Jump to content

Emrat e grekëve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Greqia dhe kolonitë antike greke (helene)

Gjatë historisë, grekët janë identifikuar nga disa etnonime. Etnonimi më i zakonshëm vendas është Ἕλλην që në greqishten e lashtë lexohej helen, ndërsa në greqishten e re elin; emri ‘grek’ është përdorur më shumë nga romakët dhe gradualisht ka hyrë në gjuhët evropiane nëpërmjet përdorimit të tij në latinisht. Patriarku (themeluesi) mitologjik Heleni është paraardhësi i emërtuar i popujve grekë; pasardhësit e tij eolët, dorët, akeasit dhe jonët korrespondojnë me fiset kryesore greke dhe me dialektet kryesore që fliten në Greqi dhe Azinë e Vogël (Anadoll).

Populli i parë greqishtfolës, i quajtur nga historianët mikeanë ose mikeno-akeas, hyri në Greqinë e sotme diku në epokën e neolitit ose në epokën e bronzit. Homeri i referohet "Akeanëve" si fisi mbizotërues gjatë periudhës së Luftës së Trojës që zakonisht daton në shekujt 12-11 pr.e.s[1], ndërsa emërtimi ‘helenë’ përshkruante vetëm një fis relativisht të vogël në Thesali. Dorët, një grup i rëndësishëm greqishtfolës, u shfaqën afërsisht në atë kohë. Sipas traditës greke, ‘Graeki’ u riemëruan Helenët ndoshta me themelimin e Lidhjes së Madhe Amfiktionike pas Luftës së Trojës.

Kur romakët takuan fillimisht kolonistët grekë në Italinë jugore, ata përdorën emrin Graeki për kolonistët dhe më pas për të gjithë grekët; kjo u bë rrënja e të gjithë termave përkatës në gjuhët evropiane. Persianët përdorën emrin Yaunas sipas Jonëve, një fis grek që kolonizoi një pjesë të brigjeve të Azisë së Vogël perëndimore.[2] Termi u përdor më vonë në hebraisht (Yevanim), arabisht dhe gjithashtu nga turqit. Fjala hyri në gjuhët e nënkontinentit Indian si Yona. Një formë unike përdoret në gjeorgjisht, ku grekët quhen Berdzeni.

Nga Antikiteti i Vonë (rreth shek. III–VII), grekët e quanin veten me termin romak Graikoi dhe Romei (Romaoi), kjo e fundit përdorej për faktin se të gjithë grekët ishin tashmë qytetarë romakë pas vitit 212 e.s. Termi ‘helen’ në këtë periudhë u aplikua për pasuesit e fesë politeiste ("pagane") pas vendosjes së krishtërimit nga Theodosius I.

Njerëzit e parë që flisnin një gjuhë të lashtë proto-greke hynë në Greqinë kontinentale gjatë periudhës neolitike ose Epokës së Bronzit. Nga dialektet e lashta greke siç u paraqitën shekuj më vonë, duket se të paktën dy migrime të grekëve ndodhën në përgjithësi, i pari i Jonëve dhe Eolëve ndoshta në shekullin e 19-të pr.e.s dhe i dyti i Dorëve ndoshta në shekullin e 13-të pr.e.s. Migrimi i parë rezultoi në greqishten mikene, një gjuhë arkaike greke e cila shfaqet në mbishkrimet rrokjezore linear B dhe e dyta rezultoi në dialektin dorian që zëvendësoi dialektin arkadoqipriot që duket të jetë më i afërt me greqishten mikene.[3]

Grekët më vonë i quajtën njerëzit autoktonë (të Greqisë) ose para-greqishtfolës me emrat:

*Pellazgët që kanë origjinë të pasigurt dhe kanë jetuar kryesisht në Thesali dhe Epir,

*Eteokretët që jetonin në Kretë (pasardhës të minoanëve të lashtë) dhe

*Minjanët që jetonin në Beoti.

