Kërceni tek përmbajtja

Hamëz Jashari

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Hamëz Jashari
Lindur më19 Shkurt 1950
Prekaz, rajoni i Drenicës, Komuna e Skënderajit, Kosovë
Vdekur më7 Mars 1998
Prekaz, Komuna e Skënderajit, Kosovë
Në aleancë me Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)
Vite shërbimi1991 – 1998
GradaKomandant[nevojitet citimi]
Betejat/luftratLufta e Kosovës
ÇmimetUrdhëri Hero i Kosovës (pas vdekjes)

Hamëz Jashari (19 Shkurt 19507 Mars 1998) ishte njëri nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vëllau i kryekomandantit të UÇK-së Adem Jasharit. Lindi më 19 Shkurt 1950 në fshatin Prekaz të PoshtëmKomunës së Skënderajit, rajoni i Drenicës, në Kosovë dhe ra dëshmorë më 7 Mars 1998 po në të njëjtin fshat, gjatë Sulmit në Prekaz. Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Hamëz Jashari ka lindur më 19 shkurt të vitit 1950. Ai ishte fëmija i tretë i familjes së Shaban Jasharit. Shkollimin fillor e kreu në Skënderaj, ku mbaroi edhe shkollën e mesme. Qysh gjatë kohës së shkollimit të mesëm, Hamza shquhet për aktivitete në fushën e aktrimit. Me këtë aktivitet ai u mor edhe më vonë, sidomos gjatë viteve ’80. Në këtë kohë, në skenën e teatrit amator të Skënderajt kishte realizuar me sukses një varg personazhesh të dramave të autorëve të ndryshëm shqiptarë. Sidomos ishte shquar në interpretimin e rolit të Marash Palit në dramën heroike “Shtatë shaljanët” të dramaturgut Ndrekë Luca. Kishte interpretuar edhe rolin e Dyl Mehmetit në dramën “Fosilet” të A. Shkrelit, atë të Zarit në dramën “Agu” të Din Mehmetit e persanazhe të tjera. Përveç talentit për aktrim, Hamëz Jashari kishte prirje edhe në fushën e artit figurativ. Ai kishte një botë të pasur ndiesore dhe pasion të pashuar për artin dhe fjalën artistike. Veç të tjerash, ai edhe i këndonte me përkushtim këngët epike, heroike dhe këngët e trimërisë. Duke qenë pjesëtar i një familjeje me traditë të edukatës patriotike, Hamza, qysh në rininë e hershme ishte pajisur me këtë edukatë. Si kudo në Drenicë, edhe në odën bujare të Shaban Jasharit, në Prekaz, ruhej i sublimuar kujtimi për Azem Galicën, Qerime Halilin, Hasan Prishtinën, Ahmet Delinë, Shaban Polluzhën, Rifat Berishën e për shumë trima e trimëresha të tjerë. Hamza u këndonte trimave, interpretonte rolet për ta dhe ishte nisur në rrugë për të hyrë edhe vetë në këngën e përjetësisë.

Hamza kreu Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Punoi në Fabrikën e Municionit të Gjuetisë në Skënderaj. Edhe gjatë viteve të shkollimit, por edhe më pas në vendin e punës, kishte krijuar një rreth të gjerë shokësh e dashamirësh. Ai dallohej me një qëndrim të theksuar shoqëror. Me rastin e shpërthimit të demonstratave studentore, në mars dhe në prill të vitit 1981, Hamza, së bashku me vëllanë, Ademin, me dajën Osman Geci dhe me shumë shokë e bashkëpunëtorë të tjerë, mori pjesë në de-monstratat e mbajtura më 3 prill, në Skënderaj. Më 13 mars të po atij viti, pas qëndresës heroike në kullën e tyre, të Tahir Mehës dhe të Nebih Mehës, të cilët rezistuan me armë kundër forcave policore e ushtarake jugosllave, në Prekaz, Hamza së bashku me babanë Shabanin, me vëllanë, Ademin, e me disa bashkëfshatarë të tjerë merr pjesë në varrimin e këtyre dy dëshmorëve. Pjesëmarrja në këtë varrim ishte edhe betim i heshtur për të vazhduar rrugën e lirisë. Në vitin 1990, administrata okupatore serbe i kishte aplikuar masat e dhunshme edhe në Fabrikën e Municionit të Gjuetisë në Skënderaj, ku po punonte Hamza. Pas këtij rasti ai po preokupohej për sasinë prej njëzet to-nësh barut, që ndodhej në Fabrikë. Duke qenë se asokohe ishte shembur sistemi- njëpartiak i veprimit politik dhe në Kosovë ishte formuar një numër partish politike, Hamza anëtarësohet në Partinë Republikane të Kosovës, i joshur nga pjesa e programit ku parashihej edhe mundësia e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës. Ai i kishte kuptuar seriozisht fjalët e hartuesit të programit, mirëpo më vonë ishte bindur se fjalët e mëdha s’kishin qenë tjetër veçse një farsë, ashtu sikurse të gjitha programet stereotipe.të partive pacifiste të Kosovëss Në një bisedë që Hamza kishte zhvilluar asokohe me një zyrtar pacifist, ishte bindur përfundimisht se lufta e armatosur çlirimtare nuk kishte alternativë. Ai i kishte bërë publike qëndrimet e tij gjatë një tubimi në një mbledhje partiake dhe legalisht para të pranishmëve kishte paralajmëruar min e tij dhe të bashkëmendimtarëve, jo vetëm nga rrethi i ngushtë familjar.

