Jump to content

Jasharët

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Familja e Adem Jasharit)

Familja Jashari apo Jasharët janë një familje nga Drenica, Kosovë, e njohur gjerësisht për kontributin e tyre në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës. Anëtarët më të shquar të kësaj familjeje janë Adem dhe Hamëz Jashari, të cilët u bënë heronj kombëtarë për rezistencën e tyre ndaj forcave serbe gjatë viteve të 1990-ta. Adem Jashari, si një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), udhëhoqi një sërë operacionesh kundër regjimit serb, duke u bërë simbol i luftës për liri dhe pavarësi. Familja Jashari dhe sakrifica e tyre kanë një vend të veçantë në kujtesën dhe historinë e Kosovës.

Historia e Jasharëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Çlirimi i Kosovës është vepër e disa brezave të popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar. Lëvizja Kombëtare për çlirim nga pushtuesi serb ka vazhduar që nga viti 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër padrejtësisht përgjysmoi Shqipërinë dhe la jashtë kufijve të saj më shumë se gjysmën e popullit shqiptar.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët, përveç ëndrrës për çlirim dhe bashkim kombëtar, patën krijuar edhe iluzione të ushqyera si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, se pas Luftës do të bashkoheshin tokat shqiptare dhe do të formohej Shqipëria etnike. Për këtë çështje nuk munguan përpjekjet, fillimisht nga e djathta shqiptare, një pjesë e së cilës kishte rënë në prehrin e fashizmit, dhe nga e majta shqiptare, madje edhe ajo jugosllave, se pas Luftës Nacionalçlirimtare, Kosova do t’i bashkohej Shqipërisë. Mbi bazën e këtij deklarimi, Këshilli Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, në Konferencën e Bujanit të 31 dhjetorit 1943 dhe 1 e 2 janarit 1944, ishte deklaruar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Këto iluzione u shuan më 8-10 korrik 1945, kur në Konferencën e Komitetit Krahinor në Prizren vendosën që Kosova t’i aneksohej Serbisë, me arsyetimin se Serbia ishte më e zhvilluar dhe kishte më shumë mundësi se Shqipëria për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të Kosovës?! Kështu Serbia zyrtarizoi pushtimin e ri mbi Kosovën, por në asnjë kohë nuk arriti ta shuajë ëndrrën e shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Lëvizja Kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar, edhe pse në kushte të vështira të një robërie të egër, të një pushtimi klasik, të një terrori shovinist dhe komunist jugosllav, në asnjë kohë nuk e ndali veprimtarinë politike në kushte klandestiniteti. Kjo veprimtari e Lëvizjes Kombëtare arriti kulmin e organizimit dhe veprimit në tri dekadat e fundit të shekullit XX. Maja e kësaj Lëvizje është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila duke qenë një instrument i fuqishëm i bashkimit përtej të djathtës dhe të majtës shqiptare, madje edhe përtej shqiptarëve, arriti ta realizojë një pjesë të madhe të aspiratës kombëtare. Fitorja që arriti populli shqiptar, i ndihmuar nga komuniteti ndërkombëtar në qershor të vitit 1999, është një fitore e madhe. Vetëm idealistët e kishin besimin e patundur në këtë fitore, prandaj i kishin hyrë planifikimit, organizimit dhe veprimit të guximshëm ushtarak për çlirimin e Kosovës.

Është e natyrshme që në këtë planifikim e realizim të madh kombëtar, organizata dhe individë të ndryshëm të kenë pasur ndikimin dhe kontributin e tyre të pamohueshëm. Shikuar në këtë rrafsh, ndikimi i familjes Jashari ka të veçantat e saj dalluese, të pakrahasueshme, unike dhe përcaktuese në këtë fitore të madhe kombëtare të arritur në kapërcyell të shekullit të kaluar.

Që nga fillimi i shekullit XX, Drenica bëhet një nga qendrat e Lëvizjes Kombëtare për çlirim. Në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të shekullit të kaluar, Prekazi është dalluar për veprime të guximshme dhe të rëndësishme kombëtare. Historia na tregon për qëndresën burrërore të Ahmet Delisë i cili me sëpatë u ndesh suksesshëm me bandat çetnike serbe. Kjo qëndresë do të vazhdonte gjatë viteve të Lëvizjes Kaçake dhe më pas në Luftën e Drenicës, 1944 – 1945.

Prekazi u dallua edhe në vitin e parë të Pranverës shqiptare, kur më 13 maj 1981, Tahir dhe Nebih Meha luftuan trimërisht kundër njësive speciale jugosllave. Në këtë kohë në skenë nis të dalë familja Jashari, Shaban Jashari me të bijtë, Hamzën dhe Ademin, të cilët mbi varret e dëshmorëve, Tahir dhe Nebih Meha, betohen se do të vazhdojnë luftën për çlirimin e bashkimin e kombit. Gjenealogjia e familjes Jashari është e vjetër. Prekazi i Poshtëm përbëhet prej katër lagjeve: lagjja Jasharaj, Kodra, Meha dhe Lushtaku. Tri lagjet e para janë krijuar prej tre vëllezërve: Jasharit, Kadriut dhe Mehës, prandaj edhe janë të një gjaku, ndërsa Lushtakët janë të ardhur më vonë në Prekaz. Jashari ka pasur tre djem, ndërsa familja e Adem Jasharit rrjedh prej djalit të tretë të Jasharit, Muratit, prej të cilit pastaj janë krijuar brezat e tjerë të familjes tonë: Fazliu, Murati, Shabani. Shabani (Murat) Jashari, ishte martuar me Zahiden dhe i kanë lindur tre djem: Rifati, Hamza dhe Ademi. Kështu, trungu i familjes Jashari vazhdon të zgjerohet dhe të shtohet dita ditës duke u ripërtërirë breza të tërë.

Mirëpo, Shaban Jashari dashurinë për komb dhe atdhe e kishte shfaqur që në vitet '50 të shekullit të kaluar, por rezistenca më serioze dhe publike e familjes Jashari që do të marrë dhenë ndodh në dhjetor të vitit 1991, kur me armë u ndeshën me forcat policore serbe. Në mëngjesin e 30 dhjetorit, forca të mëdha policore serbe ia kishin mësyer Jasharëve për të burgosur Adem Jasharin dhe formacionin e tij të armatosur. Në histori ka edhe ngjarje të rastësishme, por kjo e familjes Jashari, për Adem Jasharin dhe formacionin e tij të armatosur nuk ishte rastësi, ishte ngjarje e pritur, e përgatitur, e planifikuar dhe e realizuar me sukses.[1]

  1. ^ "Historia e familjes Jashari". Arkivuar nga origjinali më 20 nëntor 2011. Marrë më 17 qershor 2012. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)