Fiset e quajtura më vonë Eolë dhe Jonë krijuan disa mbretëri feudale rreth Greqisë, dhe historianët i quajtën ata mikenas sipas mbretërisë së tyre më të fuqishme Mykenea në Peloponez, ose Mykeneanë-Akeanë sepse tek Homeri akeanët ishin fisi dominues në Greqi dhe emri Akhiyaua që shfaqet në tekstet hitite duket se korrespondon me një vend talasokratik që mund të jetë Mykenea.[4]

Megjithëse Homeri i referohet një bashkimi të mbretërive greke nën udhëheqjen e mbretit të Mikenës gjatë Luftës së Trojës, nuk ka asnjë provë që këto mbretëri dominoheshin nga një fuqi qendrore. Shumica e pallateve mikene u shkatërruan në fund të shekullit të 13-të para Krishtit. Tradita greke e lidh këtë shkatërrim me Dorët, por sugjerohet se pushtimi dorian ishte vetëm një nga shkaqet e kolapsit të epokës së bronzit në Mesdheun Lindor, pasi nuk ka asnjë provë që të ardhurit krijuan një qytetërim tjetër. [5]Shkatërrimi u pasua nga epoka e errët greke me gjetje shumë të dobëta arkeologjike, kur shumica e zonave të pushtuara ishin të shkreta, por disa zona si Atika e pushtuar nga Jonët mbetën të paprekura nga pushtuesit. Disa fise greke u shpërngulën në rajonet e Greqisë ku morën emra të ndryshëm dhe grupet e popullsisë u zhvendosën nëpër ishuj në brigjet perëndimore të Azisë së Vogël, ku ata mbajtën emrat e tyre amtarë Aeolianë, Jonianë dhe Dorianë.

Duket se miti i Helenit, paraardhësi i helenëve, u shpik kur fiset greke filluan të ndaheshin nga njëri-tjetri dhe theksuan origjinën e tyre të përbashkët. Emri "Helenët" është përdorur ndoshta nga grekët me themelimin e Lidhjes së Madhe Amfiktionike, një shoqatë e lashtë e fiseve greke. Sipas legjendës, ajo u themelua pas Luftës së Trojës, nga Amfiktioni, vëllai i Helenit. Kishte dymbëdhjetë themelues dhe u organizua për të mbrojtur tempujt e mëdhenj të Apollonit në Delfi (Fokidë) dhe të Demetrës pranë Termopileve (Lokris). Dymbëdhjetë themeluesit e numëruar nga Eskini ishin Aenianët ose Oetaeanët, Beotianët e Tebës, Dolopët, Dorianët e Spartës, Jonianët e Athinës, akeanët Phthianët (akeas), Lokrianët (Opuntians, Ὀπούντιοι dhe Ozolianët, Ὀζολαί), Magnetët, Malienët, Perrhaebët, Fokianët e Delfit, dhe Thesalianët. Ndër pasardhësit e Helenit përmenden Eoli, Joni, Akeu, Dori, Graeku dhe Makedoni. Duket se maqedonasit ishin një fis dorian që qëndroi në Maqedoni kur fiset kryesore doriane u zhvendosën në jug.

Homeri i referohet helenëve si një fis relativisht i vogël në Phthia në Greqinë qendrore (Akhaea Pthiotis). Në Kronikën Pariane përmendet se Phthia ishte atdheu i Helenëve dhe se ky emër iu dha atyre që më parë quheshin Grekë (Γραικοί).

Alkmani, një poet lirik i Spartën, që ka jetuar në shekullin e shtatë pr.e.s, përmend se origjina e Helenëve ishin grekët.

Në mitologjinë greke, Heleni, themeluesi i Helenëve, ishte djali i Deukalionit, i cili sundoi rreth Fthias me Pirrën, të vetmet të mbijetuar pas përmbytjes së madhe. Duket se miti u shpik kur fiset greke filluan të ndaheshin nga njëri-tjetri në zona të caktuara të Greqisë dhe kjo tregon origjinën e tyre të përbashkët.

