Foli shoferit!
Ky artikull dyshohet nga vërtetësia pasi nuk ka mjaft referenca ose nuk ka asnjë referencë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Foli shoferit! : studim për dëgjueshmërinë e radios dhe të burimeve të personalizuara audio në makina në 5 qarqe të Shqipërisë. Autori: Arben Muka. Botuar nga "M & B". Tiranë, 2012. Faqet e librit 70.
Studim pёr dёgjueshmёrinё nё makina nё 5 qarqe Tiranё, Elbasan, Korçё, Shkodёr e Vlorё.
Të dhënat kryesore të përftuara ishin mbi programet që preferohen të dëgjohen gjatë udhëtimit, nivelin e ndjekjes së radiove lokale apo të tjerave, stacionin që parapëlqehet më shumë nga drejtuesit e makinave, dëgjueshmërinë e emisioneve që emetohen njëkohësisht në radio dhe në televizion, pritmërinë e tematikave të drejtuesve të automjeteve në transmetimet e radios etj.
Shtrirja në 5 qarqe të vendit, nё Tiranë, Elbasan, Korçë, Shkodër e Vlorë, nuk ka qenë një zgjedhje rastësore, por duke respektuar përhapjen gjeografike të tregut radiofonik, peshën e konsiderueshme specifike në dy treguesit kryesorë: numrin e banorëve në këto ndarje administrative, si dhe numrin e automjeteve që qarkullojnë. Mjafton të përmendim faktin se në 5 qarqet e përzgjedhur, sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Transporteve dhe Punëve Publike të muajit korrik 2012, ishin rreth 57 përqind e totalit të makinave të regjistruara nga autoritetet, pra maxhoranca në rang kombëtar.Kampioni u përzgjodh me tipare sa më përfaqësuese: për 1424 të pyeturit, drejtues automjetesh me patentë, u respektua proporcionalisht raporti i moshës, gjinisë, arsimimit dhe vendbanimit në qytet a në komunë. Për plotësimin e pyetësorëve në terren u angazhuan 22 persona. Afati kohor i hedhjes në qarkullim dhe plotësimi i pyetësorëve zgjati 3 muaj, konkretisht nga data 7 mars deri më 7 qershor 2012, periudhë e cila në bazë dhe të rekomandimeve të ekspertëve të fushës, u gjykua si më e përshtatshme e më natyrale për parametrat e qarkullimit të automjeteve, si një mënyrë për të mos u ballafaquar me muajt e dimrit, kur një pjesë të ndarjeve administrative që përfshihen në studim, tradicionalisht karakterizohen me bllokime e reduktime të detyruara të lëvizjes së automjeteve. Nga ana tjetër, në këta 3 muaj, evitohet dhe periudha e sezonit veror, kur qarkullimi në rrugë rritet në mënyrë të ndjeshme nga mbërritja e përkohshme e turistëve e vizitorëve, të cilët i kanë si destinacione të preferuara mjediset në këto qarqe.
Njё rezultat i studimit ishte fakti i përdorimit të shkallë të gjerë i burimeve të personalizuara. Drejtuesit e automjeteve që u pyetën, në masën 64 përqind, deklaruan se gjatë udhëtimit preferonin programet radiofonike, pjesa tjetër, në një tregues të konsiderueshëm, 36 përqind, përdorte burimet e personalizuara, specifikisht CD, MP3 apo audiokasetat.
Zhvillimi teknologjik, futja në përdorim e pajisjeve memorizuese me kapacitet të madh, patjetër që i orienton drejtuesit e automjeteve në përdorimin e tyre edhe brenda kabinës së makinës gjatë lëvizjes. Oferta shkon dhe më tej, duke mundësuar ndjekjen e programeve të radiove online, mjafton posedimi i një aparati celular të avancuar, qasjes në internet dhe nëpërmjet transferimit “via bluetooth” nga aparati i radios në kroskot mund të shijohen transmetimet e çdo stacioni online që parapëlqehet, duke “thyer” kufijtë që diktojnë aktualisht brezat e frekuencave valore.