërrënuese. Në kuadrin e problematikës etike, ai për shembull flet mbi «ndjenjën morale» të sigurt dhe medoemos të nevojshme, e cila konkretizohet në simpati dhe aftësi për të pasur dhimbsuri për të tjerët. E mira morale është identike me të dobishmen, prandaj sipas kësaj teze të vet Hjumi deri diku është edhe paraardhës i drejtimit utilitarist në etikë. ,Por për Hjumin në përgjithësi, etika dhe estetika «nuk janë objekte të mendjes sa të shijes dhe të ndjenjës». Bukuria dhe vlera konsistojnë në ndjenjën e këndshme; bukuria para së gjithash është kënaqësi, kurse kënaqësia është motiv themelor i gjithë aktivitetit tonë. Në këtë drejtim, arsyeja «duhet të bëhet vetëm skllave e pasioneve dhe kurrë nuk mund të pretendojë se ka të drejtë për çfarëdo pune tjetër përveç që t'u shërbejë dhe t'u nënshtrohet».

Shikuar në tërësi, filozofia e Hjumit është pa dyshim një zhvil'lim i mëtejshëm i traditës filozofike angleze, me ç'rast përveç peshkopit Berklit nuk duhet harruar as ndikimin e Haçesonit. Ndikimi që bëri në filozofinë e mëvonshme, ishte ndoshta ndikimi më i madh që e bëri ndonjëherë një filozof anglez. Për shembull, Kanti e pranoi këtë me ngurrim. Pavarësisht nga një seri konkluzionesh negative, skeptike, pavarësisht nga konsekuencat paradoksale dhe të papranueshme që pasonin nga premisat në esencë të gabuara - siç është për shembull kuptimi pasiv i nocionit të përvojës - çështjet e Hjumit pa dyshim ishin nxitje për t'u futur më thellë në problemet themelore të filozofisë dhe në këtë kuptim kritik, ndikuan pozitivisht në zhvillimin e mëtejshëm të mendimit njerëzor.

Veprat kryesore: Treatise on human nature (3 vëll. 1739-40); Essays moral, political and literary (2 vëll. 1741); Philosophical Essays concerning human understanding; titulli i mëvonshëm i të njëjtes vepër: An Enquiry concerning human understanding; An Enquiry the principles of morals (1751); Political Discourses (1752); Essays and Treatises on several subjekcts (1758); My Own Life (1776).

