Jump to content

Gjuha estoneze

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Estonishtja)
Gjuha estoneze
RajoniEvropë
Folës amtare
1.1 milion
Familje gjuhësore
Gjuhët fino-ugrike
  • Gjuha estoneze
Statusi zyrtar
Gjuhë zyrtare në
Estoni
Kodet gjuhësore
ISO 639-1et
ISO 639-3

Gjuha estoneze (estonishtja) është gjuhë që flitet nga rreth 1.1 milionë folës në Estoni dhe në komunitetet e emigrantëve estonezë, këta të fundit gjenden kryesisht në Suedi, Finlandë, Kanada, SHBA dhe vende të tjera të BE-së. Gjuha estoneze është gjuhë e ngjashme me finlandishten, dhe bën pjesë në familjen e gjuhëve fino-ugrike, dhe disa studime e lidhin këtë familje dhe me familjen e gjuhëve uralike.

Gjuha estoneze bën pjesë në degën finike të grupit të gjuhëve fino-ugrike. Finlandishtja, hungarishtja dhe estonishtja janë gjuhët më të njohura të këtij grupi; gjuhë të tjera në këtë grup janë: gjuha vote, livone, ingriane, vepse, kareliane, sami, eryja, moksha, mari, udmurt dhe komi, gjuhë të folura nga Skandinavia deri në Siberi.

Gjuha estoneze ka dy dialekte kryesore, atë të veriut dhe atë të jugut. Dialektet e jugut janë Võro dhe Seto.

Alfabeti i gjuhës estoneze ka 27 shkronja, të cilat janë:

A, B, D, E, F, G, H, I, J, K, L, M, N, O, P, R, S, Š, Z, Ž, T, U, V, Õ, Ä, Ö, Ü

Shkronjat F, Š, Z dhe Ž gjenden kryesisht në fjalët e huazuara nga gjuhë të tjera. Gjuha estoneze është gjuhë fonetike që do të thotë që çdo shkronjë shqiptohet ashtu siç është shkruar.

Ajo që e bën të dallueshme gjuhën estoneze nga gjuhë indoevropiane p.sh. është mungesa e gjinisë në fjalët e saj, 14 rasa për ndajshtimin e emrave dhe zanoret e gjata dhe të shkurtra. P.sh. ma (unë) dhe maa (tokë) shqiptohen: e para me A të shkurtër dhe e dyta me A të gjatë. Mosshqiptimi i saktë i zanoreve të gjata sjell ngatërrimin me fjalë të ndryshme. Gjuha estoneze gjithashtu ka një numër të vogël të kohëve të zgjedhimit të foljeve; në estonisht kemi vetëm të tashmen, të shkuarën dhe kushtoren. E ardhmja nuk gjendet si kohë foljeje, por shprehet duke vënë të tashmen plus ndajfolje. P.sh. Ma lähen koju homme që përkthehet fjalë për fjalë shkoj në shtëpi nesër. Ndryshe nga shqipja dhe njësoj si anglishtja, rendi në estonisht është mbiemër-emër, p.sh. ilus maja (bukur shtëpi).

Estonishtja ka shumë fjalë të huazuara nga gjermanishtja, pastaj vijnë fjalë nga suedishtja, finlandishtja dhe rusishtja. Shembuj fjalësh estoneze janë:

estonisht shqip
jah po
ei jo
minu nimi on emri im është
palun ju lutem
vabandust më fal
tere përshëndetje
kuidas läheb? si jeni?
aitäh falemnderit
nägemist shihemi
hästi mirë
üks një
kaks dy
kolm tre
neli katër
albaania keelt gjuha shqipe
maja shtëpi
maa tokë
kes kush
kus ku
meri det
poiss djalë
tüdruk vajzë

Shembuj në estonisht

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tallinna linna ja linnaomavalitsuse ajaloos, mille pikkust võib mõõta rohkem kui seitsme ja poole sajandiga, leidub nii helgeid kui ka süngeid peatükke.

Në shqip :

Historia e qytetit të Talinit dhe bashkisë së tij, një histori që shtrihet në shtatë shekuj e gjysmë, ka kapitujt e saj të ndritur e të zymtë.