Fortifikata Hisari i Kastërcit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Fortifikata Hisari i Kastërcit
Kalaja e Kastërcit
LlojiArkeologjike
VendndodhjaKastërc, Therandë, Kosovë
NdërtuarParahistori, Antikitet i Vonë, Mesjetë
Emri zyrtar: Lokalitet Arkeologjik / Rezervat
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës3435

Fortifikata Hisari i Kastërcit është një monument i trashëgimisë kulturore në Kastërc, Therandë, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkeologjik".

Historiku[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lokaliteti arkeologjik i tipit fortifikatë në Kasterc, i pozicionuar rreth 12 kilometra në veriperëndim të Suharekës (Therandës) respektivisht i njohur edhe si Hisari i Kastercit, është dëshmuar të jetë një qendër arkeologjike shumështresore duke vazhduar shfrytëzimin që nga kohërat parahistorike, më saktësisht nga një vendbanim i mbrojtur eneolitik, e më pas riformësohet në një fortifikatë të kohës së perandorit Justinian dhe për t’u ripërdor si një varrezë gjatë kohës së mesjetës. Në këtë lokalitet arkeologjik, hulumtimet e para me karakter sondazhi arkeologjik janë zhvilluar në vitin 1986, duke nxjerrë një pasqyrë të përgjithshme. Hulumtimet arkeologjike vazhduan edhe gjatë vitit 2010 dhe 2011 duke zbuluar një sipërfaqe prej rreth 500 metrash katrorë dhe nxorën në dritë një kishë paleokristiane dhe material të veçantë të luajtshëm arkeologjik, në përbërje si vegla pune prej hekuri, qeramikë, stoli, vathë, unaza, byzylykë, monedha etj.

Periudha e parë e banimit të saj është lidhur me epokën e eneolitit, ndërsa periudha e dytë e tij është e lidhur me epokën e bronzit kur vendbanimi rrethohet me ledhe prej dheu, që gjenden në pjesën veriore të kodrës. Objekti i vetëm arkeologjik i lidhur me këtë periudhë, është një majë heshte prej bronzi, me fletë në trajtë gjethi të zgjatur dhe me prerje rrethore. Megjithëse tipologjikisht e datuar në periudhën e hershme të bronzit, në bazë të krahasimeve me objekte analoge të Hercegovinës lindore dhe zonës perëndimore të Malit të Zi, datimi i fortifikimit në këtë periudhë nuk mbështetet edhe nga gjetje të tjera. Periudha e tretë e banimit lidhet me periudhën e hershme të hekurit, kur vendbanimi rrethohet në pjesët veriore e lindore me ledhe guri, të ndërtuara sipas një teknike të njohur gjerësisht në viset ilire. Ledhet, me gjerësi 1.30 m, përbëhen nga dy faqet anësore të ndërtuara me gurë të papunuar mesatar të lidhur në të thatë dhe bërthama midis tyre e mbushur me gurë më të vegjël. Përveç fortifikimit të tipit Gajtan, ky datim mbështetet edhe nga materiali i imët arkeologjik i përbërë nga forma të njohura enësh të periudhës së hekurit, ku përmendim tasat me buzë të sheshta,[2] të përhapura në një hapësirë të gjerë të territorit ilir, që nga Neziri (Mat), Manasdreni (Dibër), Gajtani (Shkodër), Hisari, Gadimja e Epërme (Kosovë) etj.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ Shukriu, Edi. Fortifikata “Hisar” në Kastërc të Suharekës, Iliria, 1989, 1, f. 77-83

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Fortifikata Hisari i Kastërcit.