DiEM25

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lëvizja për Demokraci në Evropë 2025 (Democracy in Europe Movement 2025, Diem25), është një lëvizje politike panevropiane e themeluar në 2015 nga ish ministri grek i financave Yanis Varoufakis dhe filozofi kroat Srećko Horvat. Lëvizja u prezantua zyrtarisht në një ceremoni të mbajtur më 9 shkurt 2016 ne teatrin Volksbühne në Berlin dhe më 23 mars ne Romë. Lëvizja synon të reformojë institucionet ekzistuese të Bashkimit Evropian dhe të krijojë një "sistem demokratik plotësisht të zhvilluar, me një parlament sovran që respekton parimin e vetëvendosjes kombëtare si dhe ndan pushtetin me parlamentet kombëtare, asambletë rajonale dhe këshillat bashkiakë". Lëvizja mbështetet nga intelektualë dhe aktivistë si Julian Assange, themeluesi i WikiLeaks, linguisti i shquar amerikan dhe aktivisti politik Noam Chomsky, filozofi italian Antonio Negri, antropologu amerikan Charles Nuckolls, sociologu holandez Saskia Sassen, ekonomisti amerikan James K. Galbraith, ish parlamentari laburist Stuart Holland, filozofi slloven Slavoj Žižek dhe shumë të tjerë.

Ata argumentojnë se nuk duhet humbur momenti për t’u organizuar në nivel kontinental, duke konsideruar se modeli aktual i partive nacionale që formojnë aleanca ne Parlamentin Evropian është i vjetëruar, dhe se një lëvizje panevropiane është e nevojshme për të përballuar krizën ekonomike, politike dhe shoqërore që po kalon Bashkimi Evropian. Në analizën e saj, lëvizja pretendon se kjo krizë rrezikon të shpërbëjë Evropën dhe ka karakteristika të ngjashme me depresionin e madh të viteve 30.

Akronimi DiEM i referohet shprehjes romake carpe diem. Për të theksuar nevojën urgjente për të demokratizuar Evropën para se të arrijë pikën kritike, lëvizja synon që deri në vitin 2025 të përpilojë një kushtetutë demokratike që do zëvendësojë të gjitha traktatet evropiane në fuqi sot. Një vit pas themelimit, DiEM25 shpalli se kishte mbi 60,000 anëtarë anë e mbanë Bashkimit Evropian.

Prirjet e lëvizjes janë alter-globalizimi, ekologjia sociale, eko-feminizmi, post-rritja, post-kapitalizmi dhe federalizmi evropian. Implementimi i nje të ardhure bazike universale gjen mbështetje të gjerë mes anëtarëve të saj.

Agjenda[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Synimi ι deklaruar ι lëvizjes është të ripërtërijë idenë e Evropës si një bashkim popujsh të qeverisur nga një vullnet demokratik, përkundër asaj që lëvizja druhet se po ndodh me Bashkimin Evropian, pra transformimin e tij në një super-shtet, të drejtuar nga teknokratë që qeverisin me anë të dekreteve. Evropa po përjeton sot pesë kriza: atë të borxhit, sistemit bankar, varfërinë, investimet e ulta dhe emigrimin. DiEM25 ofrohet si një umbrellë panevropiane që synon të bëjë bashkë parti të majta, lëvizje protestash popullore dhe “rajone rebele”, për të zhvilluar një përgjigje të përbashkët ndaj këtyre krizave. DiEM25 bën thirrje edhe për një tjetër ndryshim themelor, që institucionet e Bashkimit Evropian, të cilat janë dizenjuar që në krye të herës për t’i shërbyer industrisë, të jenë plotësisht transparente dhe përgjegjëse ndaj qytetarëve evropianë. Vizioni afatgjatë i DiEM25 parashikon qytetarët evropianë si hartues të kushtetutës së Bashkimit Evropian.

Në mbështetje të këtij argumenti, ata përmendin tetë aspekte të veçanta në të cilat qeveriset përmes imponimit dhe jo dakordësisë. I pari mes tyre është ai i “inspektorateve dhe Troikës së formuar mes tyre dhe teknokratëve të pazgjedhur nga institucione të tjera evropiane dhe ndërkombëtare.” Organizata citon rritjen e nacionalizmit ekstremist të disa partive të reja politike, si dhe iniciativat e ashtuquajtura Brexit dhe Grexit si provë të ndarjes së pashmangshme që na pret.

Në kontekstin e referendumit te Brexit, Yanis Varoufakis ishte këshillues i Partisë Laburiste, duke punuar krah për krah me liderin e partisë Jeremy Corbyn në favor të qendrimit të Britanisë në bashkimin Evropian. Në një video-deklaratë që Varoufakis dha për El País gjatë vizitës së tij në Madrid, ai ripërsëriti këtë qendrim, duke cituar lëshimet speciale që Bashkimi Evropian i bëri Mbretërisë së Bashkuar në shkurt 2016 si provë të këtij disintegrimi.

Në maj 2017 DiEM25 filloi të diskutojë formimin e partisë së parë politike transnacionale me synimin e garimit në zgjedhjet euro-parlamentare të 2019. Varoufakis tha se në disa shtete do bashkëpunojë me parti kombëtare që dakordësohen me agjendën e DiEM25, si Razem ne Poloni, ose Alternativa ne Danimarkë, ndërsa në të tjera mund të vendosë të garojë si parti më vete.

Lëvizja mbështet peticionin “Transparencë në Evrope, tani!” që kërkon transmetimin live të mbledhjeve të institucioneve madhore evropiane, një listë shteruese të gjithë lobistëve në Bruksel dhe publikimin elektronik të gjithë dokumenteve të negociatave për TTIP.

Struktura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

DiEM25 drejtohet nga nje Kolektiv Koordinues i përbërë nga 12 individë dhe i mbikqyrur nga një bord këshillues me personalitete te mirënjohura. Në nivel lokal, DiEM25 përfaqësohet nga Kolektivet Spontane të DiEM (DiEM Spontaneous Collectives, DSCs). Projekti financohet nëpërmjet crowdfunding.

Kolektivi Koordinues ka disa misione, që përfshijnë koordinimin e aktiviteteve të ndryshme dhe emërimin e nënkoordinatorëve. Përbëhet nga 12 anëtarë (që nuk mund të jenë në të njejtën kohë anëtarë të ndonjë partie tjetër politike, ministra ose parlamentare ne detyrë) të cilët takohen një herë në javë. Gjysma e vendeve të KK rinovohen çdo gjashtë muaj përmes votimit elektronik të të gjithë anëtarëve te DiEM25.

Bordi Këshillues përbëhet nga personalitete të mirënjohura nga fusha të ndryshme (artistë, politikanë dhe akademikë) të cilët shquhen për ekspertizën në fushat përkatëse. Qëllimi i tyre është të këshillojnë DiEM25 në vendimet që merr dhe përzgjidhen bashkarisht nga Kolektivi Koordinues dhe Këshilli Vlerësues.

Këshilli Vlerësues është përgjegjës për monitorimin e sjelljes së të gjithë anëtarëve të DiEM25, dhe merr vendime kur duhen bërë zgjedhje emergjente dhe nuk ka kohë për organizimin e një referendumi digjital, si dhe për të vlerësuar propozimet e Kolektivit Koordinues. Përbëhet nga 100 anëtarë, kushdo mund të aplikojë dhe përzgjedhja bëhet me short. Ashtu si dhe Kolektivi Koordinues, gjysma e vendeve të Këshillit Vlerësues rinovohen çdo gjashtë muaj.

Kolektivet Spontane të DiEM janë grupe të vetëorganizuara, që takohen ballë për ballë ose online, dhe përbëhen nga anëtarë të DiEM25 me bazë afërsinë gjeografike dhe origjinën (më së shumti janë komitete komunale, rajonale ose kombëtare).

Zhvillimi, kritika dhe pritja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lançimi i iniciativës është mbuluar gjerësisht nga shtypi ndërkombëtar. Mediat kryesore evropiane pasqyruan në raportet e tyre në ditët vijuese si potencialin e lëvizjes, ashtu dhe kontradiktat madhore me të cilat përballet. Varoufakis u pyet nga shtypi për raportin mes iniciativës së tij dhe propozimeve ekzistuese të liderëve të së majtës evropiane për menaxhimin e “krizës së neoliberalizmit”, konkretisht pozicionet e Oskar Lafontaine në Gjermani dhe Jean-Luc Mélenchon në Francë, për një rimëkëmbje të sovranitetit dhe rikthim të monedhave kombëtare, duke braktisur euron. Kësaj pike, me gjasa më kontroversja për shkak të pozicioneve të kundërta brenda të majtës evropiane, Varoufakis iu përgjijg në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke, duke refuzuar propozimin. Përkundrazi, fokusi i lëvizjes së tij do ishte ripolitizimi i Evropës si një njësi e vetme dhe demokratizimi i institucioneve të saj si mënzra për tu përballur me ndarjen, fragmentimin, konkurencën dhe tendencat izoluese.

Në një artikull të titulluar "Varoufakis' kleine Internationale gegen Kapitalismus" (Internacionalja e vogël e Varoufakis kundër kapitalizmit) gazeta konservatore gjermane Die Welt sugjeroi se propozimi i Varoufakis “do e përçante Evropën në vend që ta shëronte atë”. Në editorialin mbi lançimin e DiEM25, gazeta sugjeron se kjo iniciativë ishte produkt i “inatit” të Varoufakis për refuzimin e ideve të tij. Sipas artikullit, Varoufakis nuk mund të pranonte që kolegët e tij nuk pranuan ta ndiqnin, dhe duke mos qenë i zoti të imponohej në nivel kombëtar, ka vendosur të kërkojë aleanca ndërkombëtare. Ndërkohë që në Hungari dhe Poloni sektorët konservatorë po kërkojnë emancipim nga BE, Varoufakis po kërkoka të formojë aleancë mbarëevropiane për të mbrojtur politikat e majta.

Anëtarë të njohur[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Yanis Varoufakis (Greqi)
  • Srećko Horvat (Kroaci)
  • Lorenzo Marsili (Itali)
  • Julian Assange (Australi)
  • Noam Chomsky (Shtetet E Bashkuara)
  • Ada Colau (Spanjë)
  • Brian Eno (Britani E Madhe)
  • Julien Bayou (Francë)
  • Jean-Michel Jarre (Francë)
  • James K. Galbraith (Shtetet E Bashkuara)
  • Susan Xhorxh (Shtetet E Bashkuara Të Amerikës/Francë)
  • Boris Groys (Gjermani)
  • Ken Loach (Britani E Madhe)
  • Toni Negri (Itali)
  • Saskia Sassen (Shtetet E Bashkuara Të Amerikës/Holandë)
  • Mikuláš Peksa (Republika Çeke)
  • Slavoj Žižek (Slloveni)
  • Agnieszka Dziemianowicz-Bąk (Poloni)
  • Federico Kryetari Zaragoza (Spanjë)
  • Aleksandar Novaković (Serbi)