  • Uni – Hjumi e mohonte se ne kemi një ide për veten. Hjumi e mohonte ekzistencën e një vetëidentiteti të vazhdueshëm dhe thoshte, për gjithë pjesën tjetër të njerëzimit, që “ata nuk janë asgjë tjetër veçse një grumbullim perceptimesh të ndryshëm”. Atëherë si arrijmë ne në përfundimin se çfarë është vetvetja? Hjumi përgjigjej se, është fuqia e kujtimeve tona ajo që na krijon mbresën e identitetit të vazhdueshëm. Hjumi e krahasonte mendjen me një lloj teatri ku shumica e perceptimeve shfaqin prezencën e tyre në mënyrë të suksesshme”, por shtonte se “ne nuk kemi as nocionin më të vogël për vendin ku këto skena janë shfaqur…”
  • Substanca – Hjumi këmbëngulte se asnjë lloj substance nuk mund të vijë nga mbresat dhe ndijimet tona. Në qoftë se ideja e substancës është transmetuar tek ne nëpërmjet shqisave, Hjumi pyeste “… se nga cila prej tyre dhe në ç‘mënyrë? Pasi në qoftë se do të perceptohej nga sytë do të ishte ngjyrë; në qoftëse do të perceptohej nga veshët do të ishte tingull; pot ë ishte nga pjata do të ishte shija… Pra, përfundimisht ne nuk kemi ide për substancën përveç asaj që shohim si një grumbull i cilësive të veçanta…”
  • Zoti – Argumenti për krijuesin fillon me vëzhgimin e një rregulli të përsosur në natyrë. Ky lloj rregulli është i ngjashëm me po atë rregull që edhe mendja njerëzore është e aftë ta vendosë mbi sendet që nuk mendojnë. Nga ky vëzhgim fillestar, mendja arrin në përfundimin se sendet, që nuk mendojnë, nuk përmbajnë mbrenda tyre parimin e rregullsisë: “Kështu disa copa çeliku së bashku, pa asnjë formë dhe përmasë, asnjëherë nuk mund të renditen vetvetiu në një mënyrë të tillë, që të formojnë një orë…” Pra, rregulli kërkon veprimet e një mendjeje dhe të një rregullatori. Përvoja na tregon se asnjë orë apo shtëpi nuk mund të krijohej pa orëbërësin apo arkitektin.Përderisa ne themi se kemi arritur tek ideja e shkakut nga vrojtimi i përputhshmërisë, prioritetit dhe lidhjeve të qëndrueshme të dy sendeve, atëherë si mund të supozojmë një shkak për krijimin e universit, kur ne asnjëherë nuk kemi ndeshur një univers të lidhur me atë që ne mund ta quanim një shkak. Përdorimi i analogjisë së mësipërme nuk e zgjidh këtë problem, përderisa analogjia midis orës dhe universit nuk është e saktë. Pse atëherë nuk e konsiderojmë Universin si produkt të një procesi vegjetativ, në vend të një krijuesi racional? Por, edhe në qoftë se shkaku i krijimit të universit është diçka e lidhur me inteligjencën, si mundet që karakteristikat morale t’i atribuohen një qenie të tillë? Ose më tej, në qoftë se do të përdornim analogjinë, atëherë cilën prej tyre duhet të zjgjidhnim? Shtëpitë dhe anijet janë pothuajse gjithmonë të projektuara nga një grup projektuesish: atëherë për analogji a mund të themi se universi është krijuar nga shumë perëndi? Shumë herë modelet eksperimentale janë krijuar duke mos u mbështetur në njohjen e formës përfundimtare të sendit: por a është universi një model provë apo një projekt përfundimtar? Duke ndjekur këtë vijë arsyetimi, Hjumi donte të theksonte se rregulli i universit është thjesht një fakt empirik dhe prej tij nuk mund të vërtetojmë ekzistencën e Zotit. Kjo nuk e bëri Hjumin ateist. Ai thjesht provoi vërtetësinë e idesë sonë për Zotin, nëpërmjet parimeve të tij empirike në të cilat provoi dhe vërtetësinë e unit dhe të substancës.
  • Etika – Për Hjumin, fakti kryesor rreth etikës ishte se gjykimet morale janë të krijuar jo vetëm nga arsyetimi, por gjithashtu edhe nga ndjenja e simpatisë. Nuk ka asnjë dyshim, se arsyetimi luan një rol të rëndësishmë në debatet tona rreth vendimeve etike. Por, thotë Hjumi, vetëm arsyetimi “nuk është i mjaftueshëm për të krijuar mangësitë apo miratimet morale”. Ajo që e kufizon rolin e arsyes në etikë është se kjo e fundit i bën gjykimet mbështetur në problemet faktike dhe në lidhjet; ndërsa gjykimet morale mbi të keqen nuk janë të kufizuara as nga problemet faktike dhe as nga lidhjet e tyre.Për shembull, pse ne gjykojmë një vrasës kur ai bënte një krim? Ose, pot ë përdorim fjalët e Hjumit, “cili është ai problem faktik, të cilin ne e quajm krim?” Në qoftëse do të përshkruanim veprimin, kohën e saktë në të cilën ka ndodhur, armën e përdorur dhe përfundimisht, në qoftëse i mbledhim të gjitha këto detaje rreth ngjarjes, përsëri aftësitë e të arsyetuarit nuk do të arrijnë të veçojnë faktin, të cilin ne e vulosim me fjalën krim. Pra, pas gjithë këtyre, ky veprim nuk mund të konsiderohet një krim gjithmonë dhe në të gjitha rrethanat. I njëjti veprim mund të quhet vetëmbrojtje ose ekzekutim zyrtar. Gjykimi i së mirës dhe së keqes bëhen vetëm pasi njihen të gjitha faktet.