Përdorimi i parë i ‘Graikoi’ si ekuivalent me helenët gjendet te Aristoteli për Dorët në Epir nga Graii, një emër vendas i popullit të Epirit. Ai vendos selinë e këtyre "grekëve" më të lashtë në rajonin e lumit Akhelous rreth Dodonës, ku sipas tij duhet të ketë ndodhur përmbytja e madhe e Deukalionit.[6]

Historiani klasik gjerman Georg Busolt (1850–1920) nxjerr përfundimin se Graikos quhej një “banor i Graia-s”, një qytet në bregdetin e Beotias.

Busolt pohoi se emri iu dha nga romakët fillimisht kolonistëve grekë të ardhur nga Graia, të cilët ndihmuan në themelimin e Kumaes, qyteti i rëndësishëm në Italinë jugore, ku popujt italikë u ndeshën fillimisht me grekët, dhe më pas me të gjithë grekëve të tjerë.[7]

Temri ‘Helenët’ në kuptimin më të gjerë të fjalës shfaqet me shkrim për herë të parë në një mbishkrim nga poeti arkadian Ekhembrotus, kushtuar Heraklesit (Herkulit) për fitoren e tij në Lojërat Amfiktionike, dhe i referohet Olimpiadës së 48-të (584 pr.e.s).

Simonidi i Keosit në epigramin e tij mbi varrin e Athinasve që u vranë në Betejën e Maratonës (490 pr.e.s) shkroi "Ἑλλήνων προμαχοῦντες Ἀθηναῖοι Μαραθῶνι…" "Duke luftuar në ballë të helenëve, athinasit në maratonë…" dhe pas luftërave greko-persiane, në Delfi u shkrua një mbishkrim që festonte fitoren mbi persët dhe e quante spartanin Pausanias (479 pr.e.s) gjeneralin kryesor të helenëve.[8]

Ndërgjegjësimi për një unitet panhelenik u promovua nga festat fetare, më e rëndësishmja në Misteret Eleusiniane, në të cilat nismëtarët e mundshëm duhej të flisnin greqisht, dhe pothuajse po aq e rëndësishme përmes pjesëmarrjes në katër Lojërat Panhelenike, duke përfshirë Lojërat Olimpike, në të cilat pjesëmarrësit ishin ekskluzivisht grekë dhe të njohur nga përkatësia fisnore.

Shoqëritë fisnore të Veriut

Zhvillimi i gjenealogjive mitologjike të prejardhjes nga figura-themelues eponime, shumë kohë pas migrimit aktual drejt jugut të katër grupeve fisnore të njohura nga grekët, ndikoi në mënyrën se si perceptohej identiteti i fiseve veriore. Sipas legjendës më mbizotëruese, Heleni, djali i Deukalionit dhe Pirrhës, lindi nga nimfa Orseis tre djem, Eolin, Dorin dhe Ksuthin, secili prej të cilëve themeloi një fis kryesor të Hellas-Eolianëve, Dorët, Akeanët dhe Jonët.

Në kohën e Luftës së Trojës, epirotët (molosët, thesprotët dhe kaonët) nuk konsideroheshin helenë, sepse populli i quajtur kështu kufizohej atëherë në një fis të vogël në Thesali, anëtar i të cilit ishte Akili. Pasi emri u zgjerua për të gjithë popujt në jug të malit Olimp, megjithatë, ai ende la jashtë ata me origjinë të përbashkët që jetonin në veri. Një faktor që kontribuoi në këtë ishte mospjesëmarrja e tyre në Luftërat Persiane[9], të cilat konsideroheshin si një çështje jetike për të gjithë helenët; pas Luftërave Persiane, përfaqësuesit e këtyre fiseve u pranuan në Lojërat Olimpike dhe konkurruan së bashku me helenët e tjerë. Fakti që secili prej këtyre popujve veriorë në këtë kohë vazhdoi të jetonte si një etnos, ose një koleksion fisesh, nën një sistem politik arkaik monarkial, në krahasim me polisin (qytet shtet) demokratik ose oligarkik të jugut, ndikoi gjithashtu për t’i parë ata si "barbarë".[10]

