Jump to content

Filip Fishta

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Filip Ndoc Fishta)

Filip Fishta (Shkodër, 28 prill 1904 - 1973) ka qenë studiues letërsie, bibliotekist, bibliograf, përkthyes dhe njohës arkivash.

U lind më 28 prill 1904 në lagjen Arra e Madhe në Shkodër, i biri i Ndocit dhe i Çile Shirokës.[1]

Po në vendlindje ndoqi mësimet fillore në Kolegjën Saveriane të drejtuar nga Etërit Jezuitë. Studimet e mesme dhe të larta i kreu në Jugosllavi. Mbaroi Universitetin e Beogradit duke pasur si profesor ballkanologun Henrik Bariç. Ka punuar si lektor në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare të Universitetit të Beogradit dhe "Lektor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe" në "Ecole Nationale des Langues Orientales Vivantes", në Paris, nën drejtimin e M. Roques.[2]

Në vitin 1933 emërohet në Elbasan, ndërsa në vitin 1934-1935, në Shkodër. Më 1938 emërohet në Tiranë, në Institutin "Nana Mbretneshë", ku vazhdon duke punuar deri në mars të vitit 1944.[1] U emërua dhe drejtoi Bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare.[2]

19 janar 1945 arrestohet, i akuzuar si kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar, se me artikujt e tij pati shpërndarë idetë fashiste anë e kënd vendit. Me datën 11 qershor 1945, Trupi Gjykues e dënon me 30 vjet burg me heqje lirie dhe konfiskim “pasurie”.[1]

Më 1941 shkroi një polemikën “Shqipnia jonë” kundër Cordignano-s në: “Rivista d’Albania". Fishta ka shkruar në të përkohshmet Tomori i vogël, Hylli i Dritës, Shkëndija, Shkolla Kombëtare, Balli i Rinisë, “Drini” dhe Fashizmi.

Qe bashkautor në hartimin e një fjalori latinisht-shqip, botuar në Shkodër më 194.[1]

  1. ^ a b c d "Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist v. II (D-G)" (PDF). iskk.gov.al. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit. 2013. fq. 306. ISBN 978-9928-168-01-6.
  2. ^ a b Çuni, Gjovalin (2005). "Filip Fishta, gjurmuesi i historisë shqiptare në arkivat dhe bibliotekat e Evropës" (PDF). Bibliothecae (6): 23–33.