Athanas Shundi
Athanas Shundi | |
---|---|
Deputet i Kuvendit të Shqipërisë | |
Në detyrë 12 prill 1939 – 18 shkurt 1940 | |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 18 tetor 1892 Tiranë, Vilajeti i Shkodrës, Perandoria Osmane, |
Vdiq më | 18 shkurt 1940 (47 vjet) Torino, Itali |
Nënshtetësia | Shqiptare |
Fëmijët | 2 |
Arsimimi | Universiteti i Napolit, Itali |
Punësimi | Politikan, farmacist, patriot dhe laik i Kishës Ortodokse Shqiptare |
Athanas Shundi (18 tetor 1892 - 18 shkurt 1940) ishte një farmacist dhe patriot shqiptar, pjesëtar i rëndësishëm i lëvizjes autoqefaliste të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në vitin e fundit të jetës u përfshi gjithashtu në politikë, si anëtar i Këshillit bashkiak te Tiranës, dhe me pas, i emëruar në Asamblenë Kushtetuese të Shqipërisë, gjatë legjislaturës 12 prill 1939 - 1 prill 1940.[1]
Jetëshkrim
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind më 18 tetor 1892 në Tiranë.[2] Familja Shundi, nga ai rridhte, ishte pjesë e bashkësisë ortodokse të qytetit të Tiranës, e cila kishte shkuar në Tiranë nga juglindja e viseve shqiptare në fundin e shekullit të 18-të. Ajo fillon e del në kodikun e Kishës së Shën Prokopit që në vitin 1818, kur listohet si dhuruese e ndërtimit të kishës që kish ndodhur gjatë viteve 1790-1797, si pjesë e esnafit të kallajxhinjve, e më pas, me mbiemrin e vet, Shundi, nga viti 1830 e tutje.[3][4][5]
Pas mbarimit të shkollës 7-vjeçare të kishës së Shën Prokopit, A. Shundi kreu gjimnazin grek të Manastirit, të cilin e përfundoi më 1910.[2] Po në 1910 filloi të punonte si mësues në shkollën e kishës, dhe, në 1913, u bë mësues në shkollën e parë shqipe në Tiranë, e cila ishte hapur po në atë vit.[2] Në atë periudhë, A. Shundi ishte i angazhuar në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare dhe, me hapjen e shkollës shqipe në Tiranë, ishte në kryesinë e shkollës, së bashku me Jorgji Panon dhe Teodor Vuçanin.[6] Në 1912 u regjistrua për mjekësi në Stamboll, po i ndërpreu menjëherë, pasi filloi Lufta e Parë Ballkanike. Në vitet 1913-1919 punoi si sekretar në Bashkinë e Tiranës.[7] Në vitin 1919[7] u regjistrua në Universitetin e Napolit në Itali. Në Napoli ishte më 1921 një nga iniciatorët dhe më pas kryetari i shoqatës së shoqërisë të studentëve shqiptarë "Naim Frashëri".[7] Më 1924 përfundoi studimet universitare për kimi e farmaci dhe mori titullin e studimit. Pasi punoi is asistent profesor në Universitetin e Napolit për një vit, më 1925 u kthye në Shqipëri dhe hapi një farmaci në Tiranë.[2][8][5]
Në 1929 A. Shundi u emërua si një nga ekzekutorët e testamentit të Midhat Frashërit. Midhati ishte atëherë në mërgim, si rrjedhim i konflikteve politike që kishte me Ahmet Zogun. Testamenti i Frashërit kishte një nga qëllimet kryesore ruajtjen e bibliotekës së tij personale dhe përdorimin e fondit të kësaj biblioteke për krijimin e një Instituti Albanologjik, si qendër e studimeve shqiptare.[9]
Në 1929 A. Shundi u bë pjesë e pleqësinë e kishës së Shën Prokopit.[10] Ai qe delegat i Tiranës në Kongresin e Dytë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (kongresi i parë ishte ai i Beratit në 1922). Më 16-30 qershor 1929 kongresi u mblodh ne Korçë, dhe aprovoi nje statut per administrimin e brendshëm të kishës. Statuti modifikoi vendimet e Kongresit të Beratit të vitit 1922. Kongresi i Korçës përcaktopi se kryepeshkopi, peshkopët dhe zëvendësit e tyre duhet të ishin prej gjaku dhe gjuhe shqiptare, si dhe të kishin nënshtetësine shqiptare, nëpërmjet nenit 16.[11][12]
Në 1930 A. Shundi u zgjodh zëvendësmitropolit i Tiranës.[13]
Ishte anëtar i Këshillit bashkiak të Tiranes disa herë radhazi.[5] Gjatë legjislatures 12 prill 1939 - 1 prill 1940 A. Shundi u zgjodh anëtar i Kuvendit të Shqipërisë.[1] U nda nga jeta më 18 shkurt 1940 nga një sëmundje.[2]
Jeta private
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Djali i xhaxhait të A. Shundit ishte Stefan Shundi, avokat, shkrimtar, publicist dhe ish-president i klubit të futbollit KF Tirana. Një nga vajzat e tij, ishte publicistia Drita Siliqi, e cila ishte e martuar me poetin Drago Siliqi.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Parlamenti i Shqipërisë. "LIGJVËNËSIT SHQIPTARË NË VITE" (PDF). Parlamenti i Shqipërisë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 3 maj 2021. Marrë më 26 korrik 2019.
- ^ a b c d e Beduli 1997, p. 48
- ^ Beduli 1997, p. 95
- ^ Beduli 1997, p. 71
- ^ a b c Demneri 2009, p. 62
- ^ Beduli 1997, p. 43
- ^ a b c Beduli 2010, p. 29-30
- ^ NOA. "Lamtumirë Drita Siliqi!". Marrë më 26 korrik 2019.
- ^ "Testamenti i Mid'hat Frashërit". Telegrafi. 15 nëntor 2018. Marrë më 26 korrik 2019.
{{cite news}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Bido 2015, p. 186
- ^ Bido 2015, p. 145-147
- ^ Statuti i vitit 1929, Neni 16, faqet 9-10
- ^ Bido 2015, p. 183
Kryeqyteti ishte i fundit që votoi në janar 1930. Një ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe të Tiranës, dr. Athanas Shundi, u zgjodh zëvendësmitropolit.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Bido, Ardit (2015), Autoqefalia e Kishës Ortodokse të Shqipërisë në marrëdhëniet shqiptaro-greke, 1918-1937 (PDF), UNIVERSITETI I TIRANËS, FAKULTETI I HISTORISË DHE I FILOLOGJISË, DEPARTAMENTI I HISTORISË
- Beduli, Dhimitër (1997), Kodiku i Kishës së Shën Prokopit të Tiranës 1818-1922, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
- Beduli, Dhimitër (2010), Shënime për bashkësinë ortodokse të Tiranës, Neraida
- Demneri, Ismail (2009), Tirana, Personalitete, Intelektualë të hershëm (PDF), Shoqata "Tirana", arkivuar nga origjinali (PDF) më 17 shtator 2021, marrë më 17 shtator 2021