Pushtimet e Aleksandrit të Madh konsoliduan ndikimin grek në Lindje duke eksportuar kulturën greke në Azi dhe transformuan përgjithmonë arsimin dhe shoqërinë në rajon. Isokrati deklaroi në fjalimin e tij ‘Panegyrikus’, duke folur për Athinën dhe Greqinë: "Dhe deri tani qyteti ynë ia ka kaluar pjesës tjetër të njerëzimit në mendime dhe në të folur saqë nxënësit e tij janë bërë mësuesit e pjesës tjetër të botës; dhe kjo ka sjellë që emri helen nuk sugjeron më një racë, por një inteligjencë, dhe se titulli Helen u aplikohet më shumë atyre që ndajnë kulturën tonë sesa atyre që ndajnë një gjak të përbashkët".

Me një reformim të vogël, qytetërimi helenistik është evoluimi i qytetërimit klasik grek në një qytetërim me përmasa globale, këtë herë të hapur për të gjithë. Në mënyrë të ngjashme, ‘Helenë’ evoluoi nga një emër kombëtar që nënkupton një grek etnik në një term kulturor që nënkupton këdo që e drejtonte jetën e tij sipas zakoneve greke.

Emrit Helen iu dha kuptimi "pagan" nga kisha e hershme e krishterë dhe e mbajti këtë kuptim deri në fund të mijëvjeçarit. Besohet se kontakti me hebrenjtë e krishterë bëri që disa të krishterë të përdorin termin helen si një mjet për diferencimin fetar. Hebrenjtë, ashtu si grekët, e dallonin veten nga të huajt, por ndryshe nga grekët, e bënin këtë sipas standardeve fetare dhe jo kulturore.

Dominimi romak i botës greke rriti prestigjin e institucioneve fetare që mbetën të paprekura. Të krishterët e hershëm i dallonin njerëzit sipas fesë, kështu që kuptimi i fjalës helen si një atribut kulturor u margjinalizua dhe më pas u zëvendësua nga elementi i saj fetar. Përfundimisht, të krishterët iu referuan të gjithë paganëve si helenë.

Zhvillimi drejt një kuptimi thjesht fetar ishte i ngadalshëm dhe i përfunduar afërsisht në shekullin II ose III pas Krishtit: burrështetasi athinas Aristeides, në Apologjinë e tij të shkruar për Perandorin Hadrian, i zgjodhi helenët si një nga popujt paganë përfaqësues të botës së bashku me egjiptianët dhe kaldaianët[11]. Më vonë, Klementi i Aleksandrisë raporton një shkrimtar të panjohur të krishterë, i cili emëroi të gjithë helenët e mësipërm dhe foli për dy kombe të vjetra dhe një të ri: kombin e krishterë.[12]

Përdorimi i helenit si një term fetar fillimisht ishte pjesë e një nomenklature ekskluzivisht të krishterë, por disa paganë filluan ta quanin veten në mënyrë rezistuese helen. Madje paganë të tjerë preferuan kuptimin e ngushtë të fjalës nga një sferë e gjerë kulturore në një grupim fetar më specifik. Megjithatë, kishte shumë të krishterë dhe paganë që kundërshtuan fuqishëm evolucionin e terminologjisë.

Emri helen me kuptimin "pagan" ka vazhduar deri në kohët moderne. Shumë grupe që mbrojnë një ringjallje ose rindërtim të adhurimit të perëndive olimpiane e quajnë veten politeistë helenë dhe fenë rekonstruksionizëm politeist helen ose helenizëm. Grupe të tilla jashtë Greqisë janë të kujdesshëm që të mos nënkuptojnë se, duke e quajtur veten helenë, ata e konsiderohen të kombit grek.