– Ne i kemi tubuar disa armë dhe do të rezistojmë, – kishte thënë Hamza.

Hamza ishte në dijeni të stërvitjeve që në vjeshtë të vitit 1991, i kishte bërë vëllai, Ademi, në kazermën e ushtrisë shqiptare në’ Tiranë. Ai, po ashtu, ishte i ndërgjegjshëm edhe për pasojat e mundshme, mirëpo, e kishte ndarë me kohë mendjen.

Sulmet në Prekaz

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Artikulli kryesor:Sulmi në Prekaz

Përleshja e parë ndaj Familjes Jashari

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 30 dhjetor 1991, forca të mëdha policore serbe, të mbështetura edhe nga forcat ushtarake jugosllave, rrethuan shtëpinë e Shaban Jasharit në Prekaz. Sigurimi Shtetëror Serb ishte në dijeni për arritjen e këtyre luftëtarëve në Prekaz. Në Kullë ndodheshin: Adem Jashari, me vëllezërit Rifatin dhe Hamzën dhe me bashkëluftëtarët, Sahit Jashari, Fadil Kodra e me trima të tjerë të Kodrajve e të Lushtakëve të Prekazit. Përleshja kishte zgjatur prej mëngjesit e deri në orën 15:00 të asaj dite. Trimave të lirisë u kishin shkuar në ndihmë qindra liridashës të tjerë, në mesin e tyre edhe daja i Adem Jasharit, Osman Geci, nga Llausha. Meqenëse bërthamës çlirimtare, në krye të së cilës ishte Adem Jashari, po i arrinin përforcime nga të gjitha anët, forcat serbe u detyruan të tërhiqen. Ato e kishin kuptuar se luftëtarët e lirisë po i mbanin armët për të luftuar kundër tyre. Prej 30 dhjetorit të vitit 1991, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij nuk e ndërprenë luftën e armatosur kundër pushtuesit serb, deri në çlirimin e Kosovës. Ai edhe ishte i zgjedhuri i trimave dhe asnjë nga shokët nuk e kishte vënë në dyshim asnjëherë pozitën e tij të prijësit. Adem Jashari tashmë ishte bërë komandant legjitim i formacioneve ushtarake çlirimtare, që më vonë do të quhen UÇK-ja. Ai ishte në dijeni paraprakisht për të gjitha aksionet që ishin kryer kundër forcave serbe në Kosovë, që prej vitit 1991 deri më 1998. Në shumicën e këtyre aksioneve ai kishte marrë pjesë edhe vetë. Gjatë periudhës së viteve 1991-1994, vetëm në Skënderaj e në Drenas, në këto aksione janë vrarë dhjetëra policë. Ndërsa më 23 mars të vitit 1993, me urdhërin e komandantit Adem Jashari, në udhëkryqin e hekurudhës në Drenas, është sulmuar automjeti i policisë serbe, me ç’rast janë vrarë 5 dhe janë plagosur 6 policë serbë. Këtë aksion e kishin kryer Sami Lushtaku, Ilaz Kodra dhe Rafet Rama. Gjatë viteve të veprimtarisë ilegale guerile, Adem Jashari ka koordinuar pothuajse të gjitha aksionet që kanë ndodhur, jo vetëm në Drenicë, por në mbarë Kosovën. Në vjeshtë të vitit 1994, Shërbimi Sekret Serb zë në befasi dhe e arreston njërin prej bashkëveprimtarëve të Adem Jasharit, Besim Ramën nga Prekazi. Në procesin gjyqësorë të organizuar kundër tij, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i dënoi prej 6 deri në 20 vjet burg: Adem Jasharin, Besim Ramën, Ilaz Kodrën, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Nuredin Lushtakun, Sami Lushtakun, Sahit Jasharin, ldriz Asllanin, Ali Jonuzin dhe Jakup Nurën. Adem Jashari u dënua me 20 vjet burg në mungesë. Për aktivitetin luftarak, qëllimin e Adem Jasharit dhe të bërthamës së tij çlirimtare, e dinin edhe politikanët pacifistë shqipfolës, të cilët këto zhvillime i përcillnin me skepticizëm dhe mosbesim. Kishte edhe raste kur aktiviteti i tij interpretohej me dubioza të liga dhe me kualifikime antikombëtare. Prania e grupeve të armatosura ilegale në Kosovë, në gjysmën e dytë të viteve 90-ta, shkaktoi konfuzione të caktuara në rrjedhat politike. Të gjithë kryetarët e partive politike pacifiste, pa dallim, u distancuan nga aktiviteti ushtarak i këtyre grupeve çlirimtare të udhëhequra nga Adem Jashari dhe konfirmuan para faktorit ndërkombëtar, si alternativë të vetme, lëvizjen pacifiste.

Më 25 nëntor 1997, policia serbe kishte pësuar disfatë në Lagjen Binakaj të Vojnikut, në përpjekje për ta arrestuar luftëtarin Abedin Sokol Rexha në Rrezallë të Re. Të nesërmen, më 26 nëntor, forca të shumta të policisë ishin nisur në relacionin Skënderaj-Llaushë-Rrezallë e Re. Në vendin e quajtut Klisyra, në drejtim të Turiqecit, kishte zënë pritë komandanti Adem Jashari me njëzet luftëtarët e tij. Atë ditë, forcat serbe, në këtë pritë, u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u linte shteg për t’i akorduar veprimet luftarake. Forcave policore u kishte shkuar në ndihmë një helikopter ushtarak, i cili vërtitej mbi vendbetejë. Piloti nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem jasharit. Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skënderajt, forcat serbe qëllojnë shkollën e fshatit Llaushë, me ç’rast merr plagë vdekjeje mësuesi Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha. Serbët kthehen të mundur. Shtypi, i quajtur i lirë dhe i pavarur i Beogradit e përshkruan ngjarjen, duke u mbështetur kryesisht në versionin zyrtar serb. Pranohet botërisht humbja e betejës, por paralajmërohen ndeshje të reja. Pranohet po ashtu fakti se policia serbe qysh moti e kishte humbur kontrollin gjatë natës në Drenicë, ndërsa tanimë po e humbiste kontrollin edhe gjatë ditës. Shtypi zyrtar i Beogradit propagandonte me të madhe se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Evropës dhë nga ato islamike. Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetmë për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb. Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim, për UÇK-në, konfirmonin plebishitin alternativ të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit Adem Jashari, tanimë lëviznin lirshëm në Drenicë dhe në Dukagjin.

Më 22 janar 1998 në Prekaz kishte pasur luftime në mes familjes Jashari në njërën anë dhe forcave serbe në anën tjetër.[1] Atë ditë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme. Plagë kishin marrë disa anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës që shfaqën ndaj sulmit, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen.[1]

Kulla dhe shtëpia e Adem Jasharit, të shkatërruara gjatë Sulmit në Prekaz.

Artikulli kryesor:Sulmi në Prekaz

Në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Serbe dhe forcat paraushtarake serbe. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar me 100 policë serbë. Sulmi zgjati 3 ditë dhe 2 netë.

Forcat Serbe filluan sulmin pa asnjë paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat e automatikëve dhe mitralozëve. Nga një shtëpi, policia serbe qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjërë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për 52 orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.

Organizata "Amnesty International", në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej 58 persona janë vrarë, në mesin e tyre 18 ishin gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm vajza e vogël e familjes, Besarta Jashari, e cila asokohe ishte vetëm 11 vjeçare.

Nga ana tjetër televizioni serb "B-92" lajmëroi për 62 policë serbë të vrarë në Prekaz.

  1. ^ a b Kallxo (2024-01-22). "26 vjet nga sulmi i dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz". Raporto Korrupsionin! KALLXO.com (në anglisht). Marrë më 2024-12-16.