Hjumi kuptoi se për të ndërtuar një system etik mbi aftësitë e ndjenjave, sentimenteve apo keqardhjes, do të thotë të rrezikosh kthimin e etikës në një çështje shijesh ku gjykimet morale janë subjektive dhe relative. Të pranosh ndjenjat apo sentimentet si burim të vlerësimit apo të fajësimit, do të thotë të nënkuptosh se gjykimet tona morale janë shprehje të interesave dhe dashurive tona personale. Ndjenjat e simpatisë apo të miqësisë, shkruan Hjumi, mund të përshkruhen si “parime të natyrës njerëzore, prej të cilave nuk mund të ketë asnjë parim më të përgjithshëm”. Pra janë kapacitetet njerëzore që japin vazhdimisht çmime për veprime të virtytshme, fakt ky, që nuk ka asnjë lidhje me vetë interesin e ngushtë të njerëzve. Hjumi e kundërshton hipotezën e ekzistencës së rregullave morale duke thënë se një hipotezë e tillë është “e vështirë” dhe “nuk ka për të qenë kurrë e lehtë për ta kuptuar”. Midis cilësive që ju japin spektatorëve ndjenjën e kënaqësisë dhe të aprovimit, janë: “maturia, kujdesi, iniciativa, ekonomia, mirësia, urtësia dhe aftësia për të dalluar”. Gjithashtu, përveç, këtyre ekziston një marrëveshje unviersale, bile edhe ndërmjet njerëzve më cinik të botës, e cila përfshin “meritat e temperamentit, qetësinë, durimin, qëndrueshmërinë, konsideratën, prezencën e mendjes, shpejtësinë e konceptimit dhe lehtësinë e shprehjes”. Dallimi midis asja që është e dobishme dhe asaj që është e dëmshme është një dallim moral esencial. Pra, thotë Hjumi, “në qoftë se dobia… do të jetë një burim i ndjenjave morale dhe, në qoftëse kjo dobi nuk do të jetë gjithmonë në shërbim të vetvetes, kjo do të thotë se gjithçka që kontribuon për lumturinë e shoqërisë, do të fitojë aprovimin dhe dëshirën tonë të mirë.

  • Drejtësia – Hjumi pranoi përzierjen e interest vetiak me simpatinë, në analizën e tij të drejtësisë. Në të vërtetë, ai këmbëngul se drejtësia e cila paraqitet si një “paqe dhe rregull i përgjithshëm nga zotërimet e të tjerëve”, pasqyron interesin vetiak të çdo personi, i cili dëshiron të ketë siguri si individ dhe në pronë. Kjo siguri dhe lumturi mund të arrihet në shoqëri, do me thënë me vendosjen e drejtësisë. Sipas kësaj drejtësia del si një pasqyrim i interest vetiak të çdo njeriu. Pavarësisht nga dobia shoqërore apo interesi vetiak, të cilat e çojnë njeriun drejt shoqërisë apo një skemë drejtësie, ekziston diçka tjetër, veç interesave vetiake, e cila siguron bazat morale të drejtësisë. Ajo, që i jep drejtësisë cilësinë e një virtyti moral dhe padrejtësisë cilësinë e së keqes, nuk është interesi vetiak, por ndjenja e simpatisë. Në e dënojmë padrejtësinë jo vetëm kur përfshihet interesi ynë personal, por gjithashtu kur ajo krijon dhembje, shqetësime dhe mosmarrveshje tek të tjerët, të cilat ne mund t’i ndajmë me të tjerët me anë të simpatisë, “Kështu”, thotë Hjumi, “interesi vetiak është motive bazë për të krijuar drejtësinë, ndërsa simpatia me interes publik është burim i aprovimit moral, i cili pason këtë virtyt.

Refernca[redakto | redakto tekstin burimor]

[1]