Maqedonë

Emri "Maqedonas", për të nënkuptuar në mënyrë familjare ushtarët grekë (etj) të cilëve Aleksandri i Madh ishte i pari hegjemon, përdoret nga - të paktën - burimet bashkëkohore kur i referohen periudhës helenistike, si ushtria e lashtë maqedonase, duke përfshirë somatofilaket e famshme (p.sh. Lysimaku) dhe, më vonë, diadokët e Aleksandrit, përbëhej nga luftëtarë nga fise të shumta dhe të ndryshme greke. Kështu, meqenëse spartanët (lakedemonët) nuk morën pjesë në fushatën e Aleksandrit, Aleksandri urdhëroi një herë që të dërgohej një mbishkrim, së bashku me disa plaçka lufte, në Athinë ku thuhej: "Aleksandri, i biri i Filipit, dhe të gjithë grekët, përveç Lakedemonëve…"[13]

Po kështu, termi "maqedonishte", ndërsa i referohej këtu dialekteve greke, përfundoi gjithashtu në kuptimin e greqishtes koine në burimet klasike[14], ndërsa dialektet e ndryshme kryesore të Greqisë së Lashtë u folën nga vendasit në Mbretërinë e mëvonshme të zgjeruar maqedonase, dhe megjithëse dialekti koine bazohej kryesisht në greqishten atike që flitej nga vendasit përreth Athinës.

Veçanërisht, gjatë sundimit të Kostandinit të Madh, i cili konsiderohet si Perandori i parë bizantin, u krijua Dioqeza e Maqedonisë, e cila përfshin kryesisht zonën që është Greqia moderne, me kryeqytet Selanikun.

Romei

Termi Romanë ose Rhomaioi (Romei) apo Romioi është emri me të cilin grekët njiheshin në mesjetë dhe gjatë sundimit osman. Emri në antikitet fillimisht nënkuptonte banorët e qytetit të Romës në Itali, por me rritjen e dhënies së shtetësisë romake për grekët dhe kombet e tjera të Perandorisë Romake, ai shpejt humbi lidhjen e tij me latinët.

Ky proces arriti kulmin në vitin 212 e.s, kur Kushtetuta Antoniniana e Perandorit Karakala u dha shtetësinë të gjithë njerëzve të lindur të lirë të Perandorisë. Në përgjithësi, fjala Rhomaios erdhi për të përfaqësuar banorët e helenizuar të Perandorisë Romake Lindore.

Pra emri ‘Helen’ fillimisht kishte rënë nga një term kombëtar në lashtësi, në një term kulturor në vitet helenistike, në një term fetar në vitet e hershme të krishtera. Me rënien e paganizmit dhe ringjalljen e dijes në Perandorinë Bizantine, ajo kishte rifituar kuptimin e saj kulturor dhe më në fund, në shekullin e 11-të, ajo ishte kthyer në formën e saj të lashtë kombëtare të një "greke etnike", sinonim në atë kohë me "romanoi".

Rrëfimet nga shekulli i 11-të e tutje (nga Anna Komnene, Michael Psellos, etj,) vërtetojnë se ringjallja e termit helen (si një zëvendësim i mundshëm për termat etnikë si Graikos dhe Romaios) kishte ndodhur. Për shembull, Anna Komnene shkruan për bashkëkohësit e saj si helenë, por nuk e përdor fjalën si sinonim për një adhurues pagan. Për më tepër, Anna mburret me arsimimin e saj klasik helen, dhe flet si një greke amtare dhe jo si një e huaj që mësoi greqisht.

Pas rënies së Kostandinopojës nga kryqtarët, nacionalizmi grek u theksua. Niketas Khoniates këmbënguli në përdorimin e emrit "Helenët", duke theksuar zemërimin e "latinëve" kundër "helenëve" në Peloponez dhe sesi lumi Alfeios mund t'ua çonte lajmin barbarëve në Siçili, normanëve. Nikephoros Blemmydes iu referua perandorëve bizantinë si helenë dhe Theodore Alanias shkroi në një letër drejtuar vëllait të tij se "atdheu mund të jetë pushtuar, por Hellas (Greqia) ekziston ende brenda çdo njeriu të mençur”.

Perandori i dytë i Nikeas, Gjon III Doukas Vatatzes, shkroi në një letër drejtuar Papës Gregori IX për mençurinë që "bie shi mbi kombin helen".

Ai pohoi se transferimi i autoritetit perandorak nga Roma në Kostandinopojë ishte kombëtar dhe jo gjeografik, dhe për këtë arsye nuk i përkiste latinëve që pushtuan Kostandinopojën: trashëgimia e Kostandinit iu kalua helenëve, kështu që ai argumentoi, dhe vetëm ata ishin trashëgimtarët dhe pasardhësit e saj. [15]Djali i tij, Theodori II Laskaris, ishte i etur për të projektuar emrin e grekëve me zell të vërtetë nacionalist. Ai theksoi se "raca helene shtrihet mbi të gjitha gjuhët e tjera" dhe se "çdo lloj filozofie dhe formë dijeje është një zbulim i helenëve […]. Çfarë ke për të treguar, o italian?"

Evolucioni i emrit ishte i ngadaltë dhe nuk e zëvendësoi plotësisht emrin "Romak". Perandori Joanis VI Kantakouzenos, një përkrahës i madh i arsimit grek, në kujtimet e tij i referohet gjithmonë bizantinëve si "romakë", megjithatë, në një letër të dërguar nga sulltani mamluk, An-Nasir Hasan, i referohej atij si " Perandor i Helenëve, Bullgarëve, Sasanëve, Vllahëve, Rusëve, Alanëve" por jo i "Romakëve".[16]

Bizantinë

Termi "Perandoria Bizantine" zakonisht kuptohet se është prezantuar në vitin 1557, rreth një shekull pas rënies së Kostandinopojës, nga historiani gjerman Hieronymus Wolf, i cili prezantoi një sistem historiografie bizantine në veprën e tij ‘Corpus Historiae Byzantinae’ për të dalluar romakun e lashtë. nga historia mesjetare greke pa tërhequr vëmendjen te paraardhësit e tyre të lashtë.

Historiani dhe politikani britanik Edward Gibbon i shekullit 18-të propozoi që ‘Perandoria Bizantine’ të quhej Perandori Greke (për shkak të gjuhës greke zyrtare që ajo përdorte). Po kështu preferonin edhe historianët francezë.[17] Gjithsesi bizantinët e kanë quajtur veten gjithmonë romei në përgjithësi.

Më vonë, mungesa e një shteti bizantin çoi gradualisht në margjinalizimin e emrit romak dhe lejoi që emri Helen të rishfaqet si emri kryesor kombëtar. Dionis Pirro kërkon përdorimin ekskluziv të emrit Helenë në Keiragogjinë e tij:

"Kurrë mos dëshironi ta quani veten romakë, por helenë, sepse romakët nga Roma e lashtë skllavëruan dhe shkatërruan Heladën (Greqinë)”.

Autori anonim i “The Hellenic Realm of Law”, botuar në vitin 1806 në Pavia të Italisë, flet për helenët: “Ka ardhur koha, o helenë, të çlirojmë shtëpinë tonë”[18].

Udhëheqësi i Luftës së Pavarësisë së Greqisë e filloi Deklaratën e tij me një frazë të ngjashme me atë të mësipërme: "Ka ardhur koha, o burra, helenë". Pasi emri u pranua nga udhëheqja shpirtërore dhe politike e vendit, ai u përhap me shpejtësi në popullatë, veçanërisht me fillimin e Luftës së Pavarësisë Greke, ku shumë udhëheqës naivë dhe figura lufte bënë dallimin midis romakëve të dembelë dhe helenëve rebelë. Gjenerali Theodor Kolokotronis në veçanti theksoi që trupave të tij revolucionare t'u drejtohej gjithmonë si helenë dhe mbante pa ndryshim një përkrenare të stilit të lashtë grek.

Qytetarët e shtetit të sapopavaruar quheshin “helenë” duke e bërë edhe më të qartë lidhjen me Greqinë e lashtë.

Prirja klasiciste u balancua shpejt nga Ideja e Madhe Greke që kërkonte të rimerrte Kostandinopojën dhe të rivendoste Perandorinë Bizantine për të gjithë grekët. Siç deklaroi kryeministri, Ioannis Kolettis, para Parlamentit në 1844, "Mbretëria e Greqisë nuk është Greqi; ajo është vetëm një pjesë e saj, një pjesë e vogël dhe e varfër e Greqisë […]. Ka dy qendra të mëdha të helenizmit. Athina është kryeqyteti i Mbretërisë, Kostandinopoja është kryeqyteti i madh, qyteti, ëndrra dhe shpresa e të gjithë grekëve”.[19]


Referime

  1. ^ C. Mossé. (1984). La Grèce archaïque d'Homère à Eschyle (në frengjisht). Editions du Seuil, Paris. fq. 12.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
  2. ^ Engels, Johannes (2010). "Macedonians and Greeks". In Joseph Roisman and Ian Worthington's A Companion to Ancient Macedonia (në anglisht). Oxford, Chichester & Malden: Wiley-Blackwell,. fq. 81–98.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Pikësim shtesë (lidhja)
  3. ^ Chadwick, John (1976). The Mycenaean world (në anglisht). London: Cambridge: Cambridge University Press. fq. 1-3. ISBN ISBN 0-521-29037-6.. {{cite book}}: Shiko vlerën e |isbn=: simbol i palejuar (Ndihmë!)
  4. ^ O. R. Gurney (1975). The Hittites (në anglisht). Oxford University Press. fq. 15.
  5. ^ Aeschines, II (On the Embassy), 115; see also Strabo, IX.3.7, and Pausanias, X.8.2–5 (në anglisht).
  6. ^ Aristotle (1863). Meteorologica, I, 352b (në frengjisht).{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
  7. ^ entry in Douglas Harper's Online Etymology Dictionary (në anglisht).
  8. ^ Thucydides. Histories, I.132 (në anglisht).
  9. ^ Herodotus. Histories, IX.45 (në anglisht).
  10. ^ Hammond., Nicholas G.L (1986). A History of Greece to 322 BC (në anglisht) (bot. 3rd). Oxford: Oxford University Press.
  11. ^ Aristides (1891). Apology (në anglisht).
  12. ^ Clement of Alexandria. Miscellanies, 6.5.41 (në anglisht).
  13. ^ Arrian (1849). Anabasis Alexandri, 2.7.4 (në latinisht).
  14. ^ C. Brixhe, A. Panayotou, (1994). «Le Macédonien» in Langues indo-européennes (në frengjisht). fq. 208.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Pikësim shtesë (lidhja)
  15. ^ Vatatzes, John (1872). Ανέκδοτος επιστολή του Αυτοκράτορος Ιωάννου Δούκα Βατάτση προς τον Πάπαν Γρηγόριον, ανεβρεθείσα εν Πάτμω (= "Unpublished Letters of Emperor John Vatatzes to Pope Gregory, discovered in Patmos"), in Athenaion I (në greqisht) (bot. 369–378).
  16. ^ Laskaris, Theodore. Christian Theology (në anglisht).
  17. ^ Gibbon, Edward. Decline and Fall of the Roman Empire; Alexandre Rambeau, L'empire Grecque au Xe siecle (në anglisht).
  18. ^ Ioannes Philemon, (Ιωάννης Φιλήμων, 1799–1874) (1859). Δοκίμιον ιστορικόν περί της ελληνικής Επαναστάσεως (= "Historical Essay on the Greek Revolution"), Vol. 2 (në 79). Athinë.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Emra shifrorë: lista e autorëve (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  19. ^ Hamilakis, Yannis (2007). The Nation and Its Ruins: Antiquity, Archaeology, and National Imagination in Greece (në anglisht). Oxford University Press. fq. 114–115.