Drita Siliqi
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Drita Siliqi (lindur Shundi; Tiranë, 2 mars 1933 - 2013) ka qenë monografiste dhe përkthyese shqiptare.
Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tiranë. Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale që u mbajt në Berat në shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe. Nëna e Dritës, Kaliroi Spiru Shundi ishte nga një familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist.
Shumë pjesëtare të familjes se saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit. Ndërsa ishte student në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme “Petro Nini Luarasi” dhe “Sami Frashëri” të Tiranës dhe me pas si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Më vonë, ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën “Shqiptarja e Re”. Në vitin 1957, Drita u bë bashkëshortja e intelektualit të njohur Drago Siliqi, poet, kritik letrar dhe publicist, i cili vdiq në një aksident ajror më 13 korrik të vitit 1963, duke e lënë pas Dritën me dy vajzat, Darinën dhe Laurën.
Gjithë jetën e saj Drita Siliqi ua dedikoi vajzave të saj, nderimit të emrit të bashkëshortit Drago Siliqi si dhe një pune të palodhur intelektuale. Ajo botoi veprën e plotë të Drago Siliqit, u mor me studimin e jetës dhe veprës së Dora D’Istrias (Elena Gjika), përktheu librin “Rinia e një shqiptareje” (viti 2002), botoi librin me studime “Gruaja shqiptare, probleme të gruas në shtypin e rilindjes dhe pavarësisë” (viti 2003), përktheu nga italishtja librat “Seksi i shpërfillur” dhe “Intervistë me historinë” të gazetares dhe publicistes së njohur italiane Oriana Fallaci.
Në vitin 2000 ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara pranë vajzës së saj. Vdiq në 2013.