Jump to content

Ekonomia e Tiranës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Tirana

Tirana është qendra më e rëndësishme industriale në Shqipëri. Për tu përmendur janë industria e lehtë dhe ushqimore si dhe industria ndërtimore, por edhe industria e ndërtimit të makinerive apo ajo e tekstileve dhe e përpunimit të qelqit. Si në të gjithë vendin ashtu edhe kryeqyteti i Shqipërisë ndodhet në një periudhë tranzicioni. Pas rrëzimit të diktaturës komuniste shumë vepra të dikurshme industriale kanë dalë pjesërisht jashtë përdorimit dhe nuk funksionojnë rregullisht. Por ndërkohë po merren masa të shpejta për rimëkëmbjen dhe vënjen sa më të shpejtë në punë të veprave ekzistuese dhe të reja. Shumica e popullsisë janë sot të punësuar në sektorin e tregëtisë dhe atë të ndërtimit, në sektorin e shërbimeve publike, atë turistik dhe si punonjës të shtetit.

Tirana ndodhet rreth 40 km larg portit më të rëndësishëm të vendit, që ndodhet në Durrës. Qysh prej vitit 2000 dy qytetet lidhen me autostradë. Nga Tirana udhëtojnë përditë autobuzë për në qytetet më të rëndësishme të vendit.

Trena pasagjerësh të Hekurudhës së Shqipërisë udhëtojnë gjithashtu rregullisht për në qytetet e Durrësit dhe me tej për në Vlorë si dhe për në Pogradec dhe për në Shkodër.

Rinas gjendet Aeroporti Ndërkombëtar "Nënë Tereza", i cili është rreth 25 km larg nga Tirana. Linjat ajrore lidhin Tiranën direkt me metropolat e Evropës Perëndimore, Evropën Lindore dhe prej andej me mbarë botën. Qarkullimi rrugor vitet e fundit ka pasur nje rritje të jashtëzakonshme. Autobusët, makina të shumta private dhe automjete të rënda transporti qarkullojnë në mbarë vendin. Perveç kësaj është planifikuar dhe ndërtimi i një linje hekurudhore, mbi të cilën do të qarkullojë treni ekspres nga Tirana për në aeroport dhe anasjelltas.

Paratë informale hidhen prej viteve 1990 në sektorin e ndërtimit në Tiranë.

Një raport i "Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar" tregon se pas vitit 2017 ka një fluks të pazakontë të parave informale në ndërtim duke vlerësuar se në tre vite, vetëm në Tiranë, dyshohet të jenë pastruar mbi 1.2 miliardë euro nga krimi i organizuar.[1] Raporti nxjerr këto përafrime për shifrat e parave të pastruar:

  • 2017: 320 milionë €,
  • 2018: 570 milionë €,
  • 2019: 500 milionë €.

Në 2022, në pjesën qendrore të Tiranës, 1 metër katror shitet deri në 5000€. Kostot në ndërtim janë shtuar krahasuar me një vit më parë nga 400€ në 800€ për metër katror. Arsyet kryesore janë shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit, kostoja e lartë për pagesat e punëtorëve dhe të truallit të ndërtimit, si edhe taksat.[2][3]

  1. ^ "Ndërtimi, lavatriçja e krimit? Në 3 vite u pastruan mbi 1.2 mld € në Tiranë".
  2. ^ "Deri në 5 mijë euro m² në qendër të Tiranës e ish-Bllok, rriten çmimet në ndërtim".
  3. ^ "Kullat dhe apartamentet tek ish-Blloku arrijnë 5,000 euro/m²; Shoqata e Ndërtuesve: Rritja, nga shtrenjtimi i